Friday , November 24 2017
Lajmi i fundit

Rudina Xhunga: INTERVISTË ME HISTORIANIN NOEL MALCOLM


Rudina Xhunga: Sir Noel Malcolm, faleminderit për librin tuaj ‘Agjentë Perandorakë’. Na keni sjellë një thesar.

Nuk e di sesi të përgjigjem. Mendoj, shpresoj që kam sjellë diçka që është e pazakontë, për arsye se kur fillova këtë punë kërkimore nuk e dija se do të gjeja kaq shumë materiale, për një familje shqiptarësh në shekullin e 16. Shekulli i 16, sipas mendimit tim, është më pak i eksploruar, të paktën për historinë shqiptare. Ne të gjithë dimë për periudhën e Skënderbeut dhe janë bërë kërkime intensive për këtë fushë në atë periudhë. Po ashtu dimë shumë edhe për shekullin e 17, për arsye se kemi arkivat e kishës katolike në romë që na japin shumë detaje. Por për këtë periudhë, për shekullin e 16, është shumë çuditshme sa pak dimë për shqiptarët, individë të caktuar dhe për habinë time, kuptova se mund të gjeja shumë informacione për një familje të tërë, në fakt janë dy familje të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe që janë bërë si një familje më e madhe. Ajo që kuptova është se mund të jepja biografi shumë të hollësishme të 5, 6, 7 personave të cilët bënin gjëra të ndryshme, bënin gjëra interesante dhe të gjithë ishin shqiptarë. Në një farë mënyre, fakti që ata ishin shqiptarë, ishte kyç absolut për aktivitetet e tyre për arsye se ata ishin pikërisht në aspektin kufitar kulturor ndërmjet botës perëndimore dhe asaj osmane. Nuk di nëse është thesar, siç thoni ju, por në të ka shumë materiale që nuk njiheshin më parë.

Rudina Xhunga: Ju keni shkruar librin, “Kosova – Një histori e shkurtër”, i cili është një ndër librat më ndikues, thuhet se ndikoi edhe në ndryshimin e mendimit për Kosovën në qarqet diplomatike. Ky libër, ‘Agjentë Perandorakë’, kë do ndikojë, sipas jush?

Mendoj se për historianët perëndimorë një pjesë e ndikimit do të jetë që ata do fillojnë të mendojnë për elementin shqiptar në historinë evropiane të kësaj periudhe. Kjo për arsye se anëtarët e kësaj familje kishin aktivitete në të gjithë botën e Mesdheut, që nga Spanja e deri në Rumani, në Stamboll dhe një nga gjërat që përpiqem të bëj në këtë libër është që të integroj historinë e Shqipërisë ose historinë e shqiptarëve në historinë e Evropës. Ky libër nuk është se ka të bëjë shumë me historinë e territorit të Shqipërisë, por ka të bëjë me shqiptarët dhe ata kanë depërtuar kaq shumë në historinë e Evropës, në të dyja drejtimet, si në atë perëndimore, ashtu dhe në atë osmane. Kështu që disa nga gjërat që kam parë të shkruhen për librin kanë komentuar pikërisht për këtë gjë, për habinë e tyre sesi shqiptarët kanë luajtur një rol në historinë ushtarake të Italisë, Francës dhe të Austrisë, në historinë e diplomacisë ndërkombëtare, në historinë e kishës katolike sepse një nga personat e kësaj familjeje ka qenë një Arqipeshkv i rëndësishëm. Kështu që shpresoj që në këtë mënyrë libri do të ketë ndikimin e vetë në atë sesi do të shkruhet historia e përgjithshme për Evropën në këtë periudhë.

Robert Elsie: Noel, kur fillove punën e këtyre dy familjeve, Bruni dhe Bruti, a ishe në dijeni që projekti do të ishte kaq i gjerë apo rrugës kuptove që po bëhej i madh? Sepse rezultati është historia e Evropës për dy shekuj, pra një hapësirë kohore, gjeografike shumë e madhe.

Jo, nuk ia kisha fare idenë që kjo punë do të kthehej në një libër. Unë fillova vetëm me një gjë që gjeta. Kisha lexuar një libër italian për shekullin e 16 i cili i referohej një traktati për perandorinë osmane dhe autori shkruante: “Në rast se doni të lexoni më shumë për shqiptarët, duhet të lexoni për këtë traktat. Nga Antonio Bruni”, i cili është në fakt shqiptar. Në fakt u befasova kur e lexova, thashë qenka një traktat që qarkullon dhe ka qarkulluar në shekullin e 16, nga një autor shqiptar, për shqiptarët dhe pjesërisht për Shqipërinë. Mendova, nuk e kam parë gjëkundi të përmendur këtë gjë, por në rast se ekziston dhe në rast se unë e gjej, atëherë kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme, pra do të ishte teksti i parë i shkruar nga një shqiptar për shqiptarët. Kështu që dola, të themi, për gjueti për më shumë se 15 vjet që ta gjeja, dhe më në fund e gjeta. Është shumë i shkurtër, por mendova se është një gjë shumë interesante dhe thashë ta botoja në një nga këto revistat shkencore akademike. Meqenëse kisha nevojë për pak punë,  për shembull informacione rreth autorit, kush ishte ai, që ta përdorja si hyrje,  fillova të bëja kërkim për të dhe familjen e tij. Atëherë dija vetëm dy gjëra: emrin e tij dhe fakti që ishte nga Ulqini. Kështu filloi e gjitha. Hapi i parë çoi tek i dyti, derisa zbulova kush ishte i ati, xhaxhai, një xhaxha tjetër, kushërinjtë e tjerë dhe në fakt m’u duk shumë shqiptare në vetvete, deri në momentin që kisha aq shumë informacione sa thashë se duhej të bëja një libër të gjatë. Por kjo kërkonte punë tjetër,  sepse m’u desh të plotësoja boshllëqe të caktuara në njohuritë e mia dhe që të dija më shumë për aktivitetet e secilit, më duhej të shkoja në vendet ku kishin ndodhur ato gjëra dhe të kërkoja nëpër arkiva për fakte të ndryshme. Prandaj edhe u bë një punë kaq e madhe. Këta shqiptarë më çuan gjithandej, në Spanjë, Austri, Poloni, Dubrovnik dhe kjo  u bë puna e jetës sime, gjë që nuk e dija në fillim, kur e nisa.

Bejtullah Destani: Sa ka qenë impakti i kohës në historinë evropiane, sidomos nën ndikimi e Italisë, kontributi i shqiptarëve në veçanti. Dhe një pyetje tjetër. A mund të jetë Carla Bruni, nga familja shqiptare Bruni?

Pyetja ka të bëjë me ndikimin e shqiptarëve në rilindjen italiane. Është vështirë të jepet një përgjigje e përgjithshme për këtë. Natyrisht që ka pasur një marrëdhënie të afërt ndërmjet tokave italiane, ka pasur një emigrim të madh nga koha e Skënderbeut dhe betejave të tij kundër osmanëve dhe migrimi më i madh ka qenë në jug të Italisë, por edhe para kësaj kohe ka pasur kontakte me Venedikun dhe nga qytete veriore, si Shkodra, shumë njerëz kanë shkuar në Venedikun e atëhershëm. Kështu që komuniteti shqiptar në Venedik, apo në Venecian e sotme, ka qenë shumë aktiv dhe ata nuk kanë qenë fshatarë që vinin nga fshatrat apo zonat rurale, por kanë qenë tregtarë, artizanë të cilët vinin nga qytetet e veriut të Shqipërisë dhe kështu ata mund të luanin një rol tejet aktiv në jetën tregtare të qytetit, por edhe jetën intelektuale dhe artistike të Venedikut. Ka edhe familje të tjera në pjesë të tjera të Italisë, disa nga familjet fisnike të cilat kishin luftuar me Skënderbeun, për shembull arianitasit, të cilët morën edhe statusin fisnik në Itali. Kështu që ka qenë një prani e dukshme e shqiptarëve në shoqërinë italiane në atë periudhë. Prandaj mendoj nga të gjithë elementët e huaj të pranishme në shoqërinë italiane asokohe, shqiptarët ishin nga më të dukshmit dhe të nderuarit.

Ndërsa për Carla Brunin; ku i dihet se kush janë paraardhësit e shumë italianëve, në fakt. Ne dimë që ka shumë familje arbëreshe të cilat u integruan plotësisht në familjet dhe në jetën italiane. Por më duhet të them që mbiemri Bruni është shumë i përhapur në historinë e Italisë dhe në kulturën italiane.

Dorian Koçi: Si mendoni, sa e rëndësishme ka qenë vetëdija e këtyre personazheve historikë që kanë kontribuar kaq shumë në historinë e Evropës, vetëdija etnike dhe sa mendoni se ka kontribuar dy shekuj më vonë kur Shqipëria filloi të kishte projektin e vetë kombëtar për t’u ringjallur.

Është një pyetje vërtetë interesante. Unë shpesh kam menduar se këta njerëz që i shpjegoj në librin tim se çfarë lloj ndërgjegjësimi kishin ata në vetvete për çfarë do të thoshte të ishe shqiptar dhe nuk ka dyshim që kjo ka qenë pjesa qendrore e identitetit të tyre dhe ata u referohen dokumenteve si albanesi ose në latinisht epirote, kështu që nuk ka pasur pikë dyshimi kurrë që këta janë shqiptarë. Natyrisht që emri është përdorur pak ndryshe në kuptimin gjeografik. Ata kanë qenë nga Ulqini i cili ka qenë në Shqipërinë e ashtuquajtur të Venedikut, por pika kyçe është se ata kishin gjuhën shqipe si gjuhën e tyre amtare. Kështu që ata e quajnë veten shqiptare dhe nuk është diçka që e fshehin, aspak. Ata vijnë nga një kulturë venedikase italiane, ata vijnë nga një familje fisnike me standarde të qytetit të Ulqinit dhe kjo do të thotë se ata kanë 100% kulturë italiane, janë anëtarë të kishës katolike, kanë mësuar latinisht në shkollë, por asnjëherë nuk bëjnë sikur janë kthyer në italianë dhe janë bërë italianë, por gjithmonë kanë mbetur shqiptarë. Të gjitha dokumentet që kam parë, duke përfshirë dokumentet osmane, të cilat i referohen edhe anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, ata janë gjithmonë arnautë, arnautllarë dhe mendoj se kjo është e rëndësishme. Kjo do të thotë që në të dyja anët ka pasur një ndjesi se ka pasur diçka të veçantë kjo popullsi relativisht e vogël e cila ndodhej në kufi të këtyre botëve të ndryshme dhe vlera e tyre nga të dyja anët vinte pikërisht nga ky fakt, nga fakti që ata mund të ishin amfibë dhe kjo është arsyeja pse shpesh janë përdorur në veçanti nga Venediku dhe nga Papa, nga Mbreti i Spanjës. Për shembull, është një moment i mrekullueshëm në fund të librit ku unë shpjegoj luftën midis Habsburgëve dhe Osmanëve dhe kryekomandanti në anën e Habsburgëve është në fakt shqiptar, Giorgio Basta, nga jugu i Italisë, nga një familje arbëreshe, një komandant i shkëlqyer dhe ekuivalenti i tij kundërshtar, kryekomandanti osmanëve është po ashtu shqiptar. Kjo jep një ide të asaj sesa aktivë kanë qenë shqiptarët në të dyja drejtimet, ndaj mendoj se ka qenë e rëndësishme për ndërgjegjësimin e tyre kjo gjë dhe bota e jashtme ka krijuar një ide të veçantë për rëndësinë e tyre në historinë e përgjithshme.


Rigels Lenja, student: Çfarë ju ka shtyrë në fillimet tuaja për të studjuar dhe njohur çështjen shqiptare, më shumë sesa çështjen e kombeve të tjera të Ballkanit?

Më duhet të them, në fakt, që fillova të studioj për popujt e tjerë të Ballkanit. Kur isha student në Kembrixh studiova gjuhët e Ballkanit dhe udhëtova shumë nëpër Ballkan. Fillova të studioja historinë dhe kulturën e popujve të këtij rajoni, por fillova me greqishten moderne, pastaj me rumanishten, serbo-kroatishten, turqishten dhe më duhet të them që e fundit fare ishte shqipja, por kjo ndodhi për arsye se ishte e vështirë sepse nuk mund të vija ta vizitoja si turist Shqipërinë dhe kur shkova në Kosovë ishte e lehtë të flisje serbo-kroatisht. Por në fund fare mendova se më mungonte diçka e rëndësishme këtu, një boshllëk në hartën time mendore të Ballkanit, kështu që fillova të mësoja gjuhën shqipe. Për arsye të ndryshme, kjo u bë pastaj në interesin tim dominant për Ballkanin, pjesërisht për arsyen e luftës në Kosovë të cilës i kushtova shumë vëmendje dhe energji. Pjesërisht është për arsye sepse historianët e huaj e kanë neglizhuar Shqipërinë. Ata kanë shkruar shumë, për shembull, për vendet sllave, kanë shkruar shumë për Greqinë, Rumaninë, por e kanë injoruar Shqipërinë, kështu që disa arsye për këtë janë të qarta dhe të dukshme: nuk e njihnin gjuhën dhe nuk kanë pasur një sërë materialesh të cilat të mund t’i lexonin në gjuhë të huaja, që t’i studionin. Natyrisht që shqiptarët filluan ta gjeneronin historiografinë e tyre më vonë sesa vendet e tjera ballkanike. Në një kohë kur Beogradi kishte Universitetin e vet në fund të shekullit të 19, shqiptarët ishin me fat po të kishin shkolla fillore. Prandaj, mendimi im ishte që kjo ishte një fushë ku ishte më e vlefshme që të studioja dhe ndoshta me më shumë mundësi për të gjetur materiale të reja e për të thënë gjëra të reja të cilat mund të ishin domethënëse.

Shkëlzen Maliqi: Kam një pyetje për një interesim qendror për Noel që nuk është vetëm historian, por edhe filozof dhe kryevepra e tij është për Hobbes-in, një libër me 4 mijë faqe, që është një studim madhështor. Pyetja ime është si keni arritur t’i dyzoni këto dy veprimtari, të punoni vazhdimisht për Hobbes-in dhe vepra të tjera historike. Pra çfarë energjish dhe vëmendje nevojiten për të punuar në disa fusha dhe si kombinohen  këto?

Libri për Hobbes-in është vetëm 2 mijë faqe në fakt, por më janë dashur reth 20 vite punë për të. Në fakt interesi im kryesor akademik është Hobbes-i dhe historia e filozofisë, historia intelektuale e asaj periudhe, e shekullit të 17, jo vetëm angleze, por edhe evropiane dhe doktoratura ime ka qenë për Hobbes-in. Më pas, publikova disa studime të tjera, po mbi Hobbes-in, dhe dikur do të arrij të publikoj një biografi të tij. Hobbes-i është jashtëzakonisht interesant, është një mendimtar shumë origjinal. Unë kam menduar për të pothuajse gjatë gjithë jetës sime si i rritur dhe kurrë nuk jam mërzitur nga kjo gjë dhe kjo është e rëndësishme për një akademik. Shumë akademikë mërziten pas nja 20 vitesh kohë me temën për të cilën kanë studiuar, ndërsa unë kurrë nuk e kam pasur këtë problem me Hobbes-in. Megjithatë më pëlqen të kem variacione në punën time, të kem interesa të tjera dhe të ndryshoj herë pas here dhe kam dëshirë të bëj gjëra të reja. T’ju them të vërtetën, nuk është se kisha planifikuar ndonjëherë të shkruaja libra për historinë e Ballkanit, ishte një interes personal i imi, por kur mësova atë gjuhë, si student, kjo nuk është se ishte pjesë e studimeve të mia zyrtare, ishte thjesht interesi apo entuziazmi im privat. Libri i parë që shkrova për Ballkanin ka pasur lidhje me punën time akademike dhe ishte rastësi. Më pas shkrova një libër tjetër për një kompozitor rumun, edhe kjo u bë nga interesi im personal. Ndërsa librin për Bosnjën e bëra vetëm për arsye të luftës, doja të kisha një farë influence në debatin e politikave që po bëhej në perëndim, i cili ishte aq keq i informuar në atë kohë. Ndërkohë që po shkruaja atë libër, fillova të mendoj se duhej të shkruaja një libër të tillë edhe për Kosovën sepse m’u duk një problem i përafërt, një konflikt modern politik ku politikanët kanë bërë pretendimet e tyre historike dhe shumica e këtyre pretendimeve që vinin nga Beogradi kanë qenë false dhe për këtë arsye mendova se duhej të shkruaja një histori për Kosovën. Pra ishte një aktivitet sekondar nga puna ime kryesore akademike, e cila gjithnjë ka qenë historia e filozofisë.

Kastriot Myftiu, përkthyes i librit: Profesor, cilat kanë qenë pikat kulmore në karrierën e këtyre shqiptarëve  që tregoni në libër, në shekullin e 16?

Do ju jap pak përzgjedhje të momenteve interesante në jetën e këtyre individëve. Gaspero Bruni ishte kapiteni i një anije të madhe të flotës papale në betejën e Lepantit që ishte edhe beteja më e rëndësishme detare e kësaj periudhe në Mesdhe. Ky ishte një rol shumë i rëndësishëm dhe kur shikon çdo libër standard për historinë e kësaj beteje, dhe ka rreth 20 libra për këtë betejë, askush nuk e përmend këtë kapiten i cili ishte shqiptar. Vëllai i tij, Giovanni Bruni, kryepeshkopi i Tivarit, në Kuvendin e Trentit, i cili ishte edhe momenti thelbësor për kishën moderne katolike, ku ranë dakord për teologjinë që ka qeverisur kishën deri në ditët e sotme, ai ishte një nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm dhe më të lartit të debatit dhe askush nuk e mbante mend që ai ishte shqiptar sepse në dokumentet zyrtar një klerik budalla kishte shkruar grekos. Dhe Bartolomeo Bruti, i cili ishte nipi i tyre në anën Bruti, ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme. Ai shkoi në Stamboll, u trajnua për pak kohë si dragoman, pra si përkthyes gojor në Ambasadën e Venedikut, dhe pastaj u bë pjesë e rrjetit të nëndheshëm të inteligjencës spanjolle, pra u bë spiun. Më vonë iu dha një rol diplomatik në një mision tejet delikat, ai u kthye në Stamboll për këtë dhe më pas ka një projekt komplet tjetër ky zotëri për të organizuar caktimin e princit të ri të Moldavisë. Është i suksesshëm në këtë rol, princi i është mirënjohës dhe ai ia doli edhe  sepse kushëriri i tij është Sinan Pasha, veziri i madh i Perandorisë osmane. Pra ai shkon në Moldavi dhe bëhet ministri kryesor dhe komandant i ushtrisë së Moldavisë, të një vendi të madh brenda perandorisë osmane. Të gjitha këto gjëra ndodhën kur ai ishte akoma në të 20-tat e veta, pra akoma nuk kishte mbushur 30 vjeç. Këto janë vetëm 3 shembuj nga persona të së njëjtës familje të cilët bëjnë gjëra tërësisht të ndryshme dhe secili prej tyre në nivele të rëndësishme.

Falma Fshazi: Ndërkohë që ju njihni historinë shqiptare, njihni po aq mirë edhe historiografinë e cila, sidomos pas viteve 1990-1991, ka një rirefleksion se si shkruhet historia. Për gjendjen e historiografisë shqiptare sot dhe shkrimit të historisë mbi shqiptarët dhe shqiptarëve, doja t’ju pyesja dhe të merrja mendimin tuaj.

Siç e thashë edhe më parë, mendoj që ka shumë mundësi në historinë shqiptare për të gjetur gjëra të reja dhe për të bërë interpretime të reja. Është shumë e rëndësishme që të ketë një brez të ri historianësh që duhet të dalin në pah me anë të ideve dhe qasjeve të reja. Mendoj që kjo është pozitive. Për mua, e vetmja gjë thelbësore në shkrimin e historisë është të dish faktet dhe faktet ekzistojnë kryesisht në arkiva dhe duhen aftësitë për t’i lexuar këto dokumente, për të kuptuar kontekstin në të cilin janë shkruar dhe kjo është absolutisht thelbësore. Është gjithmonë më e lehtë të fillosh qysh në krye me një teori, por kjo është njëlloj sikur arkitekti të fillojë të parën ndërtimin e çatisë. Nuk funksionon ashtu. Duhet të fillosh me themelet e të ndërtosh pastaj në bazë të tyre. Kështu që ndonjëherë, kur shkoj në librari në Tiranë dhe shoh librat e historisë, ka shumë libra të cilët janë publikuar tani thjesht duke u bazuar në dokumente të arkivave të huaja. Ndoshta disa mendojnë që kjo është e mërzitshme ose shumë mekanike, të riprodhosh dokumente, por në fakt kjo është gjëja më e rëndësishme, duhet të fillosh nga faktet dhe personat që i interpretojnë, është faza e dytë. E di që ka një oqean dokumentesh në arkivat e Stambollit, për shembull, të cilat unë vetë nuk mund t’i depërtoj sepse di pak turqishten moderne, por kurrë nuk mësova të lexoja dorëshkrimet osmane me shkrimin arab. Mendoj se për sa kohë ka një brez të ri historianësh të cilët bëjnë punë serioze në arkiva dhe që pastaj i bazojnë interpretimet e tyre, jo në ideologji, jo në politikën e tanishme, madje as në traditat romantike që i kanë mësuar në librat e mëparshme, por thjesht të bazuara në fakte dhe çfarë thonë ato fakte. Kjo besoj është gjëja më e rëndësishme.


Valentina Duka: Meqenëse keni zbritur në shekullin e 16, ndërsa i bëtë analizën këtyre dy familjeve shqiptare, dua të di si ju duk Shqipëria e shekullit të 16, afër perëndimit apo afër lindjes. Dhe e dyta, nëpërmjet këtyre dy familjeve, sa e keni ndjerë presionin e Stambollit për islamizimin e popullsisë shqiptare?

Siç e thashë, libri im ka të bëjë me shqiptarët dhe jo aq shumë me Shqipërinë, territorin. Kështu që në libër flas pak për kushtet në Shkodër apo në Durrës dhe pak, në fillim të librit, se çfarë ka ndodhur në periudhën pas Skënderbeut. Por nuk do ta prezantoja veten si ekspert për të gjithë kushtet e brendshme të Shqipërisë në këtë periudhë. Pyetja juaj për lindjen dhe perëndimin e kam të vështirë t’i përgjigjem sepse varet se për cilat pjesë të Shqipëri po flasim për atë periudhë. Natyrisht që rrjeti i qyteteve tregtare të cilat ishin të përqendruara në veri, Shkodër, Durrës, Lezhë dhe natyrisht Ulqini, ka qenë shumë më tepër e orientuar drejt tregtisë me Italinë, Venedikut dhe Dubrovnikun . madje edhe pas pushtimit të osmanëve këto lidhje kanë vazhduar për arsye se tregtia ka qenë një aktivitet thelbësor në ato vende. Vlora është po ashtu një qendër e madhe tregtare kështu që dhe ajo ka pasur këto lidhje të forta. Por brenda përbrenda, jashtë bregdetit, kushtet janë të ndryshme. Mendimi im është që perandoria osmane në këtë periudhë është një makineri shumë efikase për të bërë disa gjëra të cilat ishin bazë, për shembull, mbledhja e taksave, apo çunat e rinj që mblidheshin si jeniçerë, por perandoria osmane nuk kishte shumë interes për të ndryshuar jetën e qytetarëve të zakonshëm. Ajo merrte paratë, djemtë e rinj, kontrollonte qytetet, rrugët, por krahasuar me disa gjëra të tjera në historinë perandorake, është në fakt një formë e lehtë e qeverisjes perandorake për arsye, mendoj unë, se Shqipëria nuk ka qenë aq e rëndësishme ekonomikisht për ta në krahasim me disa pjesë të tjera të perandorisë së tyre. Prandaj mendoj se procesi i osmanizimit ose islamizimit është relativisht gradual dhe siç e dini islamizimi nuk është një politikë e detyrueshme, por një gjë që inkurajohet në forma të ndryshme, pra është një proces vullnetar për pothuajse çdo individ. Siç e thashë, ju jeni shumë më tepër eksperte për punët e brendshme të vendit, sesa unë. Megjithatë mendoj se shqiptarët kalojnë një sërë kushtesh apo lidhjesh me të dyja drejtimet, si me lindjen ashtu edhe me perëndimin.

Ilir Kalemaj: Pyetja ime ka të bëjë me një dilemë apo me një koncept që ju e thoni qysh në fillim të librit, në lidhje me ata që ju i quani amfibë kulturorë dhe këtu kam parasysh identitetet e shumëfishta, identiteti lokal, politik, etnik dhe kulturor, sesi këto mbivendosen me njëra-tjetrën apo sesi kanë qenë komplementare. Ndër të tjera, ju përmendni në libër mercenarë shqiptarë që kanë luftuar në të dyja anët. Pra, megjithëse kishim të bënim me një perandori, brenda saj ravizoheshin identitete të qarta etnike dhe nuk e di sesi kjo ishte komplementare apo kundërshtuese ndaj identitetit shtetëror.

Është në fakt një çështje vërtetë shumë interesante kjo dhe ka pasur pak kërkime nga historianët e perandorisë osmane për këtë periudhë, për këtë pyetje apo çështje që ka të bëjë me grupime kuazinacionale të cilat janë ndërtuar brenda strukturës së perandorisë osmane dhe administratës së saj. Siç e përmenda, mbledhja e djemve kryesisht nga familjet e krishtera në Ballkan, në veçanti shqiptarë dhe sllavë, të cilët merreshin dhe çoheshin në Stamboll, ndaheshin nga familjet e tyre dhe më pas konvertoheshin në islam, e kishin të detyrueshme të bëheshin myslimanë, trajnoheshin që të bëheshin jeniçerë, por edhe që të bëheshin zyrtarë të lartë në administratë. Kështu që është kjo situatë e jashtëzakonshme, ku një administratë e fuqishme perandorake është plotësisht e dominuar nga njerëz të cilët janë pikërisht subjekt të kësaj perandorie, të nënshtruarit e kësaj perandorie. Pra, imagjinoni sikur perandoria britanike në shekullin e 19 të ishte e organizuar në këtë formë, për shembull të shkonit në qeverinë britanike në Londër dhe të kuptonit që të gjithë zyrtarët e lartë të saj të ishin nga India, nga Australia apo Afrika, që ministrat më të lartë të ishin të tillë. E çuditshme, por ky ishte sistemi i administratës së perandorisë osmane. Shumica e pashave, vezirëve ishin boshnjakë, shqiptarë, grekë, armenë e të tjerë. Kështu që pyetja është; a formuan ata grupime kombëtare brenda këtij sistemi apo ishin osmanizuar tërësisht. Mendoj se përgjigja varët nga raste të ndryshme, por ka komente të mjaftueshme në dokumente bashkëkohore dhe disa libra që janë shkruar nga autorë osmanë në këtë periudhë të cilët thonë se ka një qark të madh me sllavë ose një grup shqiptarësh të cilët bëhen vetëm me njeri-tjetrin, mbështesin njeri-tjetrin. Pra, ka fakte të mjaftueshme që bëjnë të mendosh që nuk ishte e homogjenizuar dhe mendoj se kjo është e natyrshme, njerëzit kishin gjuhën e tyre amtare, nuk e harruan gjuhën e tyre sepse ishin adoleshentë kur u dërguan në Stamboll dhe në fakt në shumë raste ata nuk ishin tërësisht të ndarë nga familjet e tyre, por mbajtën kontakt dhe kjo u dha ndjesinë se ende kishin rrënjët e tyre në një vend të caktuar. Prandaj mendoj se nuk ka pikë dyshimi, për shembull, që Sinan Pasha inkurajoi dhe kultivoi një grup shqiptarësh rreth vetes në të cilën përfshiheshin anëtarë të fisit të tij dhe këta persona të familjes Bruti, sigurisht që përfituan nga kjo lidhje, dhe jo vetëm prej lidhjes familjare, por edhe prej faktit që ishin shqiptarë.

Romeo Gurakuqi: Pyetja ime ka të bëjë me Shqipërinë veri-perëndimore. Pas vitit 1479 kemi një zhvendosje të popullsisë nga katër qytetet kryesore të Shqipërisë veri-perëndimore, Shkodra, Lezha, Ulqini dhe Drishti. A mund të kemi një vëllim apo masë të largimit të popullsisë qytetare të këtyre katër qyteteve në drejtim të Venetisë. A ndikoi ky largim në situatën e shndërrimit të Shqipërisë në një zonë periferike të Perandorisë Osmane dhe cila ka qenë jeta e mëtejshme e popullsisë shqiptare të emigruar nga kjo zonë në Veneti, sa ka qenë niveli i integrimit të tyre në shoqërinë e Venetisë dhe a kanë menduar ata për vendin e tyre amë në periudhën vijuese të shekullit të 16 dhe 17.

Mendoj se është e mundur të bëjmë disa përllogaritje të përafërta të këtyre shifrave, por nuk i kam këto statistika tani këtu. Ne e dimë që pothuajse të e gjithë popullsia katolike e Shkodrës është larguar me lejen e Sulltanit. Më pas, kur Durrësi u pushtua në 1501, pothuajse u boshatis dhe madje mund të themi që shumica dërrmuese u largua nga Durrësi. Drishti e dimë që në aspekti demografik u shkatërrua dhe Ulqini më vonë, kur u pushtua, kemi informacione të mira për numrin total të popullsisë, por nuk dimë me saktësi sa u larguan. Për këto qytete, destinacioni numër një ishte Venediku ose të paktën, pjesë të tjera të territoreve të Venedikut. Kështu që, për shembull, familjet e mia në libër, Brunët dhe Bruti shkuan në Istria, dhe të tjerët shkuan në vende të tjera në bregun dalmat. Ata që shkuan në Venedik, për ta kemi informacionin më të madh të mundshëm për arsye se arkivat e Venecias janë shumë të pasura dhe po ashtu se ata formuan edhe grupet e tyre të Artizanëve dhe tregtarëve dhe sot e kësaj ditë shohim ‘Scuola d’albanese’ me punimet e tyre shumë të bukura të ndërtesave të cilat tregojnë madje edhe dorëzimin e Shkodrës tek Sulltani. Pra ka pasur disa studime të vërteta akademike vitet e fundit, për këtë komunitet në Venecia dhe mua më duket se u integruan fort mirë. Siç e thashë, natyrisht që ata ishin 100% folës të italishtes, e njihnin kulturën, i përkisnin kishës katolike, por natyrisht që ruajtën identitetin e tyre shqiptar.

Ferit Duka: Ky libër është një arritje e jashtëzakonshme në ndriçimin e gjithë historisë së komplikuar, të gjithë këtij ndërveprimi midis aktorëve të skenës politike mesdhetare. Pa dyshim një meritë e librit është se zbulon, ndryshe nga zbulime të deritashme, edhe fijet e padukshme që lidhin veprimet apo ndërveprimin e fuqive kryesore të Evropës. Kështu që në këtë mënyrë, duke qenë se libri vjen në një kohë që ka nevojë shumë për këto studime, ka nevojë për ndriçimin e këtyre periudhave shumë të koklavitura, vetë profesor Malcolm e theksoi rëndësinë e njohjes së gjuhëve të vdekura me të cilat lexohen materialet e shumta arkivore që ndodhen në disa arkiva. Prandaj desha t’i bëj një përshëndetje të përzemërt për këtë arritje dhe për profesionalizmin tuaj.

Faleminderit për komplimentet tuaja. Nuk di se ç’të them për profesionalizmin tim, mendoj se nuk është një virus që mund t’ia kaloj edhe të tjerëve, por kam mësuar që të bëhem historian thjesht duke lexuar libra të mirë historie dhe duke u përpjekur që të kuptoja se çfarë gjërash të mira kishin këto libra. Mendoj se historia, natyrisht që ka shumë aftësi teknike që duhen përvetësuar, sidomos për lloje të ndryshme të historisë, por në thelb mendoj se historia ka të bëjë me të kuptuarin njerëzor dhe gjëja më e rëndësishme është të lësh mënjanë paragjykimet dhe ndërhyrjet ideologjike, dhe thjesht të mendosh si një qenie inteligjente, njerëzore për atë që kanë bërë qeniet e tjera njerëzore në të shkuarën. Pra, ndjesia ime është që nuk ka ndonjë sekret të magjishëm të cilin unë mund t’ua kaloj të tjerëve. Unë thjesht mund t’ju them që të lexoni libra të mirë historie, në rast se mund t’i gjeni ato, dhe përpiquni të analizoni se çfarë i bën këto libra të mirë dhe në rast se unë e kam bërë diçka të mirë në këtë libër, atëherë jam shumë i kënaqur sa mendoj që edhe njerëzit do ta lexojmë me këtë frymë./ dritare.net

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top