Thursday , October 18 2018
Lajmi i fundit

Qani Osmani: TË JESH APO TË MOS JESH

Qani OsmaniDuke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale në Ulqin dhe se tani ma jemi zhytur në fushatën parazgjedhore, si çdo round zgjedhor propaganda politike mundohet për të identifikuar paraprakisht fituesit dhe humbësit. Paraprakisht, bëhen analiza të sipërfaqshme, të njëanshme, apo dhe tendecioze në funksion të retorikës për të fituar sa më shumë pikë në elektorat.

Fillimisht duhet konstatuar se në Mal të Zi, panvarësisht faktit se a bëhet fjalë për zgjedhje lokale apo parlamentare, si dhe pa marrë parasyshë se a thua këto zgjedhje janë të regullta apo të parakohshme, ato përcillen me ankth të paparë. Kështu, shpallja e zgjedhjeve i ngjanë aktit të shpalljes së gjendjes së jashëzakonshme, ndërsa kampanja parazgjedhore si edhe dita zgjedhore i ngjanë një beteje të përmasave “të jesh apo të mos jesh”.

Gjithashtu, e përbashkët e gjitha këtyre zgjedhjeve në Mal të Zi është boshti rreth të cilit rrotullohen bisedat dhe platformat partiake. Kështu, “vlerat” parësore të cilat “hanë bukë e pinë ujë” në tregun politik malazez si dhe në fushatat parazgjedhore janë demagogjia politike, kamuflimi ekonomik, patriotizmat e rrejshëm, loja me ndjenjat nacionale, koncepti qytetar i dështuar, dhe bisedat boshe rreth integrimit në BE. Gjithçka tjetër vjenë në rradhë të dytë, duke përfshirë këtu edhe platformat e mirëfillta politike, ekonomike dhe zhvillimore.

Me disa fjalë, zgjedhjet në Mal të Zi si në fazën e shpalljes së tyre, gjatë mbajtjes së tyre si dhe në periudhën më pas, janë sui generis dhe kryesishtë bazohen në disa modele të demokracis që i zbaton partia politike në pushtet për tri dekada në praktikën zgjedhore, por që nuk i njeh shkenca. E ato janë: modeli i demakracisë 1-shit dhe blej vota, 2.- Modeli kërcënimit-shantazhimit, si dhe 1- modeli i demokracisë kushtëzuese. E kur gjithë kësaj i shtohet realiteti i hidhur i cili dëshmon se, në këtë shtet, personat e vdekur respektohen më shumë se sa ata që janë gjallë, dhe se për të vdekurit investohet më shumë se sa investohet për mirëqenien e të gjallëve, portreti i deformuar i këtij shteti virtual bëhet edhe më i shëmtuar.

Çështjet e më sipërme janë disa nga elementet të cilat e karakterizojnë fushatat e partisë në pushtet. Ndërsa, për ma tepër, kur jemi tek blloku politik shqiptar, i cili në këtë rast na tangon drejpërsëdrejti, dhe i cili është boshti kryesor i këtij shkrimi modest, që në fillim duhet konstatuar se, për këtë blok zgjedhjet janë shumë të veçanta dhe hibride! Nga shkaku se gati të gjitha partitë politike shqiptare janë në pozitë, edhe atëher kur nuk janë në kualicione qeveritare apo lokale, pra me një këmbë janë në opozitë e me tjetrën janë në pozitë. Të veçanta janë nga se në “manifesto-n” e partive politike shqiptare, është “lideri partiak” ai i cili vendos mbi fatin e partisë që e përfaqëson dhe trupit zgjedhor që e voton. Madje këto lider, nga “ushtarët” e tyre partiak identifikohen me tipare të jashtëzakonshme, si për shembull, si persona të cilët, jo vetëm që janë largpamës, por herë-herë ata shohin me katër sy! E, bile ndonjëherë edhe me gjashtë sy! E, të mjerët harojnë dhe nuk dinë se, verbëria e tyre është ajo që i bënë ata që të mendojnë se lideri i tyre na paska katër apo gjashtë sy!

Me të përcaktuarit e kandidatëve në listat zgjedhore që do të garojnë në zgjedhje, e të cilët, zakonishtë janë po të njejtat fytyra të cilët enden tashmë vite me rradhë nga një parti në tjetrën, nga një eshallon në tjetrin, fillon kampanja parazgjedhore, sa e turpshme, po aq edhe qesharake. Gjatë fushatës, ata të cilët janë në opozitë premtojnë se, kur do të vijnë në pushtet, lumejtë do të rrjedhin mjaltë e qumësht dhe se populli më kurrë më nuk do të shijojë idhëtinë e padrejtësisë, diskriminimin, dhe brengat e skamjes, duke tentuar në këtë mënyrë që t’i fusin në haresë bëmat e tyre të para disa vitesh kur ishin në pushtet. Ndërsa, ata të cilët janë në pushtet dhe të cilët ëndërojnë edhe për një mandat tjetër, ata tregojnë për aq shumë “suksese” të arritura, sa që njeriun e rëndomtë e venë në dyshim se ndoshta mos vallë janë duke biseduar për ndonji vend perendimor Evropian, nga se fjalët e tyre nuk reflektojnë asgjë tjetër përpos rahatllëkut të tyre personal të cilin ju ka mundësuar pushteti, e të cilin e kanë arritur në kurrizë të popullit të përvuajtur të cilin e përfaqësojnë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e pushtetit lokal, të cilët i fitojnë zgjedhjet e fundit  në saje të premtimeve boshe, në momentin që ju kujtohet se ditët e “pashallëkut” të tyre janë kah mbarimi, ata nxitojnë së arrnuari disa gropa në rrugë dhe së hapuri disa kanale dhe hendeqe duke e rënduar e vështerësuar edhe më tepër realitetin edhe ashtu të rëndë të qytetarëve, kanale dhe hendeqe këto të cilat do të qëndrojnë si të tilla deri në kampanjën tjetër parazgjedhore. E kur këto “manovra” të tyre banale nuk arrinë ta bindin elektoratin e rraskapitur, ata fillojnë e premtojnë jo vetëm zgjidhjen e çështjeve madhore qytetare dhe kombëtare, por i dalin zot edhe zgjedhjes së problemeve globale dhe ndërkombëtare.

Gjatë këtyre fushatave “avangardat” partiake janë të mobilizuara deri në skaj. Kanosjet dhe premtimet nuk kanë të ndalur. Sharjet, akuzat, kërcënimet dhe kushtëzimet bëhen përditshmëri. Ndërsa, i vetmi segment i cili shënon rritje profitimi janë operatorët e telefonisë mobile, edhe atë, në saje të kartelave të mbushjes të cilat ju shpërndahen “partizanëve” partiakë.

Kështu, kalojnë vitet, e bashkë me to edhe shumë fushata dhe mandate, ndërsa gjendja e popullatës votuese shkon duke u vështerësuar prej viti në vit në të gjitha segmentet dhe poret e jetës. E, s’do mend se, sa më e mjeruar që bëhet jeta e popullatës, aq më i lehtë bëhet nënshtrimi i po të njejtës ndaj “lojtarëve” politik të këtij pushteti për tri dekada, si dhe lojrave të tyre të fëlliqura dhe kushtëzimeve të tyre të pandershme. Në këtë mënyrë, popullata e mjerë në Mal të Zi u ba pronë e një përfaqësimi politik me koncept qytetarë dhe padronë të tyre, të cilët e shfrytëzojnë popullatën si mjet për të realizuar qëllimet dhe apetitet e tyre personale të pangopshme.

Kjo praktikë dhe logjikë e deritanishme duhet të marrë fund, në prag të këtyre zgjedhjeve lokale. Aktorët politik shqiptarë duhet të marrin masa serioze për të kanalizuar energjinë e tyre jo në dëm të popullit që e përfaqsojnë, jo në dëm të imazhit, jo në dëm të demokracisë, por në funksion të përmbushjes së premtimeve dhe standardeve demokratike. Subjektet politike shqiptare që janë në garën zgjedhore kësaj here do të bënin mirë që të kursenin dozat e propagandës, të akuzave dhe të sharjeve brenda partive shqiptare, se kjo është strategji e partisë në pushtet me dekada (përçaj dhe sundo) por ti japin përparësi luftës politike me programe, platforma dhe alternativa.

Fakti që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe lokale kam bindjen se shqiptarët i përfaqësojnë humbësit politikë shqiptarë, të cilët tanimë e kanë bërë praktik që në fushatat parazgjedhore të dalin para trupit zgjedhor shqiptar me flamurin kombëtar, duke rrahur gjoksin dhe duke përdorur fjalë shum të mëdha patriotike, e fjalët janë ato që i merr era, derisa veprat konkrete janë ato që i shkruan historia, e ka kuptimin e devalvimit të plotë politik të shqiptarëve dhe nënshtrimin dhe mohimin e vullnetit politik të popullit shqipta në Mal të Zi.

Sot kur Mali i Zi është anëtare e NATO’S dhe ndodhet në procesin e integrimit në BE, përfaqësuesit e partive politike shqiptare duhet ta kenë të qartë se patriotizmi nuk matet dhe çmohet me përalla, por me dije, ekonomi, investime dhe bashkëpunim ndërshqiptar në funksion të rikthimit të shpresës për rininë shqiptare, se ardhmëria e shqiptarëve është dhe duhet të jetë zhvillimi i vendbanimeve shqiptare e jo emigrimi masiv i rinisë shqiptare nëpër vendet e botës.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top