Nga Ministria e Ekonomisë njoftuan se 80 për qind e amvisërive në Malin e Zi kanë lidhje aktive në internet. Sipas raportit të Agjencisë për Komunikime Elektronike dhe Veprimtarinë Postare mbi gjendjen e tregut të komunikimeve elektronike për majin e vitit 2020, numri i përgjithshëm i lidhjeve në internet është 182.827 ose për 1.344 më shumë se në prill të këtij viti.
Raporti gjithashtu konstaton se shpërthimi i pandemisë (COVID 19) shkaktoi rritjen e përdorimit të shërbimeve të komunikimit elektronik e njëkohësisht edhe një rritje të konsiderueshme të trafikut të telekomunikacionit. Nga muaji mars deri në maj trafiku i internetit u rrit për dy të tretat në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Duke u nisur nga këto fakte, si dhe nga situata e përgjithshme epidemiologjike në vend, Qeveria e Malit të Zi përgatiti zgjidhje të reja ligjore. Në korrik të këtij viti hyri në fuqi (në formë të inovuar) Ligji për Administratën Elektronike, me të cilin rregullohet edhe më shumë korniza ligjore për një qeverisje elektronike të sigurt dhe efikase, e orientuar drejt qytetarëve dhe biznesit. Me këtë rrumbullakohet kuadri ligjor dhe krijohen parakushtet për zhvillimin e mëtejmë të administratës elektronike, si në nivelin shtetëror ashtu edhe në atë vendor.
Me këtë akt juridik konceptohet sistemi i instrumenteve që vihen në dispozicion të qytetarëve, kompanive, personave të tjerë juridik dhe sipërmarrësve me qëllimi të thjeshtimit të komunikimit me organet shtetërore.
“Një nga synimet që dëshirohet të përmbushet është arritja e komunikimit të lehtësuar midis qytetarëve dhe administratës publike, gjegjësisht përmirësimi i ambientit në të cilin administrata publike është shërbim për qytetarët dhe biznesin”, tha drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Administratë Elektronike Dushan Polloviq.
Sipas tij, mënyra më e mirë për eliminimin e barrierave administrative është pikërisht mundësia që qytetarët dhe subjektet ekonomike të komunikojnë me administratën publike në çdo kohë dhe nga çdo vend.
Drejtoria pretendon se informatizimi i plotë i administratës publike, kur çdo kërkesë regjistrohet në mënyrë elektronike, kur të dhënat shkëmbehen në mënyrë elektronike, si dhe kur ekziston një komunikim i drejtpërdrejtë ndërmjet dorëzuesit të kërkesës dhe organit që e përpunon atë, përjashton çdo mundësi të përpunimit të gjatë e të pajustifikuar të kërkesave.
Në të njëjtën kohë, pritet që Ligji për Administrimin Elektronik të krijojë kushte që qytetarët, bizneset dhe shteti të përdorin teknologjitë e reja sa më shumë që të jetë e mundur, t’i kryejnë punët më shpejt, në mënyrë më efikase dhe më të lirë, dhe që zbatimi i Ligjit të rrisë transparencën dhe besimin në administratën publike në të gjitha nivelet.
Organet dhe institucionet shtetërore të cilat përfshihen me këtë ligj do të jenë të detyruar të publikojnë informacionet mbi shërbimet në faqet e tyre të internetit. Prandaj, përdoruesve do t’u jepen informacione të qarta për shërbimet e ofruara, mënyrën e fillimit të shërbimit, kushtet e nevojshme për zbatimin, afatet, në mënyrë që përdoruesi të jetë i njoftuar, ndër të tjera, se çfarë është e nevojshme, ku, si dhe në cilin interval kohor shërbimi mund të realizohet. Katalogu do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të organit/institucionit, ndërsa katalogu i përgjithshëm i shërbimeve do të gjendet në faqen e internetit të Qeverisë së Malit të Zi.
Ligji i ri parashikon koordinimin e zhvillimit të qeverisjes elektronike në të gjitha nivelet përmes krijimit të Këshillit për Administratën Elektronike, i cili do të shqyrtojë çështjet profesionale, do të koordinojë zhvillimin dhe do të propozojë masa në fushën e qeverisjes elektronike.
Përndryshe, korniza ligjore e qeverisjes elektronike në Mal të Zi, së bashku me Ligjin e ri për Administratën Elektronike, përfshinë edhe Ligjin për Dokumentin Elektronik, Ligjin për Sigurinë e Informacionit, Ligjin për Identifikimin Elektronik dhe Nënshkrimin Elektronik, Ligjin për Procedurën Administrative, Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjin për Qasjen e Lirë në informacion, Ligji për Tarifat Administrative, Ligji për Kartën e Identitetit dhe akte të tjera ligjore.
Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.