Friday , September 20 2019
Lajmi i fundit

Qani Osmani: Lypja, mbijetesë apo biznes i pistë?

Qani OsmaniKur ekzistenca e njeriut është e rezikuar dhe kur nuk ka alternativë tjetër për të mbijetuar individi me ndërgjegje dhe ndjenjën e turprit mund ti nënshtrohet lypjes. Lypsarët janë bërë pamje thuajse të pashmangshme në shumicën e qyteteve europiane, ballkanike dhe te atyre në trojet shqiptare. Dhe derisa një pjesë e tyre mbijetojnë në këtë mënyrë, të tjerët prej lypjes kanë krijuar një biznes shumë fitimprurës.
Në këtë drejtim shtrohet pyetja se, a është lypja nëpër rrugët e qyteteve të ndryshme pasqyrim i varfërisë, biznes i majmë kriminel apo realitet shoqëror? Si, përse dhe kush i organizon lypjet? Çka bëjnë insitucionet përkatëse në parandalimin e lypjes së organizuar të të miturve? Si të ndalohet kjo “punë” e detyrueshme e fëmijve?

Janë këto pyetje të cilave assesi nuk mund t’u jepet përgjigja. Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Fëmijve, shtetet nënshkruese e njohin të drejtën e fëmijve që të jenë të mbrojtur nga format e diskriminimit, keqpërdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik, si dhe nga çfarëdolloj pune, potencialisht, të rrezikshme që mund ta dëmtojë edukimin dhe zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe social.
Por, realiteti është krejtë ndryshe! Në rrugët e qyteteve ballkanike, sidomos në ato të vendit tonë, posaçërisht gjatë verës, lypjen që e bëjnë fëmijët, zakonishtë ata të moshës së njomë, është shumë e theksuar. Është për t’u habitur se, vendet që më së tepërmi vërshohen nga viktimat e kurthit janë zakonisht zonat përreth udhëkryqeve, xhamive, kishave, spitaleve, varrezave, tregjeve etj. Sepse thjeshtë, janë vendet më të frekuentuara dhe për këtë vendosin “punëdhënësit” e këtyre “punëtorëve” të vegjël.

Edhe pse duket e çuditshme. Lypja edhe në Perëndim është bërë një biznes i vërtetë. Individë të caktuar kanë fituar aq shumë saqë kanë ndërtuar shtëpi luksoze, ndërsa një numër jo i vogël kanë llogari bankare të konsiderueshme. Nuk më kujtohet tani, diku kam lexuar se në Nju Jork është themeluar një shkollë për lypje ku nxënësit mësojnë artin e të lypurit. Në Amerikë si lypsarë të popullarizuar njihen: Breadlin Charlie, Georg Gray, Robert Ingels, Rose Dym etj. Fitimi ditor i këtyre personave është më i lartë se paga mujore e shumë inxhiniereve, profesorëve, mjekëve apo ekspertëve të lëmive të ndryshme.

Natyrishtë, shumica e lypsarëve gjenden në prag të ekzistencës financiare dhe morale, por ka edhe prej tyre që u lulëzon “tregtia”. Lypësit “komercial” nuk kanë ideale në jetën e tyre, përveç lypjes të organizuar pa pikë turpi. Në Ulqinë gjatë sezonit turistik kemi një “pyll” lypësish. Në çdo hap nga një lypës, i largohesh një lypësi, kur papritmas të afrohet tjetri. I gjejmë kudo, , në qendrën e qytetit, në restorane dhe kafiteri, te shetitorja, në plazh, etj. U imponohen qytetarëve dhe turistëve në mënyra më triviale duke i lodhur me vokabularin e tyre që i ngjanë një poezie elegjike.

Pra, në Ulqinë gjatë sezonit turistik kemi një invazion të lypësve komercial. Siç po duket ato zgjedhin rrugën më të lehtë për të fituar të mira materiale. Kjo stuatë dhe gjendje të bënë që edhe njeriu më altruist kur i sheh gjithë ato lypës mashtrues dhe “xhambas” e humb ndjenjën e ngushëllimit. Për këto “lypsa” mashtrues që vijnë prej komunave tjera dyert duhet të jenë të mbyllura. Etika e jetës kërkon që të fshihet loti prej syrit të njeriut që vuan, por kjo nuk duhet të vlejë për lypësit e dyshimt që e “pushtojnë” Ulqinin. Goja dhe dora që e kanë bërë, shprehi lypjen asnjëherë nuk do të qetësohen. Nëse para këtijë fenomeni social jo të hijshëm i mbyllim sytë edhe ambienti në qytet do të jetë jo i hijshëm!

U mora me këtë problematik dhe e shkrova këtë artikull, jo se dua t’i qortojë të varfrit-ngase ata vërtetë janë në gjendje shumë të vështirë dhe ndihma për ta është e padiskutueshme, ndërsa mënyra se si të bëhet kjo me siguri e dinë institucionet përkatëse që duhet ta dinë-por që të gjithë ne të bindemi se fjala “LYPJE” gjithnjë e më tepër po shndërohet në shkencë të pavarur, me rregullat e saj.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top