Monday , January 22 2018
Lajmi i fundit

Qani Osmani: SHQIPTARËT MES ZGJIMIT DHE NËNSHTRIMIT

Qani OsmaniNë zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale në Mal të Zi, nuk i ka humbur zgjedhjet populli shqiptar me vetëdije kombëtare dhe ideal të pastër që jeton në këto treva, por kanë humbur partitë politike shqiptare dhe ka fituar DPS-i që proklamon një koncept qytetar manipulues dhe të dështuar, ku vota shitet për një thes me miell dhe ku paga e mjekut është disa herë më e vogël se ajo e pastrueseve nëpër spitalet e vendeve Perendimore. Kjo parti e ashtuquajtur qytetare e përkrahur edhe nga një numër i madh i shqiptarëve të cilët i besojnë këtij koncepti qytetar dhe nuk janë të preokupuar me nënshtrimin, diskriminimin dhe me çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në komunat dhe vendbanimet me shumicë shqiptare beteja politike është zhvilluar mes shqiptarëve me vetëdije kombëtare, me vullnet dhe përkushtim për ndryshime e reforma dhe shqiptarëve të etshëm vetëm për pushtet, që dëshirojnë ta mbajnë këtë popull edhe më tej të nëpërkëmbur dhe të nënshtruar, pa liri dhe të drejta, si pakicë kombëtare të nënshtruar dhe të diskriminuar. Qytetarët shqiptar me vetëdije kombëtare, si asnjëherë më parë e thanë fjalën e tyre në mënyr të guximshme e plebishtare, se janë për ndryshime e reforma, për më shumë liri dhe të drejta. Populli që din t’i rrezistojë makinerisë së fuqishme propaganduese, shantazheve,kushtëzimeve dhe kërcënimeve të këtij pushtetit me të gjitha strukturat e tij, meriton një të ardhme më të lumtur!
Prandaj këtë ua kanë borxh votuesve udhëheqësit e partive politike shqiptare, forcat progresive, klasa intelektuale dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë në diaspor. Në një betejë politike të padrejtë nuk humbet lufta, meqë kjo luftë e mundimshme dhe me shumë sakrifica zhvillohet me dekada, e drejta dhe e vërteta do të fitojë, drita mbi errësirën, e mira mbi të keqen, drejtësia mbi korrupsionin dhe krimin, e vërteta e mbuluar me mashtrime , e heshtur dhe kamufluar me patriotizëm të rrejshëm, për gjendjen reale të shqiptarëve në Mal të Zi.
Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, duke marrë parasysh rezultatet e tyre tepër negative dhe dëshpruese në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, kurrë në të ardhme të mos gabojnë të pranojnë zgjedhje sipas kornizës ligjore aktuale, të përgaditura më parë nga organet e pushtetit, i cili nuk dëshiron ndryshime pozitive, nuk i respekton parimet elementare demokratike, përderisa funksionimin e tyre e mbështesin kryesisht në strategjin manipuluese, kushtëzuese, kërcënuese, diskreminuese dhe antishqiptare, të përgaditura mirë nga qendrat e specializuara brenda vendit, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht shërbimeve sekrete, Entit Shtetëror të Statistikës dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (për shkak të partishmëris së skajshme dhe nga organet e sigurimit shtetëror), të cilat nuk i mbështetin vendimet e veta në gjendjen faktike, por në të dhënat e falsifikuara paraprakisht.
Nga popullata shqiptare në Mal të Zi nuk duhet pritur dhe të kërkohen reforma të mënjëhershëme në ndryshimin e kursit politik të tyre, sepse ky popull bujar si duket kompasin e orientimit e ka humbur shumë kohë më parë, pa fajin e tyre, duke mos arritur të krijojë një klasë politike me përgjegjësi kombëtare dhe lider të përgaditur për këta svida me të cilat sot përballen shqiptarët në këto treva. Servilizmi dhe përulja e subjekteve politike shqiptare dhe disa liderëve të tyre, ndaj pushtetit dhe faktorit politik malazez konkretisht DPS-it për tri dekada, nënçmoj intelegjencën e shqiptarëve dhe u dëshmua fuqishëm që interesi i tyre është pushteti dhe jo problemet e qytetarëve shqiptar.
Përderisa shqiptarët në Mal të Zi, përmes subjekteve të veta politike do të vazhdojnë të futen në kurth, me legjitimin e pushtetit dhe sundimit mbi shqiptarët përmes ligjit zgjedhor aktual i cili është diskriminues për shqiptarët, përmes zgjedhjeve të falsifikuara, të pa drejta, jo të lira dhe jodemokratike, të organizuara dhe kontrolluara nga pushteti, përmes listave të pa pastruara nga mijëra votues fiktivë, sistemit zgjedhor jodemokratik, njësive zgjedhore të pa balancuara, përjashtimet nga listat votuese të shumë shqiptarëve pa shtetësi, si dhe pa mos pasur pasqyrë reale për numrin e votuesve të përgjithshme shqiptare në vend, përmes regjistrimit të popullatës sipas standardeve ndërkombëtare, shqiptarët edhe më tej do të trajtohen si shërbetorë dhe rrojtar të këtij pushteti për tri dekada.
Kur shqiptarët në Mal të Zi, edhe përkundër faktit se janë popull autokton, jetojnë në vazhdimsi historike në trojet e veta etnike, por edhe më tej trajtohen si pakicë kombëtare, në bazë të kushtetutës, në të cilën është përcaktuar se Mali i Zi është shtet nacional i popullit malazez edhe për kundër faktit se ky mjedis është tipik multinacional dhe multikulturor dhe si tillë është një mjedis specifik në Evropën Jug-lindore sepse asnjë popull nuk ka shumicën absolute mbi 50% në kuadër të popullsisë së përgjithshme, aq ma tepër kur dihet se në shtetet me konceptin qytetarë nuk ka as shumicë e as pakicë dhe se të gjithë popujt janë shtetformues, shqiptarët edhe më tej do të diskriminohen dhe do të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë.
Përderisa subjektet politike të shqiptarëve nuk do të krijojnë strategji të përbashkët dhe nuk do të sigurojnë mekanizma për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar në Mal të ZI, ata do të trajtohen edhe më tej si qytetarë të rendit të dytë, do të diskriminohen në të gjitha sferat e jetës, do të varfërohen, do t’i braktisin vendlindjet e veta, do të ndëshkohen kolektivisht dhe individualisht përmes proceseve të montuara politike, ekonomike, fetare dhe përfundimisht do t’i nënshtrohen procesit të akulturimit, asimilimit dhe zhdukjes në masë, pavarësisht se cila parti politike shqiptare do të marr pjesë në qeveri.
Për aq më tepër, nëse qytetarët do të vazhdojnë të mbështesin dhe tolerojnë të mbetet në pushtet i njejti subjekt politik për tri dekada, kur dihet se ky proces është një shkelje e rënd e normave themelore të demokracisë dhe se i jep shansë pushtetit për instalimin e diktaturës. Se kjo është kështu, jo vetëm kundër interesave të shqiptarëve, por edhe kundër interesave të kundërshtarëve politik të pushtetit në radhët e partive opozitare qytetare dhe nacionale malazeze.
Populli shqiptar në Mal të Zi do ta vazhdojë betejën politike për të drejta dhe liri dhe se këtë luftë do ta fitojnë shqiptarët meqë rrugë tjetër nuk kanë. Dhe se kjo do të ndodh sapo t’i bashkojnë forcat dhe dijen, ta kuptojnë se kjo betejë politike nuk ka nevojë për udhëheqës që e kanë preokupim të vetëm ardhjen e tyre në pushtet, por lirinë dhe të drejtat e nëpërkëmbura të popullit që e përfaqësojnë; “ta kuptojnë se shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për lider politikë të kapur nga pushteti, që përkundër kërkesës të vazhdueshme të elektoratit dhe diasporës për unifikim të faktorit politik shqiptar do të vazhdojnë të kërkojnë dritë jeshile, dhe të marrin leje nga partia që është në pushtet , por edhe për mendimtarë, ideologë dhe strategë që do t’i hapin shtigje të reja dhe sigurojnë rrugën e vërtetë të shpëtimit dhe fitores, se kauza e shqiptarëve në Mal të Zi nuk janë interesat individuale, grupore dhe partiake, por të drejtat kolektive, qytetare dhe kombëtare, çlirim nga kthetrat e pushtetit të kapur nga korrupsioni dhe krimi, nga nëntoka kriminale dhe mafia politike aktuale”.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top