Sunday , September 24 2017
Lajmi i fundit

QANI OSMANI: ZGJEDHJET DHE FUSHATAT ZGJEDHORE

Qani OsmaniNë vendet me traditë pluralo-partiake përcaktimi i votuesve nuk është thjesht çështje rutine, por para së gjithash proces i cili varet nga niveli i kulturës politike të masave të gjëra, tradita zgjedhore, fuqia mobilizuese e partive politike, platformat zgjedhore të tyre etj. Prandaj zgjedhjet kanë rëndësi të veçantë për çdo subjekt politik që merr pjesë në garat zgjedhore. Rezultatet zgjedhore i përcaktojnë pozicionet e partive politike ndaj shtetit. Nga ato mvaret a do të jetë partia në opozitë ose në pozitë brenda një afati të caktuar kohor, i cili zakonisht nuk është më i gjatë se katër vjet. Zgjedhjet janë dukuri permanente dhe zakonisht për partitë politike mbarimi i njërit afat të zgjedhjeve paraqet fillim të zgjedhjeve të ardhshme. Partitë politike serioze çdoherë jetojnë nën “ethet zgjedhore”, aq më shumë në qoftë se merret parasysh edhe dukuria e zgjedhjeve të parakohshme, që nuk është dukuri e panjohur për teorinë dhe praktikën e veprimit të partive politike.
Partitë politike të cilat e kanë përkrahjen e zgjedhësve, respektivishtë partia që i fiton zgjedhjet, është e logjikshme dhe racionale në përqindje të konsiderueshme të qeverisë në bazë të premtimeve të dhëna gjatë periudhës parazgjedhore. Anëtarësia, simpatizuesit dhe votuesit në kuptimin më të gjërë që janë përcaktuar për partinë në fjal, shpresojnë në premtimet e dhëna në periudhën parazgjedhore. Megjithatë në praktik një gjë e tillë shpeshherë nuk ndodh, që do të thotë se partitë nuk i respektojnë premtimet e dhëna. Kjo nganjëher bëhet qëllimisht, por ka raste që një gjë të tillë partisë t’ia imponojnë rrethanat objektive të cilat krijohen pas përfundimit të zgjedhjeve. Sido që të jetë. Politikën e papërgjegjshme në shumë raste zgjedhësit e sanksionojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Zgjedhjet si për zgjedhësit, ashtu edhe për subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje paraqesin akt kënaqësie, në veçanti në qoftë se respektohen rregullat demokratike dhe vullneti i popullit i shprehur nëpërmjet votës së lirë. Megjithatë, garantimi i zgjedhjeve korrekte, të lira dhe demokratike është vlerë që shumë vështirë mund të realizohet me përpikshmëri, sidomos në shoqëritë pa ndonjë traditë pluralo-partiake, ku zgjedhjet e marrin karakterin e luftës makiaveliste për pushtet. Kjo duhet të kuptohet si gjë e logjikshme por jo edhe demokratike, sidomos në qoftë se merren parasysh privilegjet që pushteti shtetëror ua ofron partive politike fituese dhe një pjesë të ithtarëve të tyre, e në veçanti më të “merituarve” dhe atyre që qëndrojnë në raporte më të afërta me bërthamat partiake.
Zgjedhjet në vete e ngërthejnë edhe përgjegjësinë e të zgjedhurve dhe ushtruesve tjerë të funksioneve publike ndaj zgjedhësve. Partitë politike e kanë për obligim atë përgjegjësi ta kultivojnë dhe ta mbajnë të gjallë. Megjithatë gjatë fushatës zgjedhore ndodhin dukuri të cilat nuk korrespondojnë me karakterin e vërtetë të partive politike. Duke insistuar të tubojnë sa më shumë vota partitë politike shmangen nga parimet e veta, me vetëdije ose pa vetëdije. Nganjëherë u shkon për dore të tërheqin numër të konsiderueshëm të ithtarëve të partive kundërshtare dhe zakonisht lufta zhvillohet për personat politikisht të papërcaktuar. Megjithatë. Shmangia nga parimet themelore të verifikuara në programet dhe platformat e partive politike, në raste të caktuara mund të provokojë edhe efekte negative për partitë në fjalë. Jo rrallë herë ndodh që për shkak të “manovrave politike” shumë aktivist, anëtarë dhe adhurues t’ia kthejnë shpinën partisë të cilës i takojnë dhe kështu dëmi bëhet më i madh sesa dobia eventuale.
Partitë politike dëshirojnë të prezentohen si përfaqësuese dhe mbrojtëse të interesave më të gjëra shoqërore. Në ditët e sotme, në praktikën plurale të vendeve në tranzicion gjatë fushatës zgjedhore partitë politike më të mëdha e reklamojnë barazinë qytetare, e sidomos garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare, me të vetmin qëllim që ta fitojnë përkrahjen politike të tyre. Largimi nga parimet e definuara të cilat anëtarëve dhe simpatizuesve partia ua imponon nëpërmjet ideologjisë partiake, lë gjurmë negative, megjithatë praktika e deritanishme flet se ndidhin çrregullime të mëdha brenda tyre. Ndoshta sipas ligjeve të inercionit, traditave ose nga motive të tjera, numri më i madh i anëtarësisë e ndjek flamurin partiak, pa marrë parasysh çfar programi partiak ajo do të ofrojë. “Ato votojnë edhe për “qenin e verdhë” sepse ai është i ngjyrosur me ngjyrën e partisë së tyre” thot sociologu i mirënjohur Stjepan Pulisheliq. Në këtë mënyrë demokratizimi shndërrohet në konformizëm të jashtëm, ndërsa në thelb ai ngulfatet dhe degradohet.
Gjatë fushatës zgjedhore partitë politike tregojnë interes për të gjithë shtresat shoqërore, e sidomos për “inteligjencën”. Intelegjencia pa dyshim është shtresa e vetme që krijon parakushte për një qasje shkencore të problemeve shoqërore.Sipas kësaj krijohen raportet ndërmjet intelegjencës dhe partive politike. Edhe pse intelektualët janë kategori e pazëvendësueshme. Oligarkitë partiake tregojnë një sasi të rezervës ndaj tyre, të mos e përdorim termin mosbesim. Ç’është e vërteta, kjo nuk vlenë për tërë inteligjencën, e sidomos për pjesën “servile” të saj. Së fundi, derisa qasja kritike e inteligjencës nuk është vatërzuar kundër aktivitetit të partisë në pushtet, inteligjenca është e mirëseardhur për partitë, është e çmuar dhe e respektuar. Megjithatë asnjë parti politike, (madje as atyre më ekstreme), nuk u shkon për dore në tërësi ta mbajnë nën kontroll frymën kritike të inteligjencës. Prej momentit kur intelektualët fillojnë të tregojnë një lloj padëgjueshmërie, e cila para së gjithash shprehet nëpërmjet mospajtimit me disa veprime të caktuara të bërthamës partiake, lindin edhe problemet e ndryshme të cilat në shumicën e rasteve “dënohen” shumë ashpër nga partia në pushtet. Në parim është shumë vështirë inteligjenca të disciplinohet deri në pakufi; partitë politike nuk munden pa të, thjesht thënë, pa angazhimin e intelektualëve ato janë të hendikepuara. Puna intelektuale është jo vetëm e nevojshme, por diçka pa të të cilën nuk mund të paramendohet veprimi i mirëfillt i partive politike.
Në vendet me demokraci të kufizuar ku bëjnë pjesë edhe shtetet në tranzicion, veprohet në drejtim të “partizimit të inteligjencës”. Thënë ndryshe, në këto shtete hapësira e “inteligjencës kritike” është mjaft e kufizuar. Kam bindjen se kjo në përmasa të mëdha vlen edhe për partitë politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Përzgjedhja negative e kuadrove për partitë politike shqiptare në praktikën e deritanishme të veprimit të tyre është dukuri e rëndomtë.“Ndaj inteligjencies kritike ato sillen si Kalifi Omar me rastin e djegies së bibliotekës së Aleksandrisë”. Gjatë dhënies së urdhërit që të digjet njëra nga bibliotekat më të randësishme të asaj kohe. Kalifi Omar mendonte kështu: Në qoftë se ajo që shkruan në këta libra grekë përputhet e Kur’anin atëherë ata janë të panevojshëm, në qoftë se nuk përputhen, është mëkatë. Pra në të dy rastet duhen të zhduken. Në mënyrë të ngjajshme sot rezonojnë oligarkitë partiake të partive politike shqiptare në Mal të Zi. Në qoftë se intelektualët kanë qëndrime identike me oligarkitë partiake atëherë janë të panevojshëm, në qoftë se mendojnë ndryshe, janë të rrezikshëm. Prandaj ata me çdo kusht duhet të mbahen në distancë.
Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, ç’është e vërteta nga praktika e deritanishme gjatë fushatave zgjedhore ato janë munduar të vendosin relacione korrekte, kan mbajtur tubime, kanë kërkuar ndihmë nga ana e tyre dhe janë deklaruar për bashkëpunum të pandërprerë. E gjihë kjo i ngjason një farse, nga shkaku se pas fitores eventuale partitë politike shqiptare në Mal të Zi vazhdojnë me avazin e vjetër, ato mbyllen në vete duke i realizuar interesat e një grupi shumë të vogël të anëtarësisë me status të privilegjuar. Nënkuptohet se në radhët e tyre çdoherë ka vend për intelektualët që nuk e “turbullojnë ujin”, por jo edhe për ata që gjithmonë e kultivojnë frymën kritike.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top