Friday , May 29 2020
Lajmi i fundit

QEVERISJA E MIRË VENDORE: KOMUNA E OBLIGUAR TË INFORMOJË QYTETARËT PËR AKTIVITETET E SAJA

Parakushti kryesor për zhvillimin e një komunitetit demokratik është ndërveprimi i vazhdueshëm në mes të qytetarëve dhe organeve të vetëqeverisjes vendore. Vetëqeverisja vendore bashkëkohore duhet të aspirojë komunikimin e dyanshëm, në mënyrë që të vendosen marrëdhënie partneriteti midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Kjo frymë partneriteti pastaj duhet të përcillet tek të gjithë zyrtarët dhe institucionet e pushtetit.

Kjo marrëdhënie në mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur në pushtet, siguron punën më të përgjegjshme dhe më transparente të zyrtarëve publik dhe krijimin e mundësive që qytetarët të marrin pjesë në punën e vetëqeverisjes vendore, madje edhe në aktivitetet e saja të përditshme.

Përfshirja e qytetarëve në proceset demokratike është pjesë e doktrinës së ashq. qeverisja e mirë (Good Governance), parimet themelore të së cilës janë: qeverisja e hapur, transparenca, pjesëmarrja e qytetarëve, përgjegjshmëria, efikasiteti dhe koherenca.Ilustration 1

Doktrina “qeverisja e mirë” e vë theksin në bashkëpunimin për hartimin e politikave publike të cilat synojnë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, kapacitete më të fuqishme menaxhuese të institucioneve publike dhe legjitimitetin shoqëror e politik të administratës publike.

Pjesëmarrja qytetare merr formën dhe efektin e vet të plotë kur qytetarët tubohen për tu informuar dhe diskutuar për problemet e komunitetit, që pastaj rezultojnë me propozime konkrete ndaj përfaqësuesve të pushtetit dhe me pjesëmarrjen e mëvonshme në realizimin e këtyre propozimeve.

Përveç Kushtetutës së Malit të Zi, sipas së cilës qytetari është bartës i sovranitetit,  pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje në nivelin lokal e rregullojnë edhe një sërë ligjesh, aktesh nënligjore dhe dispozitash tjera. Si anëtar i Këshillit të Evropës, Mali i Zi është i obliguar të zbatojë edhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.

Sipas dispozitave të Statutit të Komunës së Ulqinit, vetëqeverisja vendore krijon kushte, inkurajon dhe ndihmon pjesëmarrjen e popullatës lokale në ushtrimin e pushtetit vendor. Kryetari i Komunës, kryetari i Kuvendit dhe kryeadministratori, “me qëllim të sigurimit të qeverisjes së hapur dhe transparencës në punën e organeve të Komunës dhe të shërbimeve publike, janë të detyruar që së paku një herë në tre muaj, nëpërmjet mediave lokale ose në një mënyrë tjetër të përshtatshme, të informojnë qytetarët për aktivitetet e realizuara të organeve të pushtetit dhe për aktivitetet e planifikuara për periudhën e ardhshme“.Text 5 - ilustration 2

Gjithashtu parashihet që në procesin e hartimit të Statutit, planeve zhvillimore të Komunës, projekteve urbanistike, buxhetit dhe akteve të përgjithshme që përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, të organizohet diskutim publik me qytetarë.

Gjithsesi, pjesëmarrja nënkupton interesimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim të organeve të vetëqeverisjes vendore nga njëra anë dhe qytetarëve nga ana tjetër. Pjesëmarrja nxit zhvillimin dhe ruajtjen e respektit e të mirëkuptimit të ndërsjellët për nevoja dhe interesa të ndryshme, por me qëllimin themelor të përmirësimit të jetës së komunitetit.

Një praktikë e mirë-zhvilluar e pjesëmarrjes qytetare, në mënyrë të konsiderueshme do të ndikonte në rritjen e besimit të opinionit në Administratën e Komunës, promovimin e transparencës së punës së saj, rritjen e kapacitetit të qytetarëve për përfshirje në proceset demokratike dhe krijimin e politikave të qëndrueshme publike.

Mbi të gjitha, me aktin më të lartë juridik të Vetëqeverisjes vendore, organet e Komunës janë të detyruara që të sigurojnë realizimin e të drejtave dhe obligimeve të popullatës lokale në mënyrë të ligjshme dhe efikase, duke respektuar personalitetin dhe dinjitetin e qytetarit.

Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.Projekat, Projekti, Logo, Disclaimer

One comment

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top