Thursday , December 13 2018
Lajmi i fundit

S.Ganiq: EKOSISTEMI I KRIPORES ÇDO DITË PO PRISHET, SHTYRJA E ZGJIDHJES ËSHTË FATALE

Në hapësirën e Kripores së Ulqinit gjendja është alarmuese. Biodiversiteti po prishet dita ditës, basenet janë në gjendje katastrofale, u ndryshua edhe përbërja kimike e ujit, ndërsa për shkak të të gjitha të përmendurave, përbërja e botës shpendore po ndryshon konsiderueshëm. Në Kripores ot ka më shumë lloje të shpendëve të ujërave të ëmbla, u shkatërruan më shumë se 60 për qind e baseneve, të cilët pas kësaj verë janë mbuluar nga shkurret, ose i ngjajnë shkretëtirës. Fotografi të trishtueshme të natyrës e cila po vdes, gjersa me vite po pret mbrojtjen.

Që ekosistemi në zonën e Kripores për çdo ditë po prishet, vërteton edhe Qendra për Mbrojtjen dhe hulumtimin e shpendëve.

“Indikatori më i mirë se diçka nuk është në rregull janë organizmat, në këtë rast shpendët, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në mjedisin jetësor. Struktura e botës shpendore ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, si dhe përbërja kimike e ujit në basene”, tha Bojan Zekoviq, ornitologu nga Qendra për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Shpendëve.Solana Ulcinj

Ai rikujton se struktura po ndryshon dhe luhatet në varësi të thellësisë së ujit në basene.

“Shkurtat, me të cilët dikur Kriporja ishte më e pasur, janë të lidhur me ujërat më të cektë dhe mjaftë ushqim në baltë dhe llumë, gjë që prapë varet nga pompimi i ujit. Bie fjala, vitet e fundit vërehet rritja e numrit të balukave, të cilët dihet se janë të lidhura me habitatet e ujërave të ëmbla, që flet për ndryshimin e përbërjes kimike. Thatësia konstante në disa basene kontribuon në mbulimin e tyre nga bimësia sepse në mungesë të ujit të njelmët, i cili nuk lejon rritjen e të gjithë bimëve, vjen deri ke mbulimi nga bimët dhe shndërrimi i disa baseneve nga ujore në kaçubore. Përhapja e kallamit është po ashtu evidente”, thotë Zekoviq.

Brengos edhe fakti që disa lloj të shpendëve janë bërë pre e lehtë për grabitqarët.

“Për shkak të prishjes së benteve të vegjël në kuadër të baseneve, gërgërja e vogël është e detyruar që të folezohet në tokën e basseneve të thata duke u bërë kështu e dukshme, meqë është shpend i bardh dhe lehtë i kapshëm për grabitqarët. Pompimi i ujit në kohën e folezimit, që ndodhi disa herë, mund të jetë fatal për riprodhimin e shpendëve të cilët folezohen në tokë, e ky është rasti tek shumica e shpendëve në Kripore”, paralajmëron Zekoviq dhe thekson se me ndalimin e prodhimit të kripës, mungoi edhe menaxhimi i përshtatshëm i ujërave si dhe rindërtimi i benteve të cilët i ndajnë basenet e Kripores.Kriporja, Solana 5

Ai thotë se Kriporja është hapësirë “e cila kërkon përfshirjen e njerëzve” me qëllim mirëmbajtjen e saj. Shumica e benteve, të cilët ishin vend i foljezimit ose pushimore për llojet e caktuara, janë prishur dhe janë mbuluar nga bimët. Zekoviq rikujton se niveli i ujit varet nga kushtet e jashtme, reshjet, por edhe nga pompimi dhe ç’pompimi në kohë i ujit. Paralajmëron edhe se u ndryshua përbërja kimike e ujit, si dhe që saliniteti po bie shumë ose madje nuk ekziston, gjë që ndikon shumë në gjendjen në Kripore.

Marrëdhënia e tillë shkakton dëme të pamatshme në këtë hapësirë, të cilat shumë vështirë shprehen me para, posaçërisht që për çdo ditë ripërtëritja e Kripores po shtrenjtohet. Zekoviq mendon se koha për ripërtëritjen e Kripores varet nga parat që do të investohen për këtë qëllim.

Zenepa Lika, drejtoresha e Shoqatës “Dr. Martin Shnajder Jakobi” dhe një nga eko aktivistët më zhurmshëm, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Kripores, ajo pohon se kjo hapësirë është lënë të shkatërrohet me qëllim dhe plan të qartë.

“Qëllimi i Qeverisë është i qartë. Ato dëshirojnë aq ta shkatërrojnë këtë hapësirë, që të vijë në gjendje që nuk ka që për tu mbrojtur. Sa gjatë po presim? Studimi i mbrojtjes përfundoi në shtator të vitit 2017. Një vit pritem që të jepet informacioni që Studimi përfundoi, e tani presim që i njëjti studim të mbërrijë në Komunë të Ulqinit, pastaj në parlamentin lokal, i cili duhet ta shpallë këtë hapësirë të mbrojtur”, thotë Lika.zenepa-lika

Afati për dorëzimin e këtij dokumenti në vetëqeverisjen vendore ishte gjysma e majit, në pajtim me përfundimet nga konferenca e katërt ndërkombëtare për mbrojtjen e Kripores.

Në pyetjen se a pajtohet me qëndrimin që ka sektori civil, që Qeveria qëllimisht vonon mbrojtjen, në mënyrë që kjo hapësirë të devastohet edhe më shumë, nënkryetarja e Komunës Hadixha Gjoni vlerëson se ky është arsyetim hipotetik.

“Atëherë duhet shtruar pyetja, pse janë shpenzuar mjetet me vlerë prej 300 mijë euro, të cilat i dha Evropa për hartimin e Studimit. Do të ishte absurde që të mbes vetëm shkronjë në letër. Sektori civil ka bërë shumë për promovimin e Kripores si një pasuri të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë. Pjesa e tyre në tërë këtë proces është me rëndësi të madhe dhe duhet respektuar. Por, që me qëllim vonohet mbrojtja, këtë nuk e besoj. Ky mund të jetë një hamendësim, të paktën në bazë të asaj çfarë di unë, e ndoshta dikush dinë diç më shumë”, tha Gjoni.hadixha-gjoni

Nga ana tjetër, Lika thotë se Komuna duhet të jetë më e zhurmshme, që duhet të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që ka, që hapësira e Kripores të mbrohet sa më shpejtë.

“A e dini në fund kush do të jetë fajtor për këtë gjendje në Kripore? Pikërisht Komuna e Ulqinit dhe njerëzit të cilët janë të ulur dhe presin diçka të ndodh”, thekson Lika.

Nënkryetarja Gjoni mendon se nuk ekziston asgjë kontestuese rreth shpalljes së Kripores zonë të mbrojtur.

“Qëndrimi i Ulqinit është i qartë. Kriporja duhet të mbrohet. Në dokumentet tona është paraparë si zonë e mbrojtur. Qeveria e lejoi një gjë të tillë. Ky vendim u vërtetua nga të gjithë instancat relevante. Nuk e di cila shkallë e mbrojtjes do të jetë, sepse Studimi parasheh disa opsione. Duhet të deklarohet Kuvendi i Komunës, por pa instanca më të larta nuk ka mbrojtje dhe as ripërtëritje adekuate, sepse të gjithë këto kushtojnë. Komuna e Ulqinit nuk ka mundësi që ta revitalizojë vet këtë hapësirë. Arsyeja është vetëm një, është vështirë të ndahet nga buxheti aq mjete, madje edhe e pamundur”, thotë Gjoni.

Sipas Studimit të mbrojtjes, zgjidhja më e mirë është prodhimi i llojeve të kripës me cilësi të lartë, gjersa u vlerësua se në infrastrukturë duhet investuar rreth katër milion euro, dhe kjo vetëm në fillim.

Shpenzimet operative për prodhimin e prodhimeve të reja, me cilësi të lartë, në hapësirën e kufizuar të Kripores dhe shpenzimet e menaxhimit të tërë hapësirës së Kripores do të ishin një milion euro, shkruan në dokumentin e Studimit të mbrojtjes.Kriporja, Solana

Vlerësohet se ky mode mund të sjellë të ardhura me vlerë nga 245 mijë deri në 420 mijë euro nga shitja e prodhimeve nga kripa dhe vizita e zonës së mbrojtur dhe programet përcjellëse.

Lika vlerëson se këto janë mjete reale të nevojshme për revitalizimin e hapësirës së Kripores.

“Basenet janë në gjendje katastrofale. Basenet kristalizuese janë Saharaja, më shumë ka shkretëtirë se ujë. Bentet janë në gjendje të keqe, punon vetëm një pompë, tre të tjera mungojnë”, thotë Lika dhe thekson se prodhim duhet të ketë që kjo hapësirë të ripërtërihet.

Siç thotë ajo, çdo ditë pritje kushton gjithnjë e më shumë dhe është fatal për tërë ekosistemin. Përkundër kësaj, Lika nuk beson se Kriporja do të mbrohet deri në fund të vitit.

“Këto janë muhabete boshe, imazh i rrejshëm për qëllimin serioz të Qeverisë i cili i dërgohet Evropës. Por, ky fakt është i dukshëm dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë gjë. Evropa nuk do ta lejojë këtë gjë. Katër vite Kriporja ndikon në hapjen e negociatave për kapitullin 27 dhe do të vazhdojë të ndikojë. Qeveria nuk ka treguar seriozitet të mjaftueshëm dhe as gatishmëri që diçka të përmirësojë në këtë lëmi e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Malin e Zi, por për tërë rajonin”, thotë Lika.

Mirëpo, ajo do të vazhdojë të luftojë për mbijetesën e kësaj hapësire dhe inicimin e prodhimit.

“Pesë vite kjo hapësirë po përjeton gjithçka. Pesë vite nuk po vdes. Po, po prishet, po ndryshon, por vazhdon edhe më tej të jetoj, disesi. Vazhdon të jetë hapësirë unike. Dhe jam e bindur se biodiversiteti në këtë hapësirë do të ripërtërihej për dy vite. Dhe do të jetë kështu. Përkundër qëllimeve që të shkatërrohet”, është e bindur Lika.

Gjersa nga Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit pohojnë vazhdimisht se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka kushtëzuar hapjen e negociatave për kapitullin 2 me shpalljen e Kripores Zonë të mbrojtur, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri Federika Mogerini deklaroi se mbrojtja e Kripores së Ulqinit do të mbesë temë e veçuar në bisedimet e BE-së me Malin e Zi, duke përfshirë edhe kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin jetësor.

Ajo në përgjigjen e letrës të cilën e dërguan EuroNature, BirdLife international, CZIP, MANS dhe Shoqata “Martin Shnajder Jakovi” tha se Kriporja paraqet moment të rëndësishëm në negociatat me BE-në, si dhe që Komisioni Evropian do të vazhdojë me vëmendje të përcjellë ngjarjet që kanë të bëjnë me Kriporen e Ulqinit dhe mbrojtjen e saj.Gudrun

Sektori civil falënderimin e veçantë ia kushton Gudrun Elizabet Shtajnaker, ish ambasadores së Gjermanisë në Mal të Zi, për shkak të angazhimit të zhurmshëm për mbrojtjen e Kripores.

Shtajnaker fitoi edhe shpërblimin e organizatës së njohur gjermane Euronatur, për shkak të kontributiti për mbrojtjen e kësaj zone, e cila i dërgon mesazh të qartë Qeverisë së Malit të Zi – që sa më parë të ndalojnë me shkatërrimin e habitatit më të madh për shpend në Evropë.

Shtajnaker shpesh përsëriste se mbrojtja e Kripores kryesisht varet nga vullneti politik, dhe se nuk bëhet fjalë për mungesë parash.

Çfarë shkruan në Studimin e mbrojtjes

Në Opsionin e parë të Studimit të mbrojtjes propozohet revitalizimi i prodhimit të kripës për tre nënskenare të përpunuara. Prodhimi bazë është kripa për rrugë me sasi si deri në vitin 2013, gjegjësisht 17.000 tonë në vit, gjersa nënskenari i dytë është ngritja e prodhimit të kripës për ushqim me rafinerinë e kripës.

Të dy nënskenare janë të bazuara në hipotezën se kripa duhet të prodhohet në sasi të mëdha, në mënyrë që të dilet mbanë me çmimet e ulëta të prodhimit final dhe shpenzimet e larta të prodhimit, që do të thotë ripërtëritjen e pothuajse tërë hapësirës së Kripores.

Skenari 1.3 – prodhimi i sasive më të vogla të kripës në zonën e kufizuar, me fokus në prodhimin e ri “lulen e kripës”. Edhe ky skenar parasheh ripërtëritjen edhe të zonës tjetër, në mënyrë që të plotësohen kërkesat për mbrojtjen e biodiversitetit përmes rregullimit të regjimit ujor.Kriporja, Solana

Në opsionin dy propozohet menaxhimi i zonës si të mbrojtur, me prodhimin e kripës në zonën rreptësisht të kufizuar vetëm për qëllime promotive dhe edukuese.

Si kategoria më e përshtatshme të zonave të mbrojtura në bazë të klasifikimit ndërkombëtarë (IUCN) në Studim propozohet: kategoria pesë, gjegjësisht Parku i natyrës, nëse vazhdon prodhimi i kripës me menaxhimin e zonës së mbrojtur ose kategoria katër – rezervat i natyrës, nëse zona do të menaxhohet si e mbrojtur me demonstrimin e prodhimit të kripës për vizitorët, shkruan në dokument.

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Evropian, ndërsa e kofinancon Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës. 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top