Saturday , September 23 2017
Lajmi i fundit

Qani Osmani: INTELEKTUALI I SOTËM POLITIK

 

image-0-02-05-ba87c5a86a571f506a35a534ca29b0a5e9c7a76693c410d11c9fe9140afc8dae-V (1)Në jetën tonë të përditshme shpesh përdoret fjala “intelektual”. Mësojmë se fjala intelektual rrjedh nga gjuha latine, nga fjala intelectus, që do të thotë kuptim, ide, koncept. Për intelektualin thuhet se është një njeri që ka përgaditje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës të kulturës , por që ka edhe një diapazon dhe një formim të gjërë arsimor.

Intelektuali mes tjerash merret me punë mendore dhe ka aftësi të theksuar të të gjykuarit të arsyeshëm. Të jeshë intelektual është krenari por edhe përgjegjësi, ngaqë të duhet të vësh shenja në rrugë edhe atëher kur rrugëçaria e sotme politike dëshiron rrugë pa asnjë shenjë dhe pa asnjë kamerë. Nëse arrinë ta sfidosh këtë rrugëçari politike, ke të drejtë të ndjehesh krenar, por duke mos harruar se misioni i intelektualit nuk mbaron për aq kohë sa mer frymë dhe se ai duhet të jetë prezent në kohën e vet, dhe të ketë kurajon ta thotë të vërtetën haptas ku dhe kur duhet, sado e idhët që të jetë, sado tragjike, sado e papëlqyeshme për veshët e të tjerëve.

Intelektuali e ndihmon shoqërinë përkatëse duke e udhëzuar me veprat e tij, për ta kërkuar këtë të drejtë të mohuar nga pushtetarët. Intelektuali i vërtet gjithë jetën duhet të jetë në kërkim të gjetjes së rrugëve për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, në kërkim të gjetjes të rrugëve për mbrojtjen nga padrejtësitë, në kërkim të gjetjes së rrugëve për përmisimin e jetës shpirtërore dhe shoqërore, dhe në kërkim të dijes.

Fjala intelektual u shfaq për herë të parë në shekullin XVIII me Volterin e të tjerë, por kjo nuk do të thotë se para këtij shekulli nuk ka pasur intelektual. S’do mend se intelektualë kishim edhe atëherë kur nuk ekzistonte fare kjo fjalë, siç, fjala vjen, ishte Sokrati, por i mungonte një emërtim i tillë, përndryshe ndryshimet në botë nuk do të mund të vinin prej qëndrimeve SERVILE, STERILE dhe SAHANLËPIRËSE.

Sa ndërlidhet kuptimi i fjalës intelektual me intelektualët e sotëm politik (respekt për përjashtimet pozitive) është një pyetje që fillimisht kërkon shpjegim më të thellë; të shohësh sot se kujtë i thonë intelektual, dhe pastaj mënjëherë të hulumtosh rreth veprave të tijë dhe qëndrimeve nëpër kohë sa u përket politikave të përgjithshme. Çfarë do të shohësh si përfundim?

Mbizotrimin e heshtjes. Heshtje dhe strukje për t’u dukur ndonjëherë me ndonjë përsiatje që më tepër sjell mjegull sesa sqaron diçka sa u përket problemeve të koroupcionit, politizimit të arsimit, diskriminimit, manipulimit të votuesve etj. Pikërishtë heshtja ndaj problemeve reale dhe konkrete është kanceri i atyre që vehtes i thonë intelektual, që për fat të keq sot me shumicë i kemi në shoqërinë tonë. Këto lloj të intelektualëve harruan apo nuk dinë se të jesh intelektual dhe të shkëmbesh diturinë me një nënshtrim të ulët të kësaj bote, është njësoj si të hidhesh në llavën përveluese të vullkanit nga dashuria që ke ndaj të ngrohtit.

Për ta sqaruar këtë dukuri dhe për të ardhur deri te zbërthimi i kësaj amullie, kësaj radhe duhet t’i theksojmë disa veti të intelektualit servil dhe steril, duke ardhur kështu lexuesi vetë, deri te një përgjigje e duhur rreth degradimit të vlerave që ka hijezuar ashpër shoqërinë tonë.

Disa veti të intelektualit të sotëm servil, steril dhe sahanlëpirës, janë:

  • Zgjohet vonë prej gjumit dhe hapi i parë që e hedh është nisja drejtë ndonjë kafeneje dhe qëndrimi dy orë e më e më tepër aty, ku pamja e tijë shëmtohet me shoqërimin e një luge të plastikës, që herë pas herësh e rrotullon në gojë;
  • Ka të mbushur celularin me numra të politikanëve dhe funksionarëve të ndryshëm. Jo pse kjo është ndonjë gjë e keqe, porse përmes kësaj krekosje mëtohet t’u thotë të tjerëve se “ja kush jam, njihem me të fortit” ;
  • Gazetën e shikon vetëm në ballinë dhe fillon të flas keq për gazetarët dhe publicistët objektiv dhe të sinqertë, për ato që nuk përkrahin politikën e partisë që ai i takon;
  • Libra jo që nuk dëshiron të lexojë, por nuk ka kohë, ngaqë është i zënë me bjerrje të kohës;
  • Pak atë dituri që ka, sigurishtë të mbledhur në kohën e studimeve, lehtësishtë e përdorë për pazarllëqe të politikës ditore;
  • Me këmbëngulje mbron vetëm politikanët që janë në pushtet, mbase çdo të keqe nga ana e tyre e arsyeton se opozita dhe të huajit qëndrojnë mbrapa;
  • Sa për t’u dukur se është i gjallë, fillon e merret me të kaluarën e largët, duke pasur për qëllim të zhvendos vëmendjen ndaj telasheve të sotme;
  • Ankohet për të ardhurat mujore, edhe pse ardhurat finansiale falë partisë që i takon të tij jan dy-tre fish mbi mesataren në vendë;
  • Shokun, që dikur e lavdëronte, tani e përqesh me emërtime nga më të rëndat, dhe e quanë budalla pse nuk ndronë parti që është në pushtet;
  • Në rast të ndonjë mbledhje në parti, me kryetarin e partisë, ende pa e kryer ai fjalinë, vetëm me lëvizje të kokës vertikalisht e pohon dhe plotësisht përkrah atë që flet i pari i partisë;
  • Fjalët që nuk ka guxim t’i thotë në ndonjë debat politik ose konferencë, me guxim të pashoq, i thotë pas darke në prani të atyre që, përpos respektimit të autoritetit si intelektual, nuk e vrasin mendjen për fjalët që i thotë:
  • Qëndron deri në orët e vona të natës duke përgojuar njerëzit dhe pasi të kthehet në shtëpi, përpara anëtarëve të familjes hiqet se vjen prej ndonjë beteje të rëndë intelektuale.

Në shoqëritë me traditë demokratike jo vetëm që është i pranishëm mendimi kritik i intelektualit, por ai është i domosdoshëm për çështjet e ndryshme shoqërore. Fjala e gatuar dhe e pjekur mirë në furrën e mendimit është vepra e intelektualit. Hoferi thotë se “e dimë që fjalët nuk mund t’i lëvizin malet, por ato mund t’i lëvizin masat. Njerëzit janë më shumë të gatshëm të luftojnë dhe të vdesin për një fjalë sesa për çfardo tjetër. Fjalët i japin formë mendimit, i trazojnë ndjenjat dhe lindin aksionin”.

Njerëzit e fjalës si; teologët, profetët, intelektualët, kanë luajtur një rol më vendimtar në histori sesa liderët ushtarak, burrështetasit dhe biznismenët. Prandaj sot me të drejtë bëhet pyetja; deri kur shumica e intelektualëve të sotëm do të jenë indifirent dhe kur do të angazhohen, apo do të qëndrojnë gjithnjë në heshtje. Nëse qëndron kjo e fundit, atëherë kemi të bëjmë me intelektual servil, steril, do të thoja edhe sahanlëpirës, sepse intelektualët e sotëm politik duhet ta dinë se heshtja nuk është cilësi e intelektualit.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top