Monday , January 22 2018
Lajmi i fundit

REFORMA E ADMINISTRATËS PUBLIKE: NËNQIRAJA E SHTRENJTË E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE

 

DSC_2260Administrata i paguan Gjukanoviqit edhe pa tender.

Tenderët ishin vonuar dhe u anuluan, ndërsa procedura e kontratktimit të drejtpërdrejtë nuk filloi aspak, kështu që Drejtoria për Pasuri gjen arsyetim në rregulloret e tjera. Një numër i madh i rasteve të tilla do të krijonte hapësirë për abuzim, paralajmëron Instituti Alternativa.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Qasjen e Lirë në Informata, pas skadimit të kontratës, mbeti qiramarrëse në ndërtesën e Aco Gjukanoviqit, ndërsa Drejtoria për Pasuri në mënyrë të heshtur vazhdoi t’i paguante atij qiranë për atë hapësirë.

Një kontratë katër-vjeçare me Gjukanoviqin me vlerë rreth 60 mijë euro në vit, skadoi në korrik. Pas kësaj, Drejtoria për Pasuri, përmes një tenderi publik, kërkoi dy herë qiradhënës, në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik, por pa sukses. Shteti pastaj vazhdoi t’i paguante atij qiranë prej rreth 5,000 € në muaj. Në pyetjen e CIN-CG se si është e mundur kjo, Drejtoria për Pasuri i referohet nenit 624 të Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

“Kur, pas skadimit të periudhës për të cilën është lidhur marrëveshja e qirasë, qiramarrësi vazhdon të përdorë sendin dhe qiradhënësi nuk e kundërshton atë, konsiderohet se një kontratë e re e qirasë është lidhur për një kohëzgjatje të pacaktuar, nën të njëjtat kushte si më parë”, thotë Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, në nenin 624, ku thuhet “Renovim i heshtur i kontratës”.

Ekspertët e kontaktuar nga CIN-GG pretendojnë se Ligji i Prokurimit Publik është i detyrueshëm për Drejtorinë për Pasuri dhe se tentimet e dështuara të prokurimit publik nuk mund të jenë justifikim për “joefkasitet dhe paligjshmëri”.

“Drejtoria nuk mund t’i referohet Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve kur ka një rregullore që rregullon prokurimin e shërbimeve publike… Përse pra Ligji i Prokurimit Publik, nëse zbatohet rregullorja e përgjithshme”, vuri në dukje bashkëbiseduesi nga CIN-CG.
Sipas të dhënave nga Portali i Drejtorisë së Prokurimeve Publike, të dy tenderët për marrjen me qira të ambienteve për Agjencinë janë pezulluar. Në thirrjen e parë nga fillimi i korrikut të këtij viti, askush, madje as Gjukanoviqi, nuk ishte i interesuar të merrte me qira lokalet e Agjencisë, me një tarifë vjetore prej 57,120 euro, me TVSH të përfshirë.

Me thirrje publike u kërkuan hapësira prej 400 metra katrorë, në qendrën e ngushtë të Podgoricës, me qëllim që të “kryejnë më me efikasitet detyrat nga kompetencat e organit”, por edhe qasje për automjete. U kërkuan tre kabinete, dy prej tyre me një paradhomë për sekretaren, pesë zyra dhe shtesë për arkivin, një aneks kuzhine, një tualet, një dhomë për server dhe një dhomë teknike.
Pas procedurës së “dështuar”, Drejtoria për Pasuri përsëri lëshoi një thirrje publike. Dokumentacioni i tenderit të datës 24 gusht ka dyfishuar shumën që është e gatshme t’i paguajë qiramarrësit të ardhshëm. Kështu, vlera e prokurimit publik në nivel vjetor ishte 107,100 euro me TVSH.

Edhe specifikimet në thirrjen e dytë publike janë ndryshuar, kështu që Drejtoria për Pasuri kërkon katër kabinete me paradhomë për sekretare, nëntë zyre për punonjësit, katër zyra në sistemin „open space“, një hapësirë për prezantim, dy dhoma arkivore dhe një shtesë për ruajtjen e materialit arkivor, një hapësirë për server, një aneks kuzhine dhe një tualet për meshkuj dhe femra, ndërsa sipërfaqja “u rrit” në 750 metra katrorë.

Në këtë ftesë u paraqit kompania “Cijevna hotel Group”, me pronar Danilo Petroviq, duke ofruar 102,530 € për qiranë vjetore. Oferta nuk u pranua, sepse kompania, e cila për vite në listën e zezë të Administratës Tatimore, nuk ka ofruar dëshmi se rregullisht i ka paguar tatimet shtetit, gjë që është parakusht për trajtimin me shtetin.
Menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike dhe prokurimi transparent publik janë një nga kërkesat themelore brenda kuadrit të një reforme gjithëpërfshirëse të administratës publike që zbaton Qeveria.

Hulumtuesja e Politikave Publike në Institutin e Alternativave (IA) Ana Gjurniq vlerësoi se Ligji bazë i Prokurimeve Publike rregullon bashkëpunimin e shtetit me kompanitë private dhe nuk ka referencë në zbatimin e duhur të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve.

“Sidoqoftë, kemi një situatë reale, një situatë jete e cila është shumë e vërtetë dhe siç duket, nuk është e rregulluar në mënyrë ligjore ose së paku, jo në mënyrë të mjaftueshme. Fakt është se pas skadimit të kontratës bazë, për Agjencinë nuk janë siguruar hapësira të reja ose hapësirat e vjetra nën një kontratë të re. Është gjithashtu fakt se asnjë institucion nuk mund të shpërngulet dhe të lihet pa hapësirë për punë, sepse kjo do të nënkuptonte një bllokadë absolute të punës së tij. Por fakt është edhe se Ligji për Prokurimin Publik që rregullon këtë çështje juridike, nuk lejon vazhdimin e përdorimit të hapësirave, as mundësinë e pagimit të qirasë, pas skadimit të kontratës “, tha Gjurniq.

Ajo shtoi se ligji nuk parashikon zbatimin e përshtatshëm të ndonjë ligji tjetër që do të zbatohej për këtë situatën.

“Problemi është se ky nuk është pothuajse një rast i izoluar, por mund të jenë më shumë dhe publiku nuk di për to. Një numër i madh rastesh të tilla do të krijonte një hapësirë të madhe për abuzim, gjë që tregon nevojën për t’i rregulluar këto situata ligjërisht” tha Gjurniq.
Në ndërtesën e Gjukanoviqit, në Rrugën “Kralja Nikole” në Podgoricë, përveç Agjencisë, ekziston Instituti për Meteorologji, i cili ia paguan qiranë mujore 13,500€ në muaj. Në nivel vjetor, nga arka e shtetit Gjukanoviqit i paguhen rreth 220,000 euro për akomodimin e këtyre dy institucioneve shtetërore, me TVSH.

Ndërtesën ku të dy institucionet tani janë nënqiramarrës, e bleu kompania Monte e Gjukanoviqit në vitin 2007 për 1,100.000 euro. Kjo është ish ndërtesa e Postës. Në atë vend, vëllai i ish-kryeministrit planifikon të ndërtojë një ndërtesë shtatë katesh. Ai mori kushtet urbanistike për rindërtim dhe ndërtesa ndodhet në parcelën urbanistike A-2’5, në pjesën e ndryshimeve të Planit Urbanistik “Stara Varoš”.
CIN-CG kësoi vere njoftoi se Gjukanoviqi, sipas një kontrate të re me Institutin e Meteorologjisë, do të marrë nga ai institucion shtetëror 3,000 euro më shumë për qira, sesa në vitet e mëparshme.

Ekspertët e prokurimit publik që këmbëngulën në anonimitet, pretendojnë se tenderi i ri për dhënien me qira të Institutit Meteorologjik në qershor të këtij viti, ishte i diskutueshëm, pasi ata “hartuan” specifikimet për Gjukanoviç.

Instituti i Meteorologjisë kërkoi hapësira në qendër të qytetit, rreth 1100 metra katrorë, me një recepcion pritës dhe me dy kate në qendër të Podgoricës. Tenderi gjithashtu përcaktoi paraqitjen e lokaleve, ndër të tjera – pjesa e bodrumit me gjashtë dhoma për laboratore, dy prej të cilave duhet të kenë ventilim artificial, një dhomë teknike, dhomë magazinimi dhe sallë qendrore. Drejtori i Institutit, Vanja Asanoviq, më pas tha se nuk i kishin përcaktuar për Gjukanoviqin, duke shpjeguar se ishin nevojat administrative, kadrovike dhe teknike të këtij institucioni.

Drejtoria nuk po nxiton për të gjetur një tjetër “pronar”
Drejtoria e Prokurimit Publik kishte mundësi, pas dy tenderëve të pasuksesshëm, që të zhvillonte procedurën e negociatave dhe t’ia caktojë punën ofertuesit të interesuar jashtë syve të publikut.

Megjithëse tenderi i dytë u anulua më 29 shtator, Drejtoria për Pasuri dërgoi vetëm një kërkesë me shkrim në Zyrën e Prokurimit Publik javën e kaluar, për të marrë pëlqimin paraprak për përmbushjen e kushteve për zhvillimin e procedurës së negocimit, pa publikim paraprak për tenderin publik në portal.
Gjurniq beson se Drejtoria duhet të shpallë një tender të ri në vitin e fundit të kontratës dhe se deri në përfundim të saj duhet të nënshkruhet një e re, pasi dihej se kur skadon dhe sa kohë nevojitet për ndërmarrjen e procedurave për ankesë.

“Megjithatë, në këtë mënyrë, nga zbatimi i vonshëm i procedurave, blihet kohë shtesë në të cilën sa më shumë para shtetërore – paratë e qytetarëve do t’i paguhen vëllait të ish kryeministrit. Gjithashtu, duhet pasur parasysh faktin se procedura e negociuar pa publikim paraprak të thirrjes për tender është shumë më e favorshme për ofertuesit, sepse nënkupton negocim të drejtpërdrejtë, kështu që kushtet e prokurimit mund të përmirësohen ndjeshëm në favor të ofertuesve “, theksoi Gjurniq.
Kontrolli me librezë të partisë

Në krye të organeve të kontrollit për fushën e prokurimit publik për vite kanë qenë anëtarët e këshillave të partive politike. Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit më parë ishte Bozhidar Vuksanoviç, anëtar i Këshillit Drejtues të DPS-së, ndërsa kohët e fundit ky funksion mbulohet nga Alija Koshuta, anëtar i Këshillit Komunal të Partisë Boshnjake të Podgoricës.

Shefi i Zyrës së Prokurimit, Hivzo Kajeviq, më herët ishte anëtar i Këshillit Ekzekutiv të DPS dhe aktualisht është anëtar i Këshillit Komunal të kësaj partie në Rozhajë.

Nga Drejtoria për Çështje të Inspektimit, ndaj pyetjeve drejtuar Koshutës dhe Kajeviqit, ata u përgjigjën se “përkatësia politike në asnjë mënyrë nuk ndikon në objektivitetin dhe profesionalizmin e planit të punës”.
Edhe Drejtori i Drejtorisë së Prokurimit Publik Mersad Mujević është gjithashtu anëtar i Bordit të Përgjithshëm të DPS.

Kreu i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Procedurave të Prokurimit Publik është Zoran Zhivkoviq, për të cilin nuk ka të dhëna zyrtare se ai është anëtar i një organi apo një zyrtar i një partie politike. Një nga paraardhësit e tij në atë pozitë ishte Suzana Pribilovic, ministrja aktuale e Administratës Publike dhe anëtare e Këshillit Drejtues dhe nënkryetare e Aleancës së Grave të Budvës të DPS.

Në Institutin Alternativa konsiderojnë se institucionet përgjegjëse për kontrollin e procedurave të prokurimit publik nuk kanë arritur ndonjë rezultat të rëndësishëm dhe është fakt që ato janë të politizuara.

“Goditja e fundit ndaj pavarësisë së institucioneve përgjegjëse për zbatimin e kontrollit në fushën e prokurimit publik, ka ndodhur kur z. Radule Zhuriq, kumbarë i Kryeministrit dhe nënkryetarit aktual të DPS-së, u emërua në Senatin e Institucionit Shtetëror të Revizionit, menjëherë pasi u zgjodh në të njëjtin organ Z. Zoran Jeliq, një ish-deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve dhe një simbol i çështjes “Snimak”. Këto zgjidhje kadrovike, sidomos kur bëhet fjalë për institucionet e pavarura, nuk premtojnë që rastet e korrupsionit në prokurimet publike do të zbulohen dhe ndiqen me kohë, “tha Gjurniq.

“Vizatimi” është me rrezik të lartë për korrupsion
Instituti Alternativa argumenton se mungesa e konkurrencës është një nga problemet kyçe në fushën e prokurimit publik.

Gjurniq tha se vitin e kaluar 52 kompani private “fituan” më shumë se gjysmën e shumës totale për prokurimin publik – 240,584.655 euro. Numri mesatar i ofertave për tender në vitin 2016 ishte 2.21 dhe është dy herë më i ulët se në vitin 2011.

Gjurniq beson se pjesëmarrja në shumicë e vetëm 52 kompanive në procedurat e prokurimit publik dhe numri i ulët i ofertuesve të paraqitur në tender, mund të jetë një tregues i ekzistencës së korrupsionit.

“Ndryshimet e shpeshta në specifikimet e tenderit dhe shkrimi i tyre në një mënyrë që i përshtaten vetëm me një ofertuesi, është njohur globalisht në shumë metodologji të prokurimit publik si një rrezik për korrupsionin”, përfundoi Gjurniq.
Ky artikull u krijua në kuadër të projektit ‘SHOQËRIA CIVILE PËR QEVERISJE TË MIRË: SHËRBIM DHE MERITË’, i cili implementohet nga Instituti Alternativa, Bonum, Natura, Horizonti i Ri dhe Qendra për Gazetari Hulumtuese dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Ballkanik për Demokraci (BTD), projekt Fondit Marshall Gjerman të SHBA (GMF). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe të Fondi Ballkanik për Demokraci (BTD).
Autore: ANA KOMANTINA

Partners for text

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top