Friday , October 18 2019
Lajmi i fundit

S.Nikshiqi: Delta e Bunës është perla e fshehur e Adriatikut

 

Bojana, BunaE ndarë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, grykëderdhja e Bunës, me faunën dhe florën e pasur, mbetet një kartolinë e një Mesdheu që nuk ekziston më.

Është një nga pjesët më të virgjëra të bregdetit shqiptar. Delta e Bunës njihet nga shkodranët si grykëderdhja e Bunës, aty ku ujërat e këtij lumi bashkohen me Detin Adriatik. Vetëm pesë kilometër larg nga qendra e plazhit të Velipojës, aty ndodhet vija kufitare që ndan Shqipërinë me Malin e Zi.

E pashfrytëzuar, e qetë, e zakontë. Kur përballesh me atë peizazh të mrekullueshëm, mendohesh gjatë por nuk kupton arsyen se pse ai vend aq i rëndësishëm për Shkodrën është lënë i veçuar, i shkëputur nga pjesa tjetër e plazhit të Velipojës.

Një pamje e rrallë dhe një nga pjesët më të pashfrytëzuara të detit Adriatik. Grykëderdhja e Bunës, ish-porti tregtar nga ku anijet që vinin nga Venecia e Trieste zbarkoheshin aty, në ditët e sotme, ka mbetur e patrazuar.

Për të mbërritur në atë vend pushuesit ose turistët duhet të përshkojnë një pjesë të mirë të bregdetit të Velipojës. Lehtësisht mjaftojnë 30 apo 40 minuta për tu takuar me atë pamje të pazakontë.

Shkodra njihet si qyteti i parë shqiptar ku kanë mbërritur të organizuar grupe turistësh të huaj. Kjo ka ndodhur në prag të luftës së parë botërore me turistët që vinin nga Triste dhe zbarkonin pikërisht në derdhjen e Bunës.

Nga derdhja e Bunës fillonin lundrime të rëndësishme që shkonin drejt Venecias e drejt Tristes gjë që sot nuk ndodh më. Sot, në deltëm e Bunës qoftë turistët apo edhe pushuesit mungojnë. Territori edhe pse jo shumë i madh, nuk shqetësohet nga askush.

Sot Shkodra është e bukur dhe e rëndësishme për arsye të tjera por të qenit port detar është patjetër diçka që ky qytet nuk e ka më. Koha ka bërë të sajën. Ujërat e Detit Adriatik e kanë shndërruar tërësisht pamjen e dikurshme duke zvogëluar në masë atë pjesë nga baticat e zbaticat e viteve.

Derdhja e Bunës është një rezervat natyror në bregun lindor të Adriatikut me dhjetëra specie zogjsh e kafshësh. Megjithatë gjithnjë e më shumë ekzistenca e tyre është në rrezik. Para 13-14 vitesh ishte i vetmi vend në Shqipëri ku mund të bëje plazh njëkohësisht edhe në ujë me kripur edhe në ujë të ëmbël të një lumi me deltë madhështore. Sot ajo grykë e ngushtë nuk ekziston më, dhe peshkatarët apo turistët e dikurshëm e kujtojnë me nostalgji.

Një kënaqësi janë 30 minutat të cilat duke ecur në këmbë duhen për të shijuar grykëderdhjen e Bunës. Gjatë ecjes hasen pemë me forma nga më të ndryshmet dhe më të veçantat.

Dunat e paprekura të rërës apo uji i kristaltë i detit për një moment të largojnë streset e përditshmërisë. Lumi Buna mund të jetë i vetmi i cili derdhjen e tij e ka në formë delte natyrale me tri degë.

Dy nga këto degë i përkasin pjesës malazeze ndërsa njëra i takon palës shqiptare. Aty ndodhen dy ishuj të vegjë, ishulli Ada dhe ishulli i Franc Jozefit të cilët kufizohen me Malin e Zi.

Të dy këta ishuj janë drejt zhdukjes. Gjithnjë e më shumë po humbasin në ujë duke mos patur më shëmbëllimin apo orientimin e mëparshëm.

Përreth rezervati i Velipojës, prej 700 hektarësh, duke i larmishëm me florë e faunë të shumëllojshme. Aktualisht ky rezervat është shpallur “zonë e mbrojtur” dhe si e tillë gëzon mbrojtje të veçantë. Në të janë katër breza pyjore dhe katër këneta të vogla të cilat lidhen në rrugë tokësore njëra me tjetrën. E gjithë pasuria natyrore është ruajtur e paprekur prej natyralit pasi aty nuk ka të drejtë të ndërhyjë asnjeri, sidomos në gjueti.

E megjithatë kjo nuk do të thotë se askush nuk ka të drejtë të futet aty. Rezervati është i hapur për të gjithë ata persona të cilët duan që ta vizitojnë atë kundrejt disa tarifave simbolike. Ky rezervat është një arsye më shumë për të shijuar grykëderdhjen e Bunës.

Natyrisht që specialistët e mjedisit nuk mund të jenë aq të kënaqur për rezervatin në të cilën është investuar fare pak për të mos thënë aspak. Sido që të jetë aty natyra ka ndërthurur bukurinë përgjatë asaj vije bregdetare që në total përllogaritet rreth 15 kilometër e gjatë dhe 200 metër e gjerë. Bashkë-ekzistenca e detit, lumit, malit, kodrave, lagunës e pyllit e bën Velipojën shumë tërheqëse dhe mjaft të larmishme.

Delta e Bunës është një nga pjesët e veçanta të Shkodrës kozmopolite ku kulturat përziheshin e komunikonin me anën tjetër të Adriatikut. Atëherë Derdhja e Bunës e bënte qytetin në port duke e shndërruar në nyjën e gjeopolitikës detare austro-hungareze së bashku me Triesten, Venecian, Budvën e Tivarin.

Veç flladit të lehtë të erës e kërcitjes të njëtrajtshme të dallgëve, Delta Buna, e reduktuar së tepërmi në 13-14 vitet e fundit nga ujërat e detit Adriatik, në pjesën më të madhe të kohës fle e qetë. Përgjumjet rrallë herë i prishin kuriozët e paktë apo peshkatarët të cilët kanë zgjedhur pikërisht atë zonë si burimin e të ardhurave të tyre. Edhe pse me një vlerë të madhe ajo nuk shfrytëzohet, por mbetet një perlë e harruar e natyrës shqiptare.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top