Tuesday , December 10 2019
Lajmi i fundit

Sabri Salaj: Prapaskenat e diplomacisë – Lidhja e Prizrenit (5)

Sabri SalajMë 28 qershor 1880 ambasadori Goshen dhe ai gjerman Hacfel i kumtuan sulltanit se për t’i qetësuar shqiptarët ishte më mirë që atyre t’u jepej autonomia administrative. Po ashtu, më 27 korrik të vitit 1880 ambasadori Goshen i deklaroi kolegut të tij austro-hungarez, se ishte i vendosur për formimin e Shqipërisë dhe se nuk mund ta mendonte ndryshe zgjidhjen e çështjes orientale. Ai theksonte se në fillim duhet t’i jepej autonomia për shkak të rrethanave ndërkombëtare, kurse një Shqipëri e Bashkuar – theksonte ambasadori anglez – do të ofronte mjaft garanci për zhvillimin e saj të brendshëm për ekzistencën e saj dhe qetësinë në Gadishullin Ballkanik. Pikëpamjet e ambasadorit Goshen për bashkimin e Shqipërisë si dhe ato të përfaqësuesit të Britanisë në Komisionin e reformave, Lordit Ficmoris, u vunë në bazë të qëndrimit zyrtar të Londrës për çështjen shqiptare. Parashtrimi i tezës së Lordit Ficmoris mbi bashkimin e katër vilajeteve etnike shqiptare dhe dhënien e një autonomie hasi në kundërshtim të Francës dhe Rusisë, po ashtu Austro-Hungaria nuk e mbështeti po as nuk e kundërshtoi një autonomi për Shqipërinë, duke u kufizua përballë trysnisë së Rusisë.

Politika zyrtare në mbrojtje të çështjes shqiptare u bë publike edhe nga kryeministri i Anglisë, Gladstone, më 1880, ku deklaronte: “Çdo popull i shtypur ka të drejtë ta shkundë zgjedhjen e tij dhe në qoftë se shqiptarët janë mërzitur e lodhur nga zgjedha turke dhe qeverimi i keq i saj dhe dëshirojmë me qenë të pavarur, kanë urimet e mia më të përzemërta për ta. Është e vërtetë që drejtpërsëdrejti nuk mund të bëj kurrgjë për ta, po kur plani juaj ka dalë me të vërtetë fitues, flamuri turk të jetë zhdukur dhe pavarësia e Shqipërisë të jetë shpallur, le të deklarohet qeveria juaj zyrtarisht dhe Anglia do të jetë e para fuqi që do ta njohë pavarësinë shqiptare. Unë do të mundohem me gjithë shpirt me ndikuar edhe mbi të tjerët që të ndjekin këtë shembull. Në këtë linjë dikur edhe Sir Eduard Grej kishte deklaruar: “Gjithë kombet e Evropës të jenë të lirë të formojnë sipas dëshirës vetqeverimin e tyre e t’i prinë vetëpërparimit të vet në liri të plotë. Ky ideal i ynë përfshin pa përjashtim gjithë kombet e Evropës, të vegjël e të mëdhenj”.

Veprimtaria diplomatike e Lidhjes Shqiptare për mbrojtjen e trojeve etnike kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe për formimin e shtetit autonom dhe të pavarur shqiptar frymëzohej nga idetë përparimtare të qytetërimit evropian. Në peticionin dërguar nga Preveza, më 28 shkurt 1879, Lidhja u lutej Fuqive të Mëdha të respektonin edhe ndaj shqiptarëve principet e mëdha të kombësisë. Ajo kërkonte që Evropa ta garantonte ekzistencën e shqiptarëve si një komb i lirë, i cili, nëse do të arrijë të jetë i tillë, do të bëhej një Lindje, një bashkëpunëtor aktiv i kombeve që ecin në rrugën e qytetërimit. Po ashtu, në pranverën e vitit 1879 Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni ndërmorën një aksion diplomatik në kryeqytetet më të mëdha të Evropës, Romë, Paris, Londër, Berlin, Vjenë. Me këtë rast u drejtuan kancelarive një memorandum me të cilën kërkonin që shqiptarët të trajtoheshin ashtu siç ishin, si një komb m vete dhe që Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga politika e copëtimit të tokave të tyre.

Përveç veprimtarisë politike, diplomatike dhe ushtarake me anë të së cilës ndërkombëtarizohej çështja shqiptare, Lidhja Shqiptare nëpërmjet kulturës kombëtare kërkonte ta dëshmonte ekzistencën e kombit shqiptar. Mbrojtja e idesë së ekzistencës së një kombi shqiptar dhe e të drejtave të tij lidhej me kontekstin e Krizës Lindore, do të thotë me kërcënimet e copëtimit të pjesë evropiane të Perandorisë dhe përfshirjes në shtetet greke dhe sllave të territoreve të banuara tërësisht apo pjesërisht nga shqiptarët. Nga kjo pikëpamje, shqiptarizmi i Shemsedin Sami Frashërit, nga mënyra se si filloi të shprehej në shtypin e viteve 1878-1880, ishte një instrument për ta kundërshtuar sllavizmin dhe mbi të gjitha helenizmin. Pashko Vasa me veprat i tij nëpërmjet pasqyrimit të identitetit, historisë, kulturës bënte një paraqitje të plotë të kauzës shqiptare përpara fuqive evropiane.

Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve caktoi Shemsedin Samiun, Pashko Vasën, Jani Vreton dhe Hoxha Tahsinin për të krijuar një alfabet kombëtar. Të armatosur me një alfabet, shqiptarët mund të zhvillonin një letërsi standarde në gjuhën e tyre amtare. Gjithashtu, u themelua në Stamboll “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, ku si qëllim kishin botimin e librave në gjuhën shqipe. Po ashtu, Thimi Mitkoja botoi veprën e tij kryesore “Bleta Shqiptare”, vepra e parë e plotë me këngë popullore shqipe.

Gjatë tri viteve të Lidhjes Shqiptare arbëreshët e Italisë me De Radën bën një punë të madhe duke i treguar opinionit publik botëror se kush ishte populli shqiptar, cila ishte historia e tij e lavdishme, gjuha e tij e pasur dhe e lashtë, folklori dhe letërsia e tij e bukur etj. Në favor të çështjes shqiptare ishte edhe ndonjë organ i shtypit periodik të kohës i kontrolluar nga dora e arbëreshëve të Italisë. Duhet dalluar gazetën “La Reforma”, e cila botoi një tok letrash të gazetarit arbresh Pietro Kiara, ku më pas ky i përmblodhi në librin më titull “Shqiptarët dhe Lidhja” të botuar më 1880. Duke dënuar Fuqitë e Mëdha “për padrejtësitë dhe gabimet e Kongresit të Berlinit”, Kiara pohonte se Lidhja Shqiptare është vendosur t’i bëjë hesapet me armë në bilancin e ngatërresave të afërta të Evropës, është vendosur të bashkëpunojë e të veprojë me të gjitha mjetet për të mirën e atdheut duke kërkuar një autonomi të plotë. Qëllimin e themelimit dhe veprimit të Lidhjes Shqiptare, publicisti e juristi arbëresh e shihte qartë: “Në Prizren … mori formë dhe qëndrueshmëri bashkimi kombëtar që u mbështet nga të gjithë njerëzit më të shquar të Shqipërisë, pa dallim grade, privilegji dhe besimi. Lidhja Shqiptare është themeluar për mbrojtjen dhe kërkesat e tërësisë tokësore kombëtare”.

Veç ndërtimit të argumenteve që integriteti territorial i Shqipërisë të përcaktohej sipas prejardhjes etnike ku çdo ndarje trojesh duhet të bazohej në etnitetin dhe kombësinë, elita e mendimit politik shqiptar ndërmori hapa konkretë për zhvillimin e kulturës kombëtare, me gjuhë dhe shkolla shqipe. Gjuha ishte mjeti më i rëndësishëm i ndërtimit dhe i zhvillimit të kulturës kombëtare, si dhe argumenti bindës për ekzistimin e kombit shqiptar. Kjo ndërthurje e veprimtarisë së rilindësve u bë frymëzim dhe udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, ku synimi primar ishte dhe mbeti pavarësia e Shqipërisë.

Peticioni i fundit që njohim deri më sot, dërguar ambasadorëve të fuqive të mëdha nga Lidhja Shqiptare, është ai i datës 15 prill 1881, ku kërkesa e tyre ishte bashkimi i katër vilajeteve në një të vetëm që ta mbante emrin Shqipëri, një e drejtë që i takon Shqipërisë si një vend evropian. Lidhja u detyrohej qeverive evropiane, meqë i çmonte ato si qeveri që shquheshin për respektimin e të drejtave të popujve dhe të aspiratave të tyre, sepse besonte se, duke qenë të pajisura me ligjet dhe institucionet e nevojshme për njerëzimin, shtetet evropiane do të merrnin në konsideratë, pa asnjë dyshim, edhe kërkesat e shqiptarëve, do t’i respektonin dhe do t’i mbronin ato sipas së drejtës ndërkombëtare.

Lidhja Shqiptare ishte akti më i rëndësishëm i historisë së kombit shqiptar, me një platformë dhe program të qartë për realizimin e një qëllimi që ishte Pavarësia e Shqipërisë. Megjithëse nuk ia arriti qëllimit, Lidhja Shqiptare u bë frymëzim për brezat e ardhshëm dhe të tashëm të kombit shqiptar. Brenda shpirtit të rilindjes kombëtare mbizotëronte ideja e bashkimit kombëtar, kështu që mendimi politik shqiptar i rilindësve bëri që çështja shqiptare të ishte një problem ndërkombëtar i cili kërkonte zgjidhje duke respektuar të drejtën ndërkombëtare. Interesat gjeostrategjike dhe gjeopolitike të Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane në Ballkan dhe Anadoll bëri që çështja shqiptare të mos zgjidhet sipas postulateve të së drejtës ndërkombëtare, por duke u bazuar në realpolitikë, e cila, po ashtu, udhëhiqej nga prapaskenat e diplomacisë sekrete.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top