Thursday , October 18 2018
Lajmi i fundit

RASTI VALDANOS – PAKUJDESI DHJETËRA VJEÇAR I SHTETIT

ValdanosNë janar të këtij viti u bënë plotë katër dekada prej ditës kur Ulqinakët mbetën pa rreth 18 mijë rrënjë ullinj shekullor në gjirin e Valdanosit. Me Vendimin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit nga viti 1978, në Valdanos nga një numër i madh i Ulqinakëve u morr prona “për ndërtimin e objektit ushtarak me karakter të përhershëm”. Me këtë vendim, në dobi të Sekretariatit Shtetëror për Mbrojtjen Popullore të Jugosllavisë në Beograd, u morr prona nga 204 pronarë me sipërfaqe prej 937.739 metër katror dhe 17.825 rrënjë ullinj.

Pjesa më e madhe e Ullishtës në Valdanos sot u mbulua nga shkurret dhe kaçubat, pronarët plotë 40 vite nuk kanë shkelë në pronat e veta, ndërsa për shkak të pakujdesit të shtetit në këtë lokalitet çdo vit shkojnë dëme sasi të mëdha të fryteve. Ullishtarët e vyeshëm llogaritën se në gjirin e Valdanosit shkojnë dëm 900 mijë kilogram ullinj ose 144.000 litër vaj në vit.

Pas fikjes së institucionit ushtarak me të njëjtin emër, gjegjësisht pushimores, ky lokalitet është kompetencë e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi e cila kujdeset vetëm për sigurimin e lokalitetit, që taksapaguesve i kushton rreth 60 mijë euro (burim: “Studimi i rastit Valdanos”).

Xhungël në gjirin parajsor

Valdanos, Kadro Kurti, Artan KollariNjëkohësisht, kjo është e tërë vëmendja të cilën shteti ia “dhuron” kësaj hapësire unike. Pakujdesi dhjetëra vjeçar la pasoja katastrofike në ullishtë, ndërsa thirrjet që ullinjtë të shpëtohen, rigjallërohen, të shfrytëzohen me mençuri në dobi të tërë komunitetit, vijnë nga të gjitha anët.

“Ullishta në Valdanos është në gjendje katastrofike dhe këtë e konfirmon edhe Elaborati mbi Gjendjen e Ullishtës në Valdanos, të cilin me iniciativë të Shoqatës së Ullishtarëve e hartoi Fakulteti Bioteknik nga Podgorica, ndërsa e financoi Komuna e Ulqinit”, tha kryetari i Kuvendit të kësaj shoqate Basri Dervishi. Ai tha se “raporti i grupit të ekspertëve tregoi se kjo hapësirë është tërësisht e lënë pas dore, u mbulua nga vegjetacioni i egër dhe se i përngjan xhunglës”.

“Ullinjtë janë të mbyllur dhe të zënë nga bimët e reja. Sipas vlerësimit të përafërt, në ullishtë janë tharë rreth 1.300 rrënjë. Të paktën 4.500 duhet rigjeneruar, ndërsa 12.000 të tjera duhet të ripërtërihen me krasitje. Për rigjallërimin e tërësishëm nevojiten në mes një milion e gjysmë dhe dy milion euro. Kështu pohojnë ekspertët dhe ne iu besojmë”, tha Dervishi.

Sipas fjalëve të tija, është përcaktuar se nga momenti i eksproprijimit u humben 2,28 milion litër vaj ulliri.

“Është me rëndësi të theksohet se deri tek prodhimi i plotë, nga momenti i ripërtëritjes, nëse do të ndodh, mund të arrihet vetëm pas shtatë viteve. Që të kthehen mjetet e investuara duhet të paktën edhe aq kohë”, shpjegon Dervishi rezultatet e ekspertëve.

Prandaj, thekson ai, është e nevojshme që ullishta ti kthehet ish pronarëve, të cilët me ndihmën e shtetit do të ripërtërinin këtë hapësirë unike. “Kjo është e vetmja zgjidhje e mirë dhe e drejtë dhe besojmë se ato që vendosin më në fund ta zgjidhin këtë çështje”, përfundon Dervishi.

Por, ato që vendosin të paktën për momentin nuk kanë asnjë plan. Me këtë çështje merren vetëm përkohësisht, duke u angazhuar vetëm në mënyrë deklarative për mbrojtjen e ullinjve, por pa zgjidhje dhe propozime të qarta.

Nuk ka ndërtim në ullishtë, por ka në gji

Milo DjukanovicQë shteti nuk ka plan konkret por veç ide si të mbrojë ullishtën e vërtetoi në shtator të vitit 2016 kryeministri i atëhershëm, e presidenti i tanishëm i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Ai atëherë në Ulqin i tha qartë ish pronarëve që mos të shpresojnë në për kthimin e pronës së marr, duke pranuar me atë rast se “shteti si pronar faktik i ullinjve nuk iu ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme për t’i ruajtur”.

“Është mjaft vështirë të besohet se aty mund të ndryshohet diçka në periudhën e ardhshme. Ekziston pajtueshmëria rreth asaj se, përmes ndonjë aranzhimi, ullinjtë duhet t’i besohen për mirëmbajtje dhe menaxhim dikujt që do të ketë interes më të mirë dhe më të madh se sa shteti. Të supozojmë se ky është interesi privat. Njerëzve që dikur i është paguar kjo pronësi mendojnë se tani duhet t’iu kthehet. Por, shteti duhet të mbrohet nga pasojat e veprimeve të tilla, sepse nëse e bëjmë këtë gjë, asnjë nga këto veprime nuk mund të jetë i izoluar. Nëse këtë e bëni në një rast, atëherë duhet të jeni të gatshëm dhe në kërkesat zinxhir nga ana e pronarëve të tjerë të cilëve shteti dikur diku, me kompensim të caktuar, të drejtë ose jo, ja ka blerë pronën”, deklaroi Gjukanoviq.

Ai njëkohësisht ishte që qartë për çështjen e valorizimit të kësaj hapësirë duke thënë se në Valdanos duhet të ndërtohet infrastruktura e re turistike.

SimovicPak më shumë se një vit më vonë, diku nga fundi i vitit 2017, nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i bujqësisë dhe i zhvillimit rural Millutin Simoviq, po ashtu në Ulqin, pohoi se Qeveria nuk ka plan se si ti mbrojë ullinjtë. Edhe Simoviqi konstatoi se “gjendja e keqe e ullishtës është pasojë e pakujdesit dhjetëra vjeçar”.

Ai mendon se tani është detyrë kyçe “se si të ripërtërihet ullishta dhe të bëhet krasitja përmirësuese e ullinjve të lënë pas dore në mënyrë që ato të fillojnë prapë të jap fryte”.

Mirëpo, ministri ishte më fleksibil sa i përket çështjes së statusit pronësor duke lejuar mundësinë që të kërkohet përgjigja ligjërisht e vlefshme për faktin se Ministria e Financave, në procesin e shkallës së dytë, refuzoi vendimin e Drejtorisë për Pronë, në rastin e kthimit të pronës së marr.

Gjersa pritet përfundimi juridik i rastit Qeveria, gjegjësisht ministria përkatëse nuk ndërmerr veprimet në mënyrë që gjendja e paqëndrueshme të ndryshohet. Këtë e vërtetoi edhe Agrobuxheti për vitin 2018, me të cilin ullishtarëve iu ndan vetëm 170.000 euro dhe atë përmes përkrahjes për zhvillimin e ullishtarisë. Të drejtë të përkrahen kanë vetëm sipërmarrjet bujqësore të regjistruara në Regjistrin e Prodhuesve të Ullinjve, në Regjistrin e Prodhuesve të Vajit të Ullinjve, si dhe në Regjistrin e Sipërmarrjeve Bujqësore, kështu që, të paktën sa i përket këtij viti, ullinjtë në Valdanos do të vazhdojnë të lihen në harresë dhe të mbuluara nga kaçubat.

Pavle RadulovicMe Planin Hapësinor – Urbanistik të Komunës së Ulqinit të cilin vitin e kaluar e solli pikërisht Qeveria e Malit të Zi nuk është paraparë ndërtimi në ullishtë, ndërsa në Planin Strategjik të Zhvillimit të komunës Valdansoi është zonë për rekreacion.

Duke folur në shqyrtimin publik rreth Draftit të Planit Hapësinor me Dedikim të Veçantë për Zonën Bregdetare i cili në fund të majit u mbajt në Ulqin ministri i zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Pavlle Radulloviq tha se në zonën e ullishtës, e cila u shënua si sipërfaqe intensive bujqësore, nuk ka ndërtim.

Por, sipas këtij dokumenti, të cilin diku në mesin e korrik do ta miratojë Qeveria e Malit të Zi, ndërtim mund të ketë në shpatet jugore të Valdanosit, përkatësisht në kodrën Mendra.

Ulqinakët janë unik

Nga Shoqata për Kthimin e Ullishtës me vite apelojnë në organet kompetente të Malit të Zi që të respektojnë ligjet dhe pronën e marr në Valdanos tia kthejnë ish pronarëve, sepse nuk është shfrytëzuar sipas dedikimit.

„Toka u morr për nevojat e ndërtimit të bazës ushtarake e cila asnjëherë nuk u ndërtua, që do të thotë se nuk është shfrytëzuar sipas dedikimit dhe se prej kohësh u krijuan kushtet që ajo të kthehet. Sipas dijenive, në Malin e Zi nuk ektiston tokë bujqësore e cila nuk iu kthye pronarëve“, thonë nga kjo shoqatë.

hadixha-gjoniNënkryetarja e Komunës së Ulqinit Hadixha Gjoni tha se qëndrimi i vetëqeverisjes lokale për çështjen e gjirit të Valdanosit dhe ullishtës është thënë disa herë, veçanërisht përmes përfundimeve të miratuara një zëri në parlamentin lokal. „Pra, angazhohemi për kthimin e ullinjve pronarëve të mëparshëm dhe kthimin e ullishtës në funksionin fillestar, sepse është marr në mënyrë të paligjshme, është paguar kompensimi i padrejtë, e pastaj nuk u shfrytëzua sipas dedikimit. Për fat të keq, ingerencat e Komunës janë të kufizuara dhe ne nuk mund të bëjmë më shumë. Është mirë që procesi i kthimit vazhdon, pavarësisht në shpjegime të ndryshme. Gjersa ky proces, i cili mund të zgjasë, të mos përfundohet, duhet të kërkohen modele se si të mbrohen dhe valorizohen ullinjtë. Ndoshta përmes partneritetit privat-publik edhe pse kemi qëndrime të ndryshme edhe sa i përket kësaj çështje. Ne kishim premtime që me këtë problematik do të merret Ministria e Bujqësisë dhe presim që më në fund të niset diçka rreth kësaj çështjeje“, tha Gjoni.

Para tre vitesh, në korrik të vitit 2015, me të ashtuquajturin Aneks 2 të Marrëveshjes për Koalicioni Paszgjedhor në mes Forcës dhe PDS-së, të cilin e kanë nënshkruar liderët e partive, Millo Gjukanoviq dhe Nazif Cungu, u arrit marrëveshja që të „përgatitet propozimi i zgjidhjes juridike të pronësisë së Ullishtës në Valdanos me sigurim të interesave të shtetit, Komunës dhe pronarëve të ullishtës“.

U dha afati prej 60 ditësh për hartimin e këtij propozimi, por asnjë shkronjë nga kjo marrëveshje nuk u realizua.

Nuk u respektua as marrëveshja e të akterëve të njëjtë një vit më vonë kur është paraparë që prona në Valdanos, deri në qershor të vitit 2017, t’i kthehet pronarëve të mëparshëm.

A jemi të denjë për të ardhmen europiane?

Xhemal Peroviq, Dzemal Perovic“Përkrahim përpjekjet e pronarëve të cilëve iu privua e drejta, por ne e shohim gjirin e Valdanosit në kontekst më të gjerë, si mishërim unik të natyrës dhe veprimtarisë së duarve të njerëzve, si trashëgimi kulturore dhe si ofertë të tërësishme turistike. Si brend të Ulqinit dhe të Malit të Zi”, thotë drejtori ekzekutiv i OJQ “MogUL” Xhemal Peroviq.

Organizata të cilën ai e drejton publikoi në vitin 2017 “Studimin për rastin Valdanos” në kuadër të projektit “Valdanosi simbol i Ulqinit” i përkrahur nga ana e Delegacionit të Bashkimit Europian në Mal të Zi.

Sipas fjalëve të tija, Valdanosi është i sulmuar edhe me ndërtim të paligjshëm.

“Dhe të gjithë kompetentët në nivel lokal dhe shtetëror ulin krahët dhe deklarojnë: e kemi ndaluar këtë gjë me ligj! Gjersa Mali i Zi përgatitet të hap Kapitullin 27! Nëse këtë vandalizëm e ndalim, do të jemi të denjë për të ardhmen europiane. Numërojmë periudhën e fundit kur akoma është e mundur që Valdanosi, kjo perlë jo vetëm e Ulqinit, por e tërë Malit të Zi, si tërësi unike, të mbrohet, ruhet dhe valorizohet në mënyrë adekuate”, është kategorik Peroviq.

Përndryshe, hulumtimi i bërë nga Fakulteti i Pylltarisë pranë Universitetit të Stambollit në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe Ministrinë e Ekonomisë së Malit të Zi dëshmoi se disa ullinj në Valdanos janë mbjellë para erës sonë. “Kështu, për shembull, një ulli është vërtetuar se është i vjetër 1.94 vite. Besohet se në kompleksin e ullishtës poshtë kodrës Mavrian, mund të gjenden ullinjtë më të moçëm se 2.000 vite. Vetëdija për rëndësinë e një zbulimi të tillë dhe të vërtetimit shkencor duhet të depërtojë deri tek institucionet kompetente: Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Organizata Nacionale Turistike dhe të tjerë”, thuhet në Studimin e Rastit Valdanos.

Me Ligjin për Ullishtari të Malit të Zi nga viti 1992, ullishta në Valdanos u vendos nën mbrojtjen e veçantë të shtetit, gjersa me Ligjin e ri për Ullishtari nga viti 2014 u tha se “Ullishta në Valdanos në Komunë të Ulqinit, “Ullishta e Moçme” në Tivar dhe “Vela Maslina” në Budve “gëzojnë mbrojtjen në pajtim me programin e mbrojtjes së veçantë të ullirit të cilin e sjell Ministria”.

Por, në terren nuk bëhen kurrfarë hapash në këtë drejtim. Mirëpo, Ulqinakët shpresojnë se ullinjtë në Valdanos do të mbijetojnë, Sepse, është dëshmuar historikisht që kjo bimë e bekuar është si nëna: gjithmonë ju pranon, kurdo që i ktheheni.

Milan Knezheviq, Portali Ul-info

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me RTMZ dhe Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Europian.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top