Thursday , March 21 2019
Lajmi i fundit

S.Salaj: Kuvendi i festave të fundvitit

Sabri Salaj2018-ta ishte viti që u zhvilluan zgjedhjet lokale në Komunën e Ulqinit. Pas marrëveshjeve politike ndërmjet subjekteve politike për të udhëhequr Ulqinin në katër vitet e ardhshme, u ra dakort që në pushtet shumicën ta përbëjnë 30 këshilltarë nga gjithsej 33 sa ka Kuvendi i Komunës së Ulqinit. Duhet theksuar se për herë të parë në krye të Ulqinit vjen një kuadër nga radhët e PDS-së, e cila udhëheqë qeverinë e Malit të Zi mbi 28 vite.
Kjo tregon se Ulqini ka hapur një kapitull të ri në politikëbërje nga subjektet politike shqiptare, të cilët në rolin e vëzhguesit dhe frikës për mos ta humbur pushtetin, kanë harruar që këta 30 këshilltarë të pozitës duhet ta udhëheqin Ulqinin në përputhje me marrëveshjen politike, të nënshkruar nga kryetarët e këtyre subjekteve politike. Shumica nga këshilltarët si bartës të politikës në Kuvendin e Komunës së Ulqinit nuk e dinë nëse ka një marrëveshje të tillë e lëre më nëse ndonjëri prej tyre e ka lexuar! Kjo tregon edhe nivelin e përfaqësimit nga këshilltarët të cilët janë votuar nga qytetarët për të mbrojtur interesat e tyre dhe të qytetit në tërësi. Pasiviteti i këshilltarëve në Kuvend, të cilët pikësëpari duhet të përfaqësojnë veten e tyre me shkollimin që kanë bërë e pastaj edhe qytetarët, por edhe të arsyetojnë pagesën për të cilën janë të punësuar, është më se evident. Kjo ka ndikuar që edhe pushteti ekzekutiv, që udhëheqet nga kuadrot e deleguar nga politika, nga roli i llogaridhënies dhe përgjegjësisë ndaj qytetit dhe qytetarëve, të kthehen në dirigjues të politikave edhe ne Kuvend, duke zbehur rolin e këshilltarit dhe Kuvendit në përgjithësi, si organ ku miratohen politikat e zhvillimit dhe menaxhimit të qytetit.

Kur shikon Parlamentin Evropian, parlamentet e vendeve të ndryshme evropiane, por edhe Kuvendin e Malit të Zi, e sheh se në çdo fundvit dokumenti më i rendësishëm për të cilin zhvillohet debati më i madh është buxheti i shtetit apo i komunës kur miratohet nga parlamenti lokal. Kjo vjen si rezultat i aktivizimit qytetar, të cilët nëpërmjet lobimit në subjektet politike angazhohen që taksat dhe tatimet që do të paguajnë për komunën dhe shtetin, të jenë të shpërndara sa më mirë në shërbim të tyre dhe vendit ku jetojnë.

Në Komunën e Ulqinit, në vitin e pestë të përvojës sime si këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, ky dokument i rëndësishëm vazhdon të neglizhohet dhe mos të sillet në kohën dhe afatin e përcaktuar me ligj. Nga takimet që bëjnë gjatë shqyrtimit publik në tri qendra të mëdha në Komunën e Ulqinit – në Katërkollë, Shtoj dhe në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të cilat bëhen kinse me shpallje publike, angazhimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve lë për të dëshiruar. Një fjalë e urtë popullore thotë: “krypë e këshilla mos i jep pa t’i kërkuar”, kështu që edhe pse kemi obligim qytetar, moral por edhe politik të japim kontributin tonë në këtë drejtim që gjërat për të mirën tonë të përbashkët t’i bëjmë së bashku, gjithmonë janë inatet e vogla politike dhe ato personale e karrieriste që nuk na lënë të kalojmë përtej këtyre inateve dhe të gjithë së bashku të sjellim diçka të mirë për qytetin tonë.

Në kuvendin e fundvitit duhen të miratohen edhe vendime tjera të rëndësishme nga ndërmarrjet publike që janë në proces falimentimi, themelues i të cilave është Komuna, në të cilat janë të punësuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tanë.

Programi i punës për vitin 2019, me të cilin duhet të punojnë, duhet të jetë po ashtu në përputhje me Propozim Buxhetin e vitit 2019 sepse shumica e ndërmarrjeve janë të lidhura direkt me buxhetin e Komunës së Ulqinit, ndërsa shumica e tyre fundin e vitit e presin me llogari bankare të bllokuar. Është pikërisht marrëveshja politike që e definon se si duhet të bëhet zgjidhja e gjendjes në të cilën ndodhen këto ndërmarrje publike, por afati tashmë ka kaluar, edhe pse ajo marrëveshje duhet të respektohet dhe të zbatohet.

Në kuvendin e fundvitit duhet të miratohen vendime e vendime, por kurrsesi nuk mund të miratohet buxheti pa qenë në përputhje me progamet e punës së ndërmarrjeve publike, të cilat janë barra më e madhe e buxhetit të Komunës së Ulqinit.

Në kuvendin e fundvitit mund të miratohen vendime e vendime, por kurrsesi nuk mund të miratohet buxheti pa Raportin e kryetarit në lidhje me gjendjen dhe situatën në të cilën ndodhet pasuria e Komunës së Ulqinit, sepse janë proceset gjyqësore, borxhet dhe detyrimet, të cilat duhet të jenë në përputhje me Propozim buxhetin e Komunës së Ulqinit.

Në kuvendin e fundvitit mund të miratohen vendime e vendime , por kurrsesi nuk mund të miratohet buxheti pa Raportin e Programit mbi rregullimin dhe planifikimin hapësinorë për vitin 2018 nëse ekziston një dokument i tillë , dhe jo se jo pa Programin mbi rregullimin hapësinorë për vitin 2019 që është dokumenti bazë mbi të cilin duhet të planifikohen investimet kapitale të cilat duhet të jenë në përputhje me investimet kapitale në Propozim buxhetin e vitit 2019.

Si rezultat i të gjitha këtyre fasadave për propozim buxhetet e fryra dhe joreale, të cilat nuk kanë kurrë përkrahjen e organit mbikëqyrës të Ministrisë së Financave, na kanë sjellë në këtë gjendje që festat e fundvitit t’i presim me Propozim buxhetin në përgatitje e sipër, në tentativë për përgatitje ose të ndryshuar në disa versione, dhe në fund votimi, si zakonisht, për hir të koalicionit.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top