Thursday , March 23 2017
Lajmi i fundit

Robert Ivezaj: ANATOMIA POLITIKE E MALËSISË PARA GËNJESHTRËS SË RADHËS

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit lokal të Komunës urbane të Tuzit, të mbajtur më 10.09.2013, me votat e përfaqësuesve të opozitës (IQ-së, ASh-së, LDMZ-së dhe Listës për Tuz) së bashku me UDSH-në, e cila është pjesë e mazhorancës, u votua propozimi i IQ-së, që të ndërpritet kontrata me kompaninë “Investment and Consulting doo” e cila punojë elaboratin për arsyetshmerinë e Komunës së ardhme së Malësisë. Në fakt, elaborati i punuar nga ata, tregon të kundërtën. Gjoja se Malësia nuk është në gjendje ekonomike të mbijetoj pa Podgoricën.

Sipas opozitës, fakti që kompania në fjalë nuk respektoi afatin kohor të përfundimit të elaboratit, ishte ajo vet që theu marrëveshjen, dhe se kryetari i KU Tuz, Fran Lulgjuraj (DPS), si nënshkrues i kontratës, ishte i detyruar të nënshkruaj ndërprerjen e kontratës, dhe jo të pres që për të, gjoja të vendosin shumica në Kuvend.

Ishte edhe vet kryetari i KU Tuz, Fran Lulgjuraj, njëkohësisht dhe kryetari i komisionit për përpilimin e elaboratit, i cili shprehi pakënaqësi ndaj punës që bëri kompania në fjalë. Ata (Investment and Consulting) edhe pas reagimit të komisionit dhe propozimeve të tyre në lidhje me elaboratin, nuk morën për bazë vërejtjet dhe propozimet. Megjithatë, Lulgjuraj, nuk mori përgjegjësinë mbi vete që kontratën ta ndërpriste, por atë e kaloj në votimin e Kuvendit.
Ishte edhe Halil Dukoviq, kryetari i klubit të DPS-së në Kuvendin e KU Tuz, i cili shprehi pakënaqësi ndaj elaboratit dhe u shpreh i gatshëm të pranojnë përpilimin e një elaborati të përbashkët ku do të merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit në KU Tuz. Mirëpo, kur u votua për ndërprerjen e kontratës me kompaninë në fjalë, Dukoviq me kolegët e tij partiak, votuan kundër!
Sjellja e tille është tregues i mungesës së përgjegjësisë ndaj votuesve të vet dhe një gënjeshtër e radhës për të cilën padronët e tyre në Podgoricë premtuan se referendumi do të zhvillohet deri në fund të këtij muaji. Të qenunit e tillë politik është padyshim tregues i qartë dyfytyrësisë dhe servilizmit ndaj Podgoricës. Votat i morën me gënjeshtra dhe vazhdojnë të gënjejnë pa kurrfarë turpi. Votuesit i trajtojnë vetëm si letra votuese të cilat pasi futen në kutia dhe numërohen, ato hedhën në kosh të plehrave me gjithë votues. Natyrisht, kështu nuk veprohet me te gjithë votues, përpos ata votues me libreza partiake përfitojnë vende pune. Përfituesit e vendit te punës nuk është e rëndësishme se çka punojnë, por e rëndësishme është të perfeksionojnë dhe të ushtrojnë nënshtrimin deri në patundshmëri ndaj padronëve të Podgoricës dhe diskursit te tyre ideologjik duke u bërë servil të servilëve…
Parashtrohet pyetja çka të pritët më shumë nga Dukoviq (me shokë) i cili publikisht deklarohet si “shqiptarë” por i njëjti në mbledhje të Kuvendit në Tuz, kolegëve dhe qytetarëve ti tij u drejtohet vetëm në gjuhën serbe-malazeze.

Kryetari i KU Tuz, zyrtarisht njeriu i parë në Malësi, apo i pari në mes të “barabartëve” Fran Lulgjuraj, përpos problemeve të shumta që ka me vete dhe me tjerë, lexo me qytetarë të Malësisë, e këtu po i numëroj disa; mosha, stërngarkesa me problemin e nënshtrimit të tij fundbotshëm ndaj DPS-së dhe Podgoricës, problemi me kujtesën. Kësaj i shtohet edhe një, deklarata e tij se gazetat i rrisin tensionin, prandaj dhe refuzon ti lexoj. Kryetari nuk lexon bile as edhe gazeta. Si rrjedhojë e kësaj del se kemi një kryetarë të painformuar.
Si vazhdimësi e kësaj logjike Z. Lulgjuraj i plotëson të gjitha kushtet që edhe një herë të përfitojnë pension për arsye shëndetësore. Natyrisht, Podgoricës i nevojitën njerëz të tillë siç është ky, për të kryer të gjitha detyrat që qytetarët e Malësisë të mos emancipohen kurrë, por të rrëshqasin dhe të bëhen “pararojë” e apetiteve politike të Djukanovic-it, natyrisht kundër interesave të vetë Malësisë.

UDSH në krye me funksionarin e sajë për Malësi, njëkohësisht edhe kryetari i Kuvendit të KU Tuz, Fadil Kajoshaj, partner shumëvjeçar i DPS-it në nivelin qendror e tashmë edhe në nivelin lokal, ditët e fundit po tregon padëgjueshmëri ndaj DPS-së dhe qëllimeve të tyre. Është kjo vetëm një lojë politike apo vërtet më në fund janë zgjuar nga gjumi, do të vërtetohet shpejt. Nëse vërtet është ashtu, atëherë nga UDSH pritet që në periudhë sa më të shkurtë të shkëpusin koalicionin me DPS dhe Partinë boshnjake në Kuvendin e Tuzit dhe së bashku me subjektet shqiptare opozitarë të formojnë shumicën e re.

Malësia sot, në anën tjetër, nga subjektet e shumta opozitare shqiptare pret që të bashkohen në një subjekt apo së paku në një koalicion të gjerë. Të rifreskohen, të hapin derën për ndërrime dhe kuadro të reja. Sepse, interesi i qytetarëve të Malësisë përfundimisht duhet të jetë në vend të interesit personal dhe partiak. Prandaj suksesi i Malësisë është në duart tona; ky sukses fillon nga vetëdija nacionale dhe ndërgjegjja për të neutralizuar mospajtimet dhe inatet personale. Përfundimisht votuesi apo qytetari i Malësisë duhet tu “rikujtojë” se nuk ka mandat të përjetshëm të kryetarit dhe as deputet të përjetshëm.
Janë pikërisht subjektet shqiptare ato që për situatën e keqe të shqiptarëve, mbajnë pjesë të madhe të përgjegjësisë. Mbase partia më e madhe në pushtet (DPS), para të gjitha zgjedhjeve jep po të njëjtat premtime, të cilat pas zgjedhjeve asnjëherë nuk i realizon. Atyre premtimeve nuk u beson më askush, prandaj është momenti i fundit që shqiptarët të harmonizojnë qëndrimet e veta dhe të braktisin çdo koalicion me DPS-në deri në momentin që të realizojnë kërkesat tona që na janë premtuar e që na takojnë ne si popull autokton në këtë shtet.

Robert Ivezaj, politolog (Malësia.org)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top