Puna të preferuarve, te tjerët mund të ankohen
Njerëzit me fakultet, më kot konkurrojnë per një vend pune në administratën publike: Disa kanë konkurruar edhe nga tridhjetë herë e nuk kanë mundur të punësohen as si magazinierë.
Personi R.V. nga Podgorica, pavarësisht faktit se ka perfunduar studimet themelore dhe te specializuara, me vite nuk ka mundur të gjejë punë në administratën publike, për të cilën nevojitet vetëm shkolla e mesme.
Për disa vite me radhë ka aplikuar më shumë se 30 here në organet shtetërore dhe të drejtën e tij është munduar ta gjejë ne gjykatë, por pa sukses. Megjithate, kjo gjë nuk i ka ndihmuar që te gjejë punë.
R.V kishte vërejtje ndaj Drejtorisë për Burimeve Njerezore, ku sipas tij testimi ka qenë i padrejtë dhe ka vënë re parregullsi të cilat më vonë i ka raportuar me ankesa dhe padi. Megjithatë, Drejtoria pohon për Qendrën për Gazetari Investigative në Mal të Zi (CIN-CG) se e gjithë puna bëhet sipas procedurave të përcaktuara në mënyre rigoroze.
Pasi R.V. i është refuzuar puna e magazinierit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ai është ankuar në Komisionin për Ankesa. Ndër te tjera në ankesën e tij ka shënuar se në testet e shkruara dhe praktike që iu janë shpërndarë kandidatëve, ka pasur te ngjitur ’stikerë’ me emrat dhe mbiemrat e kandidatëve.
“Shënimi i testit mundëson qe dikush më përpara mund ta plotësojë testin e kandidatit. Pastaj, regjistrimi i shifrës së testit bashkë me emrin dhe mbiemrin që e shënon kandidati dhe e futë në zarf, nuk ka asnjë kuptim sepse abuzimi mund të ndodhë përpara se kandidati merr testin”, paraqiti R.V. në ankesën e tij.
Komisioni e ka refuzuar kërkesën e kandidatit, por Gjykata Administrative në vitin 2014 e ka kontestuar këtë vendimi. Rasti është kthyer për rigjykim. Megjithatë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka konfirmuar edhe një herë zgjedhjen e mëhershme te kandidateve, pas së cilës R.V. përsëri i drejtohet Komisionit për Ankesa.
Ai edhe një herë tregoi për ngjitjen e paligjshme të ‘stikerëve’ në teste, mosvlerësimin e dokumenteve që kishte bashkangjitura në konkurs, por edhe në atë që nuk është vërtetuar gjendja faktike në testimin e njohurive kompjuterike. Komisioni përsëri ka refuzuar ankesën e tij. Tani edhe Gjykata Administrative ka hedhur poshtë padinë e tij. Ai më pas u ankua në Gjykatën Supreme, e cila miratoi kërkesën për një shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të Gjykatës Administrative. Por, as kjo nuk bëri shumë punë – në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Gjykata Administrative hodhi poshtë ankesën e R.V. Ai vazhdon të kryejë punë private deri në 12 orë në ditë, që të mund të ushqejë familjen e tij. Ai tani ka afër 40 vjet dhe shpresa që të gjejë një punë të denjë është çdo herë e më e vogël.
“Unë do të vazhdojë të konkurrojë, të kërkojë drejtësi dhe të ankohem, ndoshta ato do të lodhen nga unë“.
Ekonomisti N.V tash disa vitesh nuk mund të punësohet në profesionin e tij dhe është i detyruar të punojë si taksist.
Ai e ka dërguar CV-në e tij në shumë adresa pasi pas përfundimit të aftësimit profesional në një kompani shtetërore ka mbetur pa punë. Bashkëbiseduesi pohon se kërkimi i një pune shtetërore është një përvojë e hidhur. Një herë ishte i renditur i pari ne organin shtetëror, por udhëheqësi zgjodhi kandidatin që kishte me pak pike se ai.
‘E pyeta dhe më tha se ashtu kërkohet me ligj. Çfarë më mbetet mua? Ndoshta është dashur të gjejë një lidhje për punë, sepse mesatarja e mirë nuk do të thotë më asgjë”.
Përmes web-faqes “Moja uprava” (Administrata ime) të Institutit Alternativa (IA), deri tani janë paraqitur rreth 30 denoncime për probleme të lidhura me punësimin në organet e administratës publike.
Nga IA raportohet se “Arsyet e denoncimeve janë të ndryshme, por në përgjithësi bëhet fjalë për parregullsi gjatë verifikimit të aftësive, moszgjedhjen e më të mirëve – kandidatëve te parë në listë, por edhe për abuzimin me kontratat në afat të caktuar dhe me kontratat për punë te përkohshme”.
Nga kjo organizatë joqeveritare ka kohë që tregojnë për boshllëqet juridike gjatë testimit të kandidateve, duke filluar nga parregullsitë në përbërjen dhe formimin e komisionit për verifikimin e aftësive, e deri te futja e të ashtuquajturit vlerësim psikologjik të kandidatëve.
Problemi qëndron në faktin se ligji nuk përcakton se çfarë janë kërkesat që duhet të përmbushin ekspertet në komisionin për verifikimin e aftësive, gjithashtu nuk është i specifikuar as roli i përfaqësuesit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe organeve shtetërore.
“Instituti Alternativa ka kërkuar nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore vendimet për përzgjedhjen e eksperteve për verifikimin e aftësive. Megjithatë, ne nuk i kemi marrë këto vendime sepse nuk kanë ekzistuar, që do të thotë se procedura e formimit të komisionit për verifikimin e aftësive është e diskutueshme dhe lë hapësirë për manovrim të dëmshëm”, theksohet nga kjo OJQ.
IA argumenton se ka edhe lëshime të tjera në lidhje me verifikimin e aftësive, të cilat pasqyrohen në mospërputhje të vlerësimeve të kritereve të caktuara, siç është përvoja e punës dhe aftësimi profesional.
“Këto kritere, edhe pse do duhej të ishin tregues objektivë të aftësisë së një kandidati, përfundojnë me vlerësim të lirë e subjektiv të komisionit”, theksojnë nga kjo OJQ.
Sipas raportit të fundit të punës të Komisionit për Ankesa, ky organ gjatë vitit 2015 ka shqyrtuar 839 lëndë. Nga ky numër, 770 kanë qenë ankesa të kandidatëve, ndërsa 69 lëndë kanë qenë vendime të Gjykatës Administrative.
Të dhënat tregojnë se sipas padive ndaj vendimeve të këtij komisioni gjatë vitit 2015, në Gjykatën Administrative ka pasur 342 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 242 raste.
Nga ky numër, për 165 lëndë ose 68,18%, Gjykata e ka rrëzuar padinë si të pa bazë; për dy lëndë padia është hedhur poshtë, ndërsa për 6 lëndë procedura është ndërprerë. Për 69 lëndë Gjykata ka anuluar vendimet e Komisionit për Ankesa.
Autore: Ana Komatina
Të hiqet vlerësimi psikologjikë i kandidatëve, procedurën e bëjnë të pakuptimtë figurat politike
Vlerësimi psikologjikë i kandidatëve mund të jetë hapësirë për manipulim. Në Institutin Alternativa konsiderojnë se kjo praktikë do duhej të hiqej gjatë testimit, pasi ky mekanizëm është vënë me dekret të Qeverisë. IA propozon që në vend të këtij mekanizmi, tiparet e caktuara të kandidatëve të vlerësohen në një mënyrë tjetër. Për shembull, ashtu që psikologët të angazhohen si anëtarë të përhershëm të komisioneve për verifikimin e aftësive.
“Megjithatë, kjo procedurë e mangët e verifikimit të aftësive, është bërë edhe më e pakuptimtë duke iu dhënë mundësinë figurave politike në krye të ministrive dhe institucioneve tjera, që të mos zgjedhin kandidatët më të mirë dhe atë pas intervistës me gojë e cila nuk është aspak e rregulluar”, thekson Milena Milosheviq, përfaqësuese e Institutit Alternativa.
Ajo konsideron se Drejtoria e Burimeve Njerëzore duhet të jetë e përfshirë në mënyrë më aktive në procesin e monitorimit dhe përmirësimit të politikave të punësimit në organet shtetërore.
Edhe pastrueset është dashur të dinë kush e miraton buxhetin e komunës
Para tre vitesh Radmilla Bojoviq nga Shavniku është refuzuar për vendin i punës si pastruese në Shërbimin zjarrfikës të Shavnikut, me arsyetimin se kandidatja tjetër ka më shumë përvojë pune. Ky nuk ka qenë një kusht i kërkuar në konkurs. Pas miratimit të ankesës, në prill te vitit 2014 Bojoviqja fiton një shans të ri për të njëjtin punë dhe në të njëjtin vend pune.
Ajo atëherë tregoi se si është tronditur nga pyetjet që nuk kanë pasur të bëjnë aspak me punën e pastrueses.
„Më kanë pyetur se çfarë e përbën komunën, kush e përbën pushtetin legjislativ, kush e miraton buxhetin e komunës, pastaj edhe si pastrohet tapeti dhe banja; si hiqen pëlhurat e merimangës. me leckë apo me fshesë. Unë jam krejtësisht e hutuar“, deklaroi Radmilla për TV Vijesti. Ajo tregoi se si pas testit me shkrim ka vijuar një intervistë, gjatë së cilës është dashur tu përgjigjet pyetjeve se si pastrohet pluhuri nga tryeza dhe se a merret pastruesja ndërrimin e bravës së derës ose xhamit.
Nga komisioni komunal përkatës pohuan se kanë vepruar ashtu siç iu është sugjeruar nga Ministria e Brendshme, si organi kompetent për dhënien e mendimit.