Sunday , November 19 2017
Lajmi i fundit

REFORMA E ADMINISTRATËS PUBLIKE: MINISTRIA KËRKON TË FORCOJË INSPEKTIMIN

InspekcijaKontrollojnë vetëm opozitën?

Përkundër faktit se Ministria e Administratës Publike pretendon të forcojë kapacitetet e Inspektoratit Administrativ, në shënjestër të kontrolleve si për vitin e kaluar ashtu edhe për këtë vit, kryesisht janë komunat në të cilat në pushtet është opozita nga niveli shtetërorë.

Ministria konsideron se nuk bëhet fjalë për ndikim politik dhe pohon se me planin inspektues për këtë vit, përfshihen  komunat urbane të Tuzit dhe Gollubovcit, Petnjicës, Gucisë, Plevlës dhe Herceg Novit.

Në këto komuna, sipas inspektorëve do të kontrollohet zbatimi i Ligjit për Procedurën Administrative, Ligjit për Nëpunësit dhe Zyrtarët Shtetërorë, Ligjit për Qasje të Lirë në Informata si dhe rregullore të tjera. “Me të njëjtin plan të inspektimit parashihet kontrolli i marrëdhënieve zyrtare në Ministrinë e Financave – njësitë rajonale të Drejtorisë për Patundshmëri”, theksoi Ministria e Administratës Publike.

Vitin e kaluar, Inspektorati Administrativ ka kryer mbikëqyrjen e 107 subjekteve, 82 nga të cilat në organet dhe shërbimet e qeverisjeve vendore, 25 mbikëqyrje në njësitë rajonale dhe degët e Drejtorisë për Punë të Brendshme Administrative, të MPB-së.

Qendra për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi (CIN-CG)  ka pasur qasje në raportet e inspektimit për vitin e kaluar, të cilat tregojnë se më shumë se gjysma e kontrolleve janë kryer në vetëqeverisjet lokale dhe se pothuajse një e pesta e kontrolleve për periudhën janar – nëntor i referohet komunës së Kollashinit.

Ministria ka hedhur poshtë akuzat se përmes Inspektoratit Administrativ bëhet ndikim i pabarabartë në komuna, të cilat menaxhohen nga partitë që në nivel shtetërorë nuk janë në pushtet.

“Në këto raste, të cilat ishin nën vëmendjen e veçantë të publikut, Inspektorati Administrativ reagoj me mbikëqyrje të jashtëzakonshëm ndaj iniciativës së punonjësve dhe qytetarëve që kërkonin kontroll, kështu që nuk mund të bëhet fjalë për ndikim politik”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë.

Instituti Alternative (IA) në analizën e gjendjes së Reformës së Administratës Publike, theksoi se kapaciteti i Inspektoratit Administrativë në fillim të vitit 2017 ishte në nivelin më të ulët në vitet e fundit.

Në analizë thuhet se pas formimit të Ministrisë së Administratës Publike, dy inspektorë administrativë u caktuan në vende tjera pune, megjithëse ato ishin të mbrojtur si persona në mandat dhe nuk duhet të transferoheshin në vende të tjera pune.

Hulumtimi gjithashtu rikujton rastin e ish kryeinspektores administrative Dragica Angjeliq, shkarkimi i së cilës ishte objekt i një kontesti administrativ. Kujtojmë se Angjeliq u shkarkua me vendim të Qeverisë, por ajo pohon se bëhet fjalë për hakmarrje politike.

CIN-CG ka pyetur Ministrinë se cila është arsyeja dhe baza për mosplotësimin e vendeve të punës për inspektorë administrativë, duke qenë se këto vende nuk janë hequr nga sistematizimi dhe se njëkohësisht insistohet në forcimin e kapaciteteve.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Reforma nuk mund të zbatohet pa një mekanizëm mbikëqyrës të mirëformuar. Në këtë kontekst, theks i veçantë është vendosur në forcimin e kapaciteteve të Inspektoratit Administrativ, i cili përfshinë jo vetëm punësimin e ri të inspektorëve, por edhe forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore ekzistuese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ministria pretendon se znj. Angjeliq, ish kryeinspektore administrative, u shkarkua sepse në periudhën e mëparshme nuk i ka përmbushur detyrimet në përputhje me afatet dhe me profesionalizëm, duke dëmtuar efikasitetin e atij organi.

Inspektorati Administrativ nuk ka shqyrtuar rreth 40% të iniciativave të vitit të kaluar. Por, Ministria theksoi se do t’i shqyrtojë këtë vit dhe se në këtë mënyrë funksionojnë dhe inspektoratet e tjera.

Ministria pohon se, nga janari deri në gjysmën e gushtit, inspektorët kanë kryer 238 kontrollime, pra më shumë se 20% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Raporti (nuk) përmbush pritjet

Në Ministrinë që udhëheq Suzana Pribilloviq, në pjesën e koordinimit politik të proceseve të reformës, në shtator të vitit 2016 u krijua Këshilli për Reformën e Administratës Publike, i përbërë nga anëtarët e Qeverisë, Komunat dhe dy anëtarë nga sektori joqeveritar.

Këshilli kohët e fundit e ka shqyrtuar raportin mbi zbatimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike për periudhën korrik 2016 – korrik 2017. Raportin nuk e ka mbështetur Stevo Muk, anëtar i Këshillit nga IA. “Këshilli ka heshtur në Raportin që i dorëzohet Komisionit Evropian, për faktin se unë nuk e kam mbështetur miratimin e atij dokumenti”, thekson z. Muk për CIN-CG. Ai gjithashtu shtoi se, pavarësisht premtimit të zëvendës-kryeministrit Zoran Pazhin, nuk kishte asnjë informacion që Muk nuk e ka mbështetur miratimin e raportit.

Në një fjalim publik, Muk tha se Ministria e Administratës Publike ka realizuar vetëm 5 nga 15 masat e duhura dhe se ai kërkoi individualizimin e përgjegjësisë për mospërmbushjen e detyrimeve.

Sipas tij, raporti vetëm në disa vende flet për arsyet dhe shkaqet e zbatimit të dobët dhe nuk është e qartë se deri ku është arritur në realizimin e detyrimeve në fushën e zhvillimit dhe koordinimit të politikave publike. Ai pohon se ka deklarata të pasakta, siç është ajo se Qeveria nuk ka mundur të miratojë dy raporte vjetore për zbatimin e urdhëresës për bashkëpunimin e Administratës Publike dhe OJQ-ve në diskutimet publike, duke deklaruar se Këshilli për Zhvillimin e OJQ-ve nuk funksionon dhe se pa mendimet e tyre nuk mund të miratonin këto dokumente.

Për z. Muk është e paqartë se pse raporti nuk përmban informacionet e fundit në fushën e menaxhimit të financave publike dhe pse Mali i Zi nuk ka regjistër të pronës shtetërore.

Në një raport të miratuar nga Këshilli, thuhet se Mali i Zi ka përparuar për sa i përket e-pjesëmarrjes.

“Studimi i UNPACS i Kombeve të Bashkuara, tregoi se sipas indeksit të zhvillimit të e-pjesëmarrjes,
Mali i Zi për vitin 2016 u rendit në vendin e 17-të me një indeks prej 0,8305. Mali i Zi në vitin 2014 ka qenë i pozicionuar në vendin e 49-të, ndërsa në vitin 2016 shënoi një kërcim prej 32 vendesh duke u pozicionuar në vendin e 17-të”, thuhet në raport.

Megjithatë, Stevo Muk  tha se e shqetëson fakti se informacioni në raporte është marrë në mënyrë jo kritike, me pretendimin se jemi në 25 vendet më mirë të vlerësuara në botë sa i përket përdorimit të konsultimeve publike online, veçanërisht pasi “e dimë se konsultimet elektronike në Mal të Zi nuk ekzistojnë”.

Edhe pse Ministria ka njoftuar se Këshilli ka konstatuar që raporti paraqet një metodë më të përmirësuar dhe cilësore të raportimit të rezultateve të arritura, Muk thekson që ai dokument nuk ka qenë mjaft objektiv.

“E meta kryesore e këtij raporti është fjalori dhe stili formalist dhe burokratik që nuk flet hapur sa duhet për arsyet dhe shkaqet e rezultateve të dobëta. Për më tepër, në shumë raste në mënyrë jo kritike i trajton informacionet pozitive dhe hesht në ato negative…”, shtoi ai.

Muk tha për CIN-CG që Këshilli, sipas aktit të themelimit ka për detyrë që procesin ta bëjë transparent, mirëpo deri tani nuk është bërë asgjë.

Sa ka kontribuar Ligji për Qasje të Lirë në Informata në reformë?

Strategjia e Reformës së Administratës Publike parashikoi gjithashtu ndryshime në Ligjin për Qasje të Lirë në Informata, që pas miratimit, ishte shënjestër e kritikave nga sektori i OJQ-ve.

Udhëheqësit e pesë partive të opozitës paraqitën një propozim për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit, të cilat, siç pretendojnë ata, kufizojnë të drejtën e qasjes në informata publike më shumë se sa parashikohet në Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka shqyrtuar këtë nismë.

Ministria e Administratës Publike, e cila nga Ministria e Kulturës mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, nuk i është përgjigjur direkt akuzave.

“Qëndrimi i Ministrisë është se duhet të monitorohet zbatimi i zgjidhjeve ekzistuese ligjore në praktikë dhe në përputhje me këtë, të punojë në përmirësimin e tyre”, shkruan në përgjigjen e CIN-CG.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasja e Lirë në Informata nuk iu përgjigj pyetjeve të CIN-CG lidhur me kritikat e një pjese të publikut se Ligji për Qasje të Lirë në Informata është një hap prapa. Agjencia nuk kanë dhënë përgjigje se në cilën fazë është miratimi i akteve nënligjore për rregullimin e fushave të reja të paraqitura me Ligjin për Qasje të Lirë në Informata, lidhur me rregullimin e ripërdorimit të informacionit.

Afati për miratimin e këtyre akteve ishte deri në mes të gushtit.

Agjencia nuk është përgjigjur as për mënyrën sipas së cilës këto akte nënligjore do zhvillojnë fushën e ripërdorimit dhe qasjes në informata dhe sa do t’iu kushtojnë qytetarëve këto procedura.

Në faqen e internetit të Agjencisë nuk është publikuar as ligji i ri për Qasje të Lirë në Informata, vetëm ai i vitit 2012. Faqja e internetit të Agjencisë nuk përmban as udhëzuesin e ri për Qasje në Informata të këtij institucioni, i cili duhej të ishte hartuar dhe publikuar brenda 30 ditëve nga fillimi i zbatimit të ligjit të ri.

“Këshilli duhet të ndryshojë dokumentet që miraton, duke marrë parasysh kritikat dhe kontributin e shoqërisë civile, jo të hesht për ato dhe të vendos me shumicën e anëtarëve të Qeverisë. Përndryshe, edhe ky Këshill së shpejti do të bëhet i pakuptimtë”, pohoi Muk.

Ky artikull u krijua në kuadër të projektit ‘SHOQËRIA CIVILE PËR QEVERISJE TË MIRË: SHËRBIM DHE MERITË’, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Instituti Alternativa, Bonum, Natura, Horizonti i Ri dhe Qendra për Gazetari Hulumtuese. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Evropian.Partners for text

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top