Friday , October 18 2019
Lajmi i fundit

Sabri Salaj: Manovrat e diplomacisë – Lidhja e Prizrenit (3)

Sabri SalajRilindësit shqiptarë, duke vepruar me mençuri politike, u përpoqën të përfitonin nga kontradiktat që ekzistonin ndërmjet Fuqive të Mëdha për t’i gjetur ata faktorë të cilët mund të shërbenin në mbrojtje të çështjes shqiptare. Udhëtimi i delegacionit të Lidhjes Shqiptare nëpër Evropë, në vitin 1879, synonte gjithashtu që, nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta me krerët e diplomacisë evropiane të manovronte në lëmshin e kontradiktave midis tyre, për të gjetur eventualisht përkrahës të kërkesave shqiptare.

Por, edhe kjo veprimtari e shumanshme e Lidhjes Shqiptare nuk mundi të sigurojë përkrahje as në arenën ndërkombëtare për ta realizuar programin e saj. Asnjë nga Fuqitë e Mëdha evropiane nuk i përfilli kërkesat e shqiptarëve dhe nuk e llogariti faktorin shqiptar në politikën e vet ballkanike, sepse ai nuk hynte në kombinacionet e tyre politike në lidhje me gjendjen në Ballkan.

Politikanët shqiptarë kishin bërë një prezantim të çështjes shqiptare nëpër të gjitha kancelaritë më të mëdha diplomatike të kohës, për ta shtruar çështjen shqiptare në tryezën e bisedimeve në Kongres, por Fuqitë e Mëdha nuk e morën në konsideratë duke e konsideruar Shqipërinë si çështje e politikës së brendshme të Perandorisë. Duke e ditur potencialin e shqiptarëve, gjë e cila dëshmohej edhe nga organizimi i Lidhjes Shqiptare si në aspektin politik, diplomatik e ushtarak, diplomacia e Anglisë kërkonte që Shqipëria të ishte brenda Perandorisë Osmane në mbrojtje të saj sepse në rast shkëputje prej saj dhe dobësimit shumë më lehtë Rusia do ta realizonte ëndrrën e saj për pushtimin e BallkanAnadollit sapo t’i krijohet një rast i dytë.

Austro-Hungaria kishte përfituar shumë nga Kongresi i Berlinit si shkak i diplomacisë ruse, e cila kërkonte të thellonte përçarje ndërmjet fuqive të mëdha, kështu që Austro-Hungaria nuk donte ta zhvleftësonte hipotekën që kishte krijuar në viset shqiptare duke pasur nën kontroll disa nga portat kryesore të saj deri në çastin kur interesi i saj nuk kërcënohej drejtpërsëdrejti. Austro-Hungaria e riaktivizonte çështjen shqiptare atëherë kur interesi i saj kërcënohej nga dominimi sllav i cili bllokonte rrugët strategjike të saj të përfituara nga Kongresi i Berlinit.

Duke u ndodhur në zemër të Ballkanit, në një nga zonat më strategjike të Evropës, Shqipëria shërbeu si monedhë këmbimi për shtetet të cilat kërkonin të kishin ndikim në këto zona. Realizimi i vendimeve të Kongresit, që parashihte që pjesë të territorit të Shqipërisë të kalonin nën Malin e Zi, bëri që Lidhja Shqiptare të vinte në lëvizje të gjitha mekanizmat e saj institucionalë në mbrojte të integritetit territorial të saj.

Traktati i Berlinit në nenin 28 parashihte që Plava dhe Gucia të kalonin nën Malin e Zi, ku si zbatues i marrëveshjes të ishte Porta e Lartë. Porta për t’i ruajtur këto dy krahina që në fillim me mjeshtëri u përpoq ta shfrytëzonte Lidhjen Shqiptare për t’u treguar fuqive të mëdha, nënshkruese të Traktatit të Berlinit, se vendimet e marra atje nuk mund të zbatohen. Kjo politikë e dyfishtë e Perandorisë tashmë ishte e njohur për shqiptarët. Duke përdorur shqiptarët si kartë ndaj fuqive të mëdha diplomacia osmane kërkonte ta zgjaste pushtimin e saj në Ballkan. Por, kjo lojë e dyfishtë e Perandorisë do të kthehej si bumerang ndaj saj. Përplasja e parë ushtarake ndërmjet Lidhjes Shqiptare dhe Portës së Lartë fillon pikërisht në zbatimin e marrëveshjes së Traktatit të Berlinit për trojet shqiptare, Plavën e Gucinë, të cilat duhet të kalonin nën Malin e Zi. Kjo përplasje ushtarake rezulton me vrasjen e Mehmet Ali Pashës, i cili ishte përcaktuar nga Porta e Lartë për zbatimin e Traktatit të Berlinit për trojet shqiptare, Plavën dhe Gucinë. Kjo vrasje tregonte vendosmërinë e shqiptarëve për t’i mbrojtur trojet e veta etnike, mobilizimi i popullit ishte në ato përmasa saqë kishte bërë jehonë në gjithë Evropën.

Ambasadori i Francës në Stamboll i shkruante ministrit të tij të Punëve të Jashtme, Vadingtonit, më 11 shtator 1878, pos të tjerash, edhe këtë: “Në Shqipëri lëvizja u bë kombëtare. Të gjithë janë nën armë, që nga i riu deri te plaku, pa dallim feje. Porta është e pafuqishme për të mposhtur një lëvizje të tillë”.

Lidhja Shqiptare vepronte si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë diplomatik për zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke krijuar një situatë aspak të volitshme në arenën ndërkombëtare. Fuqitë e Mëdha vazhdonin presionin ndaj Portës së Lartë për zbatimin e marrëveshjes, por diplomacia osmane kërkonte që çështjen ta zvarriste sa më tepër që të jetë e mundur dhe gjithmonë në interes të saj. Mali i Zi, i cili lobonte pandërprerë te Fuqitë e Mëdha që territoret e premtuara t’i jepeshin, duke filluar edhe një luftë të armatosur me Lidhjen Shqiptare për pushtimin e këtyre territoreve. Në të gjitha betejat ushtritë malazeze pësuan disfatë nga Lidhja Shqiptare. Përpjekjet diplomatike dhe intervenimi ushtarak i ushtrisë malazeze nuk dhanë rezultate për zbatimin e paragrafëve të nenit 28 të Kongresit të Berlinit.

Rezistenca e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre etnike përdorej nga diplomacia Osmane, e cila jo vetëm nuk e njihte autonominë e Shqipërisë brenda kufijve të saj etnikë, por nuk lejonte as bashkimin e vilajeteve shqiptare në një shtet te vetëm brenda Perandorisë. Shqiptarët nuk lejoheshin as të flisnin në emër të tokave të tyre, edhe pse çështja shqiptare ishte ndërkombëtarizuar në të gjitha tubimet diplomatike të fuqive të mëdha. Porta e Lartë kishte si qëllim që çështja të zvarritej dhe mos të realizoheshin konditat e Traktatit të Berlinit, Fuqitë e Mëdha nuk kërkonin krijimin e krizave të tjera, kështu që propozuan të bëhej kompensimi i këtyre territoreve të Perandorisë, në vend të Plavës dhe Gucisë u propozuan Hoti dhe Gruda. Marrëveshja e lidhur ndërmjet Perandorisë dhe Fuqive të Mëdha kërkonte që të realizohej brenda afateve të përcaktuara me ligj ndërkombëtar si dhe zbatues i kësaj marrëveshje të ishte Porta e Lartë. Në kohën kur duhej të bëhej zbatimi i marrëveshjes ushtria e Lidhjes Shqiptare hyri në mbrojte të tokave të saj, duke iu kundërvënë forcave malazeze. Kjo nxiti reagimin e menjëhershëm të fuqive të mëdha të cilët akuzonin Portën e Lartë se nuk ishte duke respektuar dispozitat e marrëveshjes.

Fitorja e Lidhjes Shqiptare në Hot dhe Grudë ndaj ushtrisë malazeze krijoi në vetëbesim në mbrojtje të vendit të tyre duke grumbulluar rreth vetes ushtri nga të katër anët e Shqipërisë. Porta e Lartë vazhdonte lojën e dyfishtë duke krijuar përçarje ndërmjet shqiptarëve, me premtime, toka, pushtet, me qëllim që të largoheshin nga Lidhja Shqiptare. Kjo bëhej për shkak se Sulltani i frikësohej vendosmërisë së Lidhjes në mbrojtje të trojeve të saj etnike dhe rrugës që kishte nisur drejt autonomisë e cila do të çonte drejt pavarësisë së Shqipërisë dhe shkëputjes së saj nga Perandoria Osmane.

Çështja e Shqipërisë veriore mori përmasa me karakter ndërkombëtar, ku kërkesat e vazhdueshme për autonomi shkaktuan reaksion edhe te fuqitë më të mëdha. Frika nga një lëvizje për autonomi shkaktoi shqetësimin e Austro-Hungarisë, e cila grumbullimin e forcave shqiptare e shihte si një rrezik për një pjesë të Bosnjës së Hercegovinës të cilën e kishte nën administrimin.

Çështja shqiptare ishte një çështje e politikës së brendshme osmane dhe si e tillë trajtohej nga Fuqitë e Mëdha. Ndërhyrja e fuqive të mëdha dhe shndërrimi i të gjitha çështjeve të brendshme të Perandorisë Osmane në çështje të politikës evropiane përbënte problem për Lidhjen Shqiptare, e cila, duke mos qenë shtet, nuk e kishte të drejtën e subjektivizmit në marrëdhënie ndërkombëtare. Kjo e drejtë i takonte Perandorisë Osmane, e cila ishte e detyruar të hynte në marrëdhënie ndërkombëtare me Fuqitë e Mëdha për hartimin dhe realizimin e marrëveshjeve ndërmjet tyre për trojet shqiptare. Pavarësisht veprimtarisë, politike, diplomatike, ushtarake e kulturore, Lidhja Shqiptare nuk mund të ishte pjesë e tavolinave diplomatike në të cilat ndërthureshin interesat gjeostrategjike dhe gjeopolitike të fuqive të mëdha. Orvatjet për realizimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit në opinionin publik dukej se thellonin krizën ndërmjet Portës së Lartë dhe Fuqive të mëdha, përkundrazi në prapaskenat diplomatike diplomacia ruse punonte sipas projekteve të veta, duke rikthyer kështu në skenën ndërkombëtare çështjen e Ulqinit, të cilën e kishte paraparë në traktatin e Shën Stefanit.

(Pjese nga punimi-master,, Diplomacia dhe zgjidhja e çështjes se Ulqinit’’)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top