Thursday , June 4 2020
Lajmi i fundit

Qani Osmani: KORONAVIRUSI DHE KAOSI SHOQËROR

Qani OsmaniShpërthimi i përnjëhershëm i virusit me emrin “Covid-19” dhe përhapja e tij me shpejtësi marramendese në të gjitha anët e botës e goditi dukshëm rendin shoqëror. Njerëzimi po lufton me një armik të padukshëm aq sa edhe shkencëtarët më të mëdhenj nuk po i bëjnë dot ballë.

Kjo gjendje i referohet kaosit shoqëror që rezulton me rënien e rendit shoqëror dhe një çorganizim marramendës aq sa për pak çaste shoqëria bëhet e çuditshme. Frika, paniku, stigma, paragjykimet duket se e kanë mbërthyer reagimin e njerëzve të cilët ndonëse të stërngarkuar me këto emocione janë kapur dukshëm pas rrjetëve sociale duke dëgjuar për ngjarjet e rradhës dhe duke pasur në fokus asgjë tjetër pos Covid-19. Ky alarm aktual dhe kaq i fuqishëm nga autoritetet politike për një rrezik edhe më të madh nga sëmundja po e shton akoma më shumë frikën te njerëzimi aq sa edhe kërcënimi ndaj rendit shoqëror rritet me po të njejtin potencial.

Turma e njerëzve që vrapon pas ushqimit, zbrazja e mallrave, ndalesa e njerëzve për të lëvizur lirë nëpër vende, karantinimi në katër mure me pretendim ndalesën e kontaktit me njerëz të tjerë ekspozon pasoja mjaft të rënda ekonomike, psikike dhe sociale. Virusi Corona nga një mikrob u shëndrua në dukuri e cila e pushtoi në masë botën duke sjellë alarmin luftarak për mbijetesë dhe përballim. E gjithë kjo përpjekje e përnjëhershme e njerëzve për mbrojtje dhe siguri aludon në sjelljen joracionale të turmës që buron nga ankthi i frikës se rreziku i këtij virusi po sjell cunamin e përmbysjes ekonomike.

Për çdo ditë na bie të lexojmë lloj-lloj teori të konspiracionit lidhur me pandemin aktuale, e që më së shumti kanë të bëjnë me “komplotin botëror” financiar. Pa dashur që t’i komentojmë këto teori, pasi janë larg domenit tonë, është fakt historik ndër shekuj kur objektivisht as që kanë ekzistuar financat rajonale e globale, pandemitë kanë kositur popullata të tëra. Si pandemi më e vjetër njihet ajo e Peloponezit e shekullit 5-p.e.r, e cila pat zhdukur afro 70 për qind të popullatave, madje edhe vet mbretin e famshëm Mark Aureli. E njohur është edhe “Murtaja Aziatike” e cila në shekullin 6, e pat zhdukur mbi gjysmën e popullatës aziatike. Profesori në Oslo, Ole Benegditou, sqaron se në mesjetë “Murtaja Burgone” pat zhdukur afro 60 milion njerëzim, pra afro 65% të popullatës të atëhershme evropiane ose 32% të popullatës botërore. Gjithashtu Dejv Vagner shkruan se “Murtaja e Zezë” kishte zhdukur rreth 200 milion njerëz (gjatë viteve 1347-1353). Evropës iu deshtën dy shekuj që ta kthejë popullatën e humbur nga kjo murtajë.

“Lia e Madhe”, gjer në shekullin 20 kur edhe u zbulua vakcina kundër saj, morri jetën e afro 500 milion njerëz (aq sa Kina kishte banorë në fillim të shekullit 20). Nga epidemitë Spanjolle të eksportuara në Amerikë në shekullin 15 u patën zhdukë afro 80% të popullatës vendase, kurse “Gripi Spanjoll N1H1” gjatë viteve 1918-1920 pat zhduk rreth 100 milion njerëz.

Zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në pesë dekadat e fundit sikur çrrënjosën shumë epidemi të vrasjeve masive, por disa viruse apo bakterie sikur pësojnë mutacion. Tani sërisht frika e përmasave botërore lidhur me Koronavirusin duket s’i pak e tepruar. Ekspertët thonë se ai nuk paraqet ndonjë rrezik të madh për njerëzimin botëror, por që nëse nuk menaxhohet si duhet fare lehtë mund të sjellë gjer në kaos të vërtetë me përmasa të mëdha qetësie e sigurie në shumë vende të botës.

Problemi nuk qëndron te numri i viktimave , pasi ai realisht duket se është i ulët, diku 2-3 për qind nga ata që manifestojnë simtome më serioze nga sëmundja, pasi një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve as që e ndjejnë sëmundjen dhe ata nuk hyjnë në statistikë. Kështu që realisht përqindja e vdekshmërisë është akoma më e vogël. Të përkujtojmë se në Evropë kemi rreth 16 herë më tepër në ditë vdekshmëri nga infarkti dhe kanceri. Por, panik s’ka!

Nëqoftëse është kështu, atëherë ku qëndron problemi që qeveritë e shumë shteteve në botë përjetojnë horror duke ndërmarr masa drastike radikale në funsionimin e shoqërisë? Përgjigja është në kapacitetin shumë të madh infektues të këtij virusi, për të cilën ekspertët konstatojnë se afro 13 herë është më shpejt infektues se sa viruset e zakonshëm të gripit. Prandaj, është normale se një masivitet kaq të madh infektimi, fare lehtë mund të sjellë deri në kolaps çdo sistem shëndetësor, veçanërisht të shteteve të dobëta.

Një tjetër qasje sociologjike që korrespondon me këtë dukuri janë edhe teoritë konspirative dhe hipotezat e mundshme që priren të japin shpjegime rreth përhapjes së virusit corona si një epidemi pan-botërore. Qëllimi i këtyre parashikimeve komplote është të shfaqin ndikimet politike të shteteve të cilat për hirë të tensioneve ekonomike dhe konkurrencës tregtare prodhuan armë biologjike kundër shëndetit publik nën akuzën e njëra-tjetrës për të treguar fuqinë sunduese ndaj botës. Këto premisa lënë të kuptosh pretendimet e regjimeve burokratike të fuqive të mëdha të cilat sfidojnë prova eksperimentale si dëshmi e sundimit të plotfuqishëm.

Ajo që është më e rëndësishme të thuhet në këtë rast është se përhapja e Covid-19 e ndryshoi plotësisht ndjenjën e shoqërive në mbarë botën se njeriu është ngushtë i lidhur për një jetesë të lirë, të sigurtë dhe pa rreziqe. Rregullat e reja të kësaj mënyre të jetesës nën kushtet e izolimit dhe rezistencën e njeriut ndaj këtij virusi tregojnë se fuqia mendore dhe shpirtërore është mbi të gjitha kënaqësi për të dalë nga kriza aktuale.

Shtetet domosdo duhet të ndërmarrin masa drastike që të kufizojnë numrin e të infektuarve, por edhe të sigurojnë kushte jetese dhe funksionim elementar të institucioneve. Edukimi i detajuar i popullatës duhet të ketë prioritet absolut. Dhe të pushojmë së vajtuari dhe seriozishtë t’i qasemi punës. Sepse lotët mund të sjellin keqardhje, por vetëm puna sjell rezultate.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top