Sunday , August 18 2019
Lajmi i fundit

Qani Osmani: JETËSHKRIMI I NJË MËSUESI

Qani Osmani(VËSHTRIM PËR LIBRIN “UDHËTIM NË KOHË” TË AUTORIT ALI GJEÇBRITAJ)
Të rrallë janë njerëzit që tërë jetën ia kushtuan arsimit, që përveç gjurmëve në veprimtarinë edukative-arsimore ndër breza, të kenë lënë edhe vepra të shkruara për punën e tyre, të bashkudhëtarëve në këtë mision të shenjtë, nxënësve të vet, e sidomos për ecejaket e arsimit në gjuhën amtare, në kohën dhe rrethanat kur kanë punuar e vepruar.
Ali Gjeçbritaj është njëri ndër ata, që përkrah punës si mësues, pedagog, arsimtar dhe veprimtar, kurrë nuk e lëshoi pendën nga dora. Përveç veprave të shumta letrare dhe publicistike, ka lënë gjurmë të pashlyera edhe në historinë e arsimit shqip të trevës së Krajës dhe më gjërë, duke u lënë gjeneratave të reja një histori të shkruar për kohërat e bujshme të arsimit në gjuhën amtare në këto anë, veprimtarët e dalluar dhe problemet e kohës ku punoi si mësues.
Me punën e tij si edukator i shumë brezave, përmes veprimtarisë së gjërë kulturore dhe letrare, mësuesi i idealeve të mëdha Ali Gjeçbritaj ka dhënë shembullin më të mirë në rrethin ku jeton dhe punon duke krijuar modelin si duhet të jetë mësuesi, arsimtari, pedagogu, profesori dhe në përgjithësi intelektuali shqiptar.
Nevojat e popullatës, mes së cilës jetoi dhe veproi autori i librit për të cilin bëhet fjalë në këtë vështrim, kanë qenë tepër specifike, të ndjeshme dhe të ngutshme, prandaj edhe detyra e mësuesit të këtyre trevave nuk ka qenë e zakonshme. Prej tij koha ka kërkuar të jetë mësues për gjithçka e kudo, në shkollë, në familje, në rrethin ku jeton e vepron, si dhe në mbarë shoqërinë, e cila kishte nevojë më tepër se për dije, më tepër se për shkollë dhe arsim, për emancipimin e përgjithshëm të saj, si nevojë dhe domosdoshmëri për shërimin e gjithë atyre plagëve shpirtërore dhe morale që u kishte lënë vragë ndër shekuj koha e sundimit nga të huajt.
Nga temat që autori i trajton në këtë vepër, shihet qartë se gama e interesimeve të tij në jetë dhe punë nuk kanë qenë thjeshtë vetëm ushtrim i profesionit, por interesimi, preokupimi dhe angazhimi i pandalur për shtrirjen e ndikimit të vet, kudo ku populli dhe shoqëria pati më tepër nevojë.
Në këtë vepër që mban vulën e një kohe të turbullt për arsimin dhe shkollën shqipe në trevat shqiptare në Mal të Zi, e në vendbanimete e Krajës në veçanti, si në një gjerdan me xhevahire të çmuara radhiten ngjarje dhe personalitete, veprimtari dhe ideale, qëllime dhe dëshira të shumta dhe të shumëllojshme, ashtu siç i ka ndjerë e përjetuar vetë autori i këtijë libri.
Libri “UDHËTIM NË KOHË” në pjesën më të madhe të tij mund të trajtohet edhe si autobiografi, por trajtimi i temave të cilat e preokupojnë autorin dhe të cilat i trajton me aq përkushtim dhe profesionalizëm, na japin të drejtën ta trajtojmë si një libër i madh i jetës, jo vetëm të autorit, por edhe të popullit mes të cilit janë zhvilluar këto ngjarje dhe kanë vepruar këta personalitete që përjetësohen nga autori i kësaj vepre.
Në këtë libër, autori trajton një numër të madh temash, duke filluar me arsimin, për librat shkollore, planet dhe programet, literaturën për një shkollë moderne dhe projektet serioze për reforma të nevojshme në arsim, edukimin e të rinjve, kulturën si dhe problemet jetësore dhe dukuritë e kësaj treve siç janë emigrimi, papunësia, folklori, trashigimia kulturore, ruajtja e identitetit kombëtar etj. Disa nga temat e trajtuara në këtë libër, lirisht mund të radhiten ndër perlat artistike moderne. Jo vetëm pse mund të zgjojnë emocione të veçanta tek lexuesit, por harmonia e krijuar mes formës dhe përmbajtjes së temave në këtë vepër nganjëher të lënë pa frymë, sidomos në pjesët ku përshkruhen peripecitë e popullatës shqiptare të kësaj treve, e cila lufton me dallgët e egra të jetës, me fanatizmin dhe injorancën, vetëm për ta fituar lirinë e saj, dritën e jetës dhe emancipimit.
Kujtimet e autorit për veteranët e dalluar të arsimit, për nxënësit e tij të dashur, për zgjimin e dashurisë për librin, burimin më të madh të dijes dhe përparimit, po ashtu janë pjesë të cilat i japin këtij libri një peshë të veçantë, atë që mund ta ketë vetëm vepra e një autori i cili ka bashkëjetuar me librat, është edukuar dhe ka edukuar dhjetëra gjenerata me këto ideale.
Kjo vepër, sa mund të jetë historike-pedagogjike, po aq është edhe letrare-artistike, ku temat e motivet e gërshetuara në një harmoni të natyrshme, veprës i japin një kuptim dhe dimension të veçantë.

Ulqin, 5 gusht 2019.
Qani Osmani

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top