Sabri Salaj: Fillet institucionale te kombit shqiptar – Lidhja e Prizrenit

Sabri SalajPeriudha e zgjimit kombëtar të shqiptarëve që fillon dhe merr trajta politike shumë të qarta për formatimin e kombit shqiptar si një institucion, organizëm politik, ushtarak, ideologjik, gjithëpërfshirës dhe qeverisës ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Aty fillon shfaqja institucionale, politike në të gjitha dimensionet e kombit shqiptar. Harmonizimi i aksionit politik, diplomatik dhe ushtarak ishte një nga dukuritë më të rëndësishme të politikanëve rilindës shqiptarë. Këta tre komponentë synonin të njëjtin objektiv strategjik: pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në planin politik dhe diplomatik faktori shqiptar synonte ndërkombëtarizmin e njohjes së identitetit të popullit shqiptar. Në planin ushtarak objektiv kryesor ishte mbrojtja e njësive territoriale të Shqipërisë deri në çlirimin e saj të plotë. Intelektualët shqiptarë përmes krijimtarisë dhe politikës argumentuan bindshëm ekzistencën e kombit shqiptar dhe Shqipërisë. Kjo iniciativë kombëtare çonte drejt opsionit të pavarësisë.

Në planin ndërkombëtar veprimtaria e Lidhjes u përqendrua për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në dy aspekte: atë të statusit, të ardhmërisë politike të Shqipërisë dhe aspektin e hapësirës territoriale të kufijve të saj. Kështu që, duke parë rrethanat e ndërlikuara ndërkombëtare përpara së cilës gjendej Shqipëria, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare kërkuan që Shqipëria ta kishte statusin e autonomisë, kurse pavarësinë e konsideronin si pjesë të pandarë të mendimit politik të Lidhjes, si objektiv të fundit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Kjo bënte të domosdoshme që në radhë të parë Shqipëria të identifikohej territorialisht, gjë që presupozonte bashkimin e vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, të cilit shteti Osman duhet t’i njihte të drejtën e një qeverisje autonome si fazë kalimtare drejt krijimit të shtetit shqiptar të pavarur në një koniunkturë ndërkombëtar më të përshtatshme në të ardhmen. Kjo ishte pika më e nxehtë dhe më delikate në marrëdhënie ndërmjet Lidhjes Shqiptare dhe Portës së Lartë.

Bartësit e ideve politike të Lidhjes Shqiptare, të cilët ishin figurat më të dalluara të kulturës dhe mendimit politik shqiptar, kërkonin që problemin e popullit të tyre ta zgjidhnin brenda faktorit integrues çfarë ishin kultura dhe arsimi si dhe në përputhje me të gjitha të drejtat juridike që i kishin shtetet e tjera ballkanike.

Kërkesa zyrtare për autonominë administrative u shpreh haptas në memorandumin që miratoi Kuvendi i Janinës më 24 korrik 1878. Me këtë memorandum shqiptarët kërkonin nga Porta e Lartë: 1. Bashkimin e trojeve të tyre në një njësi të vetme administrative; 2. forcimin e gjuhës shqipe me qëllim që të sigurohej ekzistenca kombëtare e shqiptarëve dhe; 3. zbatimin në këtë njësi administrative të reformave për të cilat kishte nevojë Shqipëria.

Porta e Lartë ishte e vendosur për mos të bërë asnjë lëshim në këtë drejtim. Edhe pse kërkesat e Lidhjes nuk i kundërshtonte hapur, diplomacia osmane në prapaskenë punonte që çështjen shqiptare ta zgjidhte atëherë kur interesat e saj të plotësoheshin kundrejt Fuqive të Mëdha, të cilat interesin ekonomik dhe politik të Perandorisë e kishin prioritet, kurse pozita gjeografike në të cilën gjendej Shqipëria e bashkuar do të ishte një kartë e fortë në marrëdhënie ndërkombëtare jo vetëm kundrejt fuqive të mëdha, por edhe kundrejt Rusisë, e cila dominimin e saj në emër të pansllavizmit e shihte në Ballkan dhe Mesdhe.

Çështja e autonomisë ishte një çështje shumë delikate brenda Perandorisë dhe shqiptarët u treguan të mençur për të vepruar me maturi në këtë drejtim. Qëllimi kryesor i Lidhjes Shqiptare, përveç autonomisë, ishte edhe mbrojtja e tërësisë tokësore të Shqipërisë, mbrojta e atyre tokave që traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit ua kishte dhënë shteteve fqinje. Edhe pse kërcënimi për aneksimin e tokave shqiptare ishte afër nga shtetet ballkanike të cilat mbështeteshin nga Rusia, diplomatët rilindës filluan një fushatë sensibilizuese për të korrur mirëkuptim, simpati dhe mbështetje për çështjen shqiptare.

Me anë të përpjekjeve të tyre ata dhanë ndihmesë për një formulim të qartë të konceptit të shqiptarizmit duke bërë të njohur identitetin, historinë, kulturën dhe aspiratat e popullit shqiptar përballë rreziqeve të tanishme që kërcënonin fatin e ekzistencës së tij. Iluministët shqiptarë të udhëhequr nga Shemsedin Samiu dhe Pashko Vasa më veprat e tyre jo vetëm ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare duke e bërë pjesë të diskutimit në të gjitha kancelaritë më të mëdha diplomatike të kohës, por u bënë frymëzues për Lidhjen Shqiptare që tokat shqiptare të mbrohen me një krenari dhe përkushtim, pavarësisht vendimeve të fuqive të mëdha dhe Perandorisë Osmane.

Lidhja Shqiptare shënoi një etapë të re e më të lartë në zhvillimin dhe lartësimin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ajo e shënoi ngritjen e saj cilësore nga një lëvizje autonomiste në një lëvizje për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, gjë që u bë në mënyrë të organizuar dhe politike.

(Pjese nga punimi-master,, Diplomacia dhe zgjidhja e çështjes se Ulqinit’’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…