Tuesday , December 11 2018
Lajmi i fundit

REFORMA E ADMINISTRATËS PUBLIKE: NUK NDIHMOJNË AS VENDIMET E INSPEKTORATIT

CIN-CG-logoShkruan: Ana Komatina

Duke shfrytëzuar mangësitë e ligjit, të dënuarve në çështjen “Snimak” në Plevle iu gjet një mundësi e re punësimi, me një përpjekje të vazhdueshme për të errësuar gjetjet e inspektimit. Instituti Alternativa gjithashtu paralajmëron për “ndikimin e mundshëm politik” ndaj vendimeve të Inspektoratit Administrativ.

Ministria e Administratës Publike anuloi konstatimin e Inspektoratit Administrativ, i cili vërtetoi se personat e dënuar për çështjen “Snimak” ishin të padenjë për të punuar si drejtues në shërbimet e komunës së Plevles.

Ndërsa Ministria, duke vendosur lidhur me ankesën e kryetarit të komunës së Plevles, Mirko Gjaçiq, në fund të vitit të kaluar, përcaktoi se është “i paqartë angazhimi i inspektores administrative” në vlerësimin se të dënuarit Sead Vesniq dhe Joka Gjaçiq, si dhe kolegu i tyre Goran Çaviq, i plotësojnë kushtet për ushtrues detyre në sekretariatet dhe shërbimet e komunës.

Në shpjegimin e vendimit, në të cilën Qendra për Gazetari Hulumtuese të Malit të Zi (CIN-CG) kishte qasje, instituti i ushtruesit të detyrës në nivel lokal nuk njihet nga asnjë dispozitë ligjore. Kjo do të thotë se Ministria nuk ka vënë në pikëpyetje faktin se personat e dënuar me ligj, u emëruan si ushtrues detyre, edhe pse, sipas këtij interpretimi nuk duhej të emëroheshin, sepse ligji nuk e njeh atë pozicion.

REFORMA (12) - 3Megjithatë, nga Ministria e Administratës Publike, tani pretendojnë për CIN-GG se ky departament, si organ i shkallës së dytë, hodhi poshtë ankesën e kryetarit të komunës si të pabazë. Ata, megjithatë nuk përmendën në përgjigjen zyrtare se më parë kishin miratuar ankesën e Gjaçiqit, dhe as se çfarë kishte ndodhur ndërkohë, megjithëse CIN-CG kishte qasje edhe në atë vendim të tyre.

Nga Ministria gjithashtu theksuan se pasi ia refuzuan ankesën, kryetari i komunës së Plevlës paditi Ministrinë dhe nisi procedimin e mosmarrëveshjes në Gjykatën Administrative kundër vendimit të tyre dhe se procedura ende vazhdon.

Joka Gjaçiq, e emëruar  për udhëheqëse të Byrosë Qytetare, u dënua me gjashtë muaj burg me kusht, për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2014. Sead Vesniq, i zgjedhur si ushtrues detyre të sekretarit në Sekretariatin për Administratën e Përgjithshme, u dënua me të njëjtin dënim për keqpërdorimin e ndihmës së njëhershme financiare të Qendrës për Punë Sociale, në prag të zgjedhjeve parlamentare dy vite më parë.

Ndërsa rasti i Çaviq, nga ana tjetër, ishte i diskutueshëm për Inspektoratin Administrativ, sepse ai nuk kishte kaluar provimin shtetërorë për udhëheqjen e Shërbimit të Mbrojtjes.

Inspektorati ushtroj kontrolle të jashtëzakonshme të komunës në fund të vitit 2016, sipas denoncimit të Frontit Demokratik.

Ajo ishte në të njëjtën kohë, ankesa e vetme e pranuar plotësisht kundër vendimit të Inspektoratit Administrativ, e cila gjatë vitit të kaluar, u miratua nga Ministria e Administratës Publike si organ i shkallës së dytë, e udhëhequr nga Suzana Pribilloviq.

Organizata joqeveritare Instituti Alternativave (IA) në raportin “Drejt një qeverisje më të mirë në Malin e Zi” paralajmëroi për ndikimin e mundshëm politik mbi vendimet e Inspektoratit Administrativ.

Ligji për Nëpunësit Civil, i cili zbatohet edhe për nivelin lokal, siç thekson IA, përcakton kriterin që në një organ nuk mund të krijohet marrëdhënie pune për një person që është i dënuar, duke i bërë ato të padenjë për kryerjen e atyre detyrave.

“Inspektorati Administrativ identifikoi parregullsitë e emërimit në pozitat udhëheqëse të personave të cilët nuk i përmbushnin kushtet, sepse ata ishin dënuar për vepra penale. Megjithatë, pasi kryetari i komunës paraqiti ankesën, Ministria vërtetoi se instituti ushtrues i detyrës nuk është përcaktuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe se Ligji për Nëpunësit Civil e zbaton vetëm në të drejtat dhe detyrimet e zyrtarëve lokalë. Rrjedhimisht, Ministria konsideroi se në rastin konkret parregullsitë nuk ishin përcaktuar siç duhet dhe anuloi vendimin e Inspektoratit Administrativ”, sqaruan nga IA.

Nga kjo OJQ pretendojnë se ky rast është ilustrues për disa arsye. Së pari, ata pohojnë se parregullsia e përcaktuar është relativizuar  nga fakti se personat e emëruar nuk janë punonjës por vendimmarrës dhe se zbatimi i rregulloreve nga niveli shtetëror në atë lokal është i mundur vetëm në raport me zyrtarët. IA thotë se Ministria ka vendosur që instituti i ushtruesit të detyrës, si i tillë në nivelin lokal nuk ekziston fare, duke mos u përcaktuar në raport me çështjen konkrete dhe një numër parregullsish të tjera.

Instituti Alternativa, në raportin e vet, arrin në përfundimin se kapacitetet e Inspektoratit Administrativ ende nuk janë realizuar plotësisht, gjë që gjithashtu pasqyrohet në efektivitetin e punës. Në mbështetje të kësaj, ata pretendojnë se në disa raste dhe sipas të dhënave të mbledhura, procesverbalet hartohen edhe nga katër deri në shtatë muaj pas kryerjes së inspektimit.

“Forcimi i kapacitetit të Inspektoratit Administrativ është një prioritet jo vetëm i reformës së administratës publike, por edhe një detyrim i drejtpërdrejtë i Qeverisë në kuadër të kapitullit 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) të negociatave me Bashkimin Evropian. Në periudhën raportuese, numri i inspektorëve administrativ u rrit nga një rekord i ulët prej katër inspektorëve administrativ (në fillim të vitit 2017) në tetë inspektorë, aq sa ishin të punësuar në mars 2018, sipas listës së fundit të publikuar të punonjësve në ministri. Kjo ende përfaqëson vetëm pak më shumë se gjysmën e numrit të parashikuar me aktin e organizimit dhe sistematizimit të brendshëm të Ministrisë”, thuhet në raportin e Institutit Alternativa.

Kjo OJQ, megjithatë, thotë se pas shkarkimit të kryeinspektores administrative Dragica Angjelliq në mars të vitit të kaluar, vendi udhëheqës në këtë departament mbeti vakant, gjë që konfirmohet nga lista e të punësuarve në faqen e internetit të Ministrisë.

Sipas gjetjeve të IA, raportimi mbi punën e Inspektoratit Administrativ është sipërfaqësor, prandaj është e pamundur të vlerësohet se sa efektiv ata janë në terren.

Statistikat e ministrisë tregojnë se vitin e kaluar janë kryer 438 inspektime, nga të cilat 69 ishin të rregullta, 293 ishin të jashtëzakonshme dhe 76 ishin inspektime kontrolluese.

Në atë periudhë, thekson IA, janë përcaktuar 266 parregullsi. Kjo potencialisht tregon për numrin e madh të parregullsive që inspektorët gjejnë gjatë kontrolleve. Sipas raporteve mujore mbi punën e inspektimit, dorëzuar në IA, ka pothuajse tri herë më shumë parregullsi të pa-eliminuara, sesa të eliminuara.

REFORMA (12) - 1IA ka pasur qasje në 15 ankesa në vendimet e inspektoratit administrativ. Ministria raporton se janë përgatitur 27 vendime sipas ankesave në masat dhe aktivitetet që ndërmarrin inspektorët administrativ dhe janë përgatitur 53 përgjigje për paditë nga viti i kaluar.

Pjesa më e madhe u paraqiten nga komunat Rozhajë dhe Kollashin. Kjo e fundit ishte komuna më e kontrolluar gjatë vitit 2016, për çka shkruante më herët CIN-CG.

Në Komunën e Rozhajës, vitin e kaluar janë gjetur 46 parregullsi, janë kryer 24 kontrolle, ndërsa parregullsitë nuk janë eliminuar në 23 raste. Nga kjo komunë, ata nuk iu përgjigjën CIN-GG se deri në çfarë masë u zbatuan urdhrat e Inspektoratit Administrativ dhe cili ishte rezultati i mosmarrëveshjeve që kishin kundër këtij organi. Nga kabineti i kryetares  së komunës së Kollashinit, pohuan se ata ekzekutuan çdo urdhër të ligjshëm dhe të justifikuar të Inspektoratit Administrativ.

“Kundër atyre që menduam se vendimet ishin të pabazuara në ligj, filluan procedurat e duhura. Kështu, u ngrit një mosmarrëveshje administrative kundër shtatë urdhrave për eliminimin e parregullsive, prej të cilëve deri tani janë përfunduar tre raste, të tre në favor të Komunës së Kollashinit. Gjithashtu, janë ngritur mosmarrëveshje administrative kundër shtatë konkluzioneve për  ndëshkime, dy prej të cilave janë përfunduar, gjithashtu në favor të Komunës së Kollashinit “, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga Komuna e Kollashinit theksuan se Inspektorati Administrativ pranoi kërkesat e tyre për shtyrjen e ekzekutimit të përfundimeve për ndëshkime deri në përfundimin e procedurës, ashtu që gjobat që “ranë” në Gjykatën Administrative nuk u paguan aspak.

MINISTRAT ANKOHEN EDHE NË GJOBAT SIMBOLIKE

Përveç rastit të Plevlës, Ministria e Administratës Publike anuloi, por pjesërisht, vendimin e Inspektoratit Administrativ pas ankesës së ministrit të Transportit dhe Çështjeve Detare, Osman Nurkoviq.

Inspektorati, që prej mesit të vitit 2016, i vuri në dukje ministrit të atëhershëm të Transportit dhe Çështjeve Detare, Ivan Brajoviq, për parregullsitë në shkarkimin e Mlladen Luçiqit, të afërt me  Partinë Socialdemokrate (SDP), nga detyra e drejtorit të Portit dhe plotësimin e atij vendi sipas konkursit publik.

Në vendin e Lluçiqit, atëherë erdhi Vlladimir Stjepçeviq (Socialdemokratët), për të cilin Inspektorati gjeti se atij iu dha vendimi për emërim,  katër ditë pas seancës së Qeverisë, duke mos pritur për seancën e ardhshme dhe verifikimin e procesverbalit të mëparshëm. Pra, ai filloi të kryej detyrat e drejtorit të Portit “para se vendimi të bëhet i zbatueshëm”.

Pasi që Ministria e Transportit dhe Çështjeve Detare nuk informoi për masat dhe veprimet e ndërmarra për të eliminuar parregullsitë, inspektorati e ndëshkoi këtë departamentin me 500 euro, dhe Brajoviqin me 50 euro. Për shkak të mosekzekutimit të masave nga viti 2016, inspektorati administrativ përsëri shqiptoi gjoba në të hodha në shtator të vitit 2017, kësaj radhe ministrit të sapozgjedhur Osman Nurkoviq dhe përsëri Ministrisë së Transportit dhe Çështjeve Detare. Ato u dënuan me 100, respektivisht 1000 euro.

Nurkoviqi iu ankua Ministrisë së Administratës Publike me pretendimin se inspektorati mund të kishte ndikuar ndryshe në eliminimin e parregullsive, megjithëse, sipas qëndrimit të kësaj Ministrie, as që ka pasur parregullsi. Ai gjithashtu deklaroi se në kohën e miratimit të vendimit në vitin 2016, ai nuk ishte ministër dhe se mund të aplikohej një masë më e butë dhe minimale.

Nurkoviq vuri në dukje se inspektorati nuk përdori gjobën minimale prej 50 euro për persona fizik dhe 500 euro për persona juridik, “por minimumin e përcaktuar me ligj e dyfishoj, edhe pse Osman Nurkoviq nuk ishte dënuar deri më tani”.

Ministria e Administratës Publike, duke vendosur lidhur me ankesën, anuloi pjesërisht vendimin e Inspektoratit Administrativ në shumën prej 100 euro gjobë, e cila ishte vendosur ndaj Nurkoviqit.

Nga Inspektorati Administrativ thanë se në shqyrtimin e përsëritur, ia reduktuan dënimin Nurkoviqit në vlerën 50 euro.

I DYSHIMTË ISHTE EDHE PUNËSIMI NË ROZHAJË 

Inspektorati Administrativ në vitin 2016 gjeti parregullsi në shërbimet e Policisë Komunale në Komunën e Rozhajës. Në atë kohë, ndër të tjera, u konstatua se me vendim nga kryeshefi, pesë inspektorë, policë dhe kujdestarë komunal ishin të punësuar në periudhë të pacaktuar, pa kryer paraprakisht procedurën për lidhjen e marrëdhënies së punës në bazë të shpalljes publike. Disa prej tyre e apeluan vendimin në Ministrinë e Administratës Publike, por ky departament refuzoi apelin e tyre në fund të vitit të kaluar.

CIN-CG më herët njoftoi se Komuna e Rozhajës prej vitit 2014-2017, punësoi 189 individë, pavarësisht se kishin nënshkruar një kontratë për riprogramimin e borxhit tatimor dhe se pagat vonojnë gati gjysmë viti.

Ky artikull u krijua në kuadër të projektit “Shoqëria Civile për Qeverisjen e Mirë: SHËRBIM DHE MERITË!” të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të programit të përkrahjes së zhvillimit të organizatave lokale të shoqërisë civile dhe Fondit Ballkanik për Demokraci (BTD), projekt i Fondit Marshall Gjerman (GMF). Përmbajtja e këtij raporti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e donatorëve.Horizonti i ri, Novi horizont, Projekat, Projekti

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top