Sabri Salaj: Privilegjet e Mirditës – Lidhja e Prizrenit (2)

Sabri SalajTraktati i paqes, i imponuar nga Perandoria Ruse, e cila doli fituese në luftë me Perandorinë Osmane, bëri që trojet shqiptare të Gadishullit Ballkanik që ishin nën sovranitetin territorial të Perandorisë të bëhen pjesë e pazareve diplomatike të Rusisë dhe fuqive të mëdha. Diplomacia ruse kërkonte që tokat shqiptare t’i ndante ndërmjet Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi, ku pastaj nëpërmjet tyre ta vendoste ndikimin e saj në Ballkan, kurse nga ana tjetër disa nga Fuqitë e Mëdha kishin synim influencimin politik, ekonomik, kulturor në këto zona të Ballkanit. Kështu, Ballkani, gjegjësisht Shqipëria, ishte dhe vazhdoi të mbesë një arenë në të cilën përplaseshin politikat ndërkombëtare.

Përpara se të mblidhej kongresi iluministi Pashko Vasa në aktivitetin gjithëkombëtar që kishte nisur në mars 1878, duke iu referuar në emër të kombit, vinte në dukje se po lindte një çështje e re, çështja shqiptare, duke bërë të ditur se shqiptarët kërkojnë me të drejtë futjen e tyre në gjirin e familjeve të mëdha evropiane, pjesë e së cilës janë. Intelektualët e mendimit politik shqiptar nëpërmjet krijimtarisë kishin si synim që çështja shqiptare, e cila lindi nga Traktati i Shën Stefanit për zgjidhjen e problemeve në Ballkan, të ndërkombëtarizohet, ku nëpërmjet pasqyrimit të identitetit, historisë, kulturës të bëhet një paraqitje e plotë e kauzës shqiptare përpara fuqive të mëdha.

Kongresi i Berlinit, i cili u mblodh për t’i zgjidhur problemet që dilnin nga kriza lindore, me vendimet që mori dhe situatën që pasoi, krijoi një situatë shumë të komplikuar në të gjithë Evropën. Në realitet, si Traktati i Shën Stefanit, që i jepte fund luftës sipas interesave të politikës së Rusisë cariste, ashtu edhe Kongresi i Berlinit, i cili pretendonte të rishikonte të parin në favor të “ekuilibrit” të fuqive të mëdha ishin, në fakt, që të dy vepër e së njëjtës politikë.

E vetmja çështje që u përmend në Kongres në lidhje me Shqipërinë ishte ajo e privilegjeve të Mirditës. Kjo ishte një kërkesë e Austrisë e cila, duke pasur mbështetjen e Francës, kërkonte që Mirdita t’i gëzonte privilegjet të cilat do t’i përdorte si një bazë ndërhyrjesh të mëvonshme për llogaritë e saj. Në fillim Porta nuk ra dakord, por me një ndërhyrje diplomatike të Anglisë dhe Francës, Porta ra dakord që Mirdita t’i gëzojë po ato privilegje që i kishte, me çka u plotësua ai që në parakushte u quajt koncesion evropian ndaj Rusisë dhe sllavëve të jugut se në kongres nuk do të bisedohet për kurrfarë autonomie tjetër, pos asaj të Bullgarisë, me arsyetimin se çfarëdo kërkese e ngjashme që do të paraqitej duhet të bartet në kuadër të zotërimeve të Perandorisë Osmane për reformat e brendshme, që ajo mori në Kongres.

Vendimet e Kongresit për Ballkanin, gjegjësisht Shqipërinë dhe copëtimin e trojeve të tyre në dëm të shteteve fqinje bëri që intelektualët shqiptarë, të cilët shumë shpejt e kuptuan se çdo qëndresë efektive ndaj shkëputjes së trojeve kërkonte një organizim në shkallë kombëtare, për t’i bashkuar shqiptarët, në mbrojtje të njësive territoriale të Shqipërisë. Kështu që, si rezultat i kësaj vetëdije mbarëkombëtare bëri që më 10 qershor 1878 të themelohet në Prizren, ajo që në histori njihet si Lidhja Shqiptare.

Lidhja e Prizrenit, duke qenë një vazhdimësi e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, veproi si përfaqësuese e gjithë kombit shqiptar. Hartimi i platformës kombëtare, me një program të qartë politik, me një organizim shtetëror në shkallë kombëtare, me ushtri dhe me një diplomaci shumëdimensionale, tërhoqi vëmendjen e diplomacive më të fuqishme të kohës. Lidhja Shqiptare krijoi një epokë në vete në planin e kulturës kombëtare e të mendimit politik shqiptar.

Perandoria Osmane në fillim e përkrahu idenë e Lidhjes Shqiptare sepse nëpërmjet saj diplomacia osmane kërkonte t’i realizonte interesat e saj, ku nëpërmjet rezistencës së shqiptarëve kërkonte që Kongresi i Berlinit t’i kufizonte sa më shumë kërkesat e Rusisë dhe shteteve fqinje. Por, kjo përkrahje nuk do të thotë se Perandoria Osmane ishte ajo e cila e krijoi një lëvizje të tillë, sepse në momentin kur Lidhja u kthye kundër Stambollit për ta kërkuar autonominë, Perandoria përdori forcën dhe e shpërndau.

Kërkesat shqiptare për autonominë kishin si argumentim nenin 23 të Traktatit të Berlinit, i cili e detyronte Perandorinë Osmane ta zbatonte për Kretën rregulloren e autonomisë të parashikuar më 1868 dhe të formonte komisione të veçanta, me pjesëmarrjen e vendësve për t’iu siguruar krahinave të tjera në Evropë, sipas nevojave të secilës, nga një rregullore te përshtatshme administrative.

Rilindësit e mendimit politik shqiptar nuk e konceptonin autonominë e Shqipërisë si një zgjidhje përfundimtare të çështjes kombëtare, por si një hallkë transitore drejt pavarësisë. Duke e njohur përvojën e lëvizjeve kombëtar në Ballkan, duke marrë si shembull vendet e Ballkanit, Serbinë, Greqinë, Bullgarinë që kaluan drejt pavarësisë nëpërmjet një organizimi autonom shtetëror. Edhe pse udhëheqësit e Lidhjes nuk e shtruan haptazi kërkesën e pavarësisë, duke u kufizuar në autonomi, ata vijuan ta konsideronin atë si pjesë të pandarë të mendimit politik shqiptar.

Këto synime të pashpallura zyrtarisht të Lidhjes për pavarësinë e Shqipërisë dhe për shkëputjen e saj nga Perandoria Osmane nuk ishin të panjohura edhe për administratën osmane dhe Portën e Lartë. Duke njohur aspiratat e kombit shqiptar, diplomacia osmane nuk lejonte bashkimin e vilajeteve shqiptare dhe të drejtën e një autonomie, por kërkonte që trojet shqiptare t’i përdorte në pazaret diplomatike me Fuqitë e Mëdha për zgjidhjen e problemeve që kishin dalë nga vendimet e Kongresit të Berlinit. Kjo dëshmohet më 6 qershor të vitit 1880, ku vendimi për formimin e vilajetit të bashkuar të Rumelisë (faktikisht të Shqipërisë), në të cilin përfshiheshin vilajetet shqiptare të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës, u anulua nga Porta e Lartë sepse ishin të bindur se Lidhja kishte qëllim të fundit “ta vinte Shqipërinë nën një administrim të pavarur”.

Diplomacia osmane çështjen shqiptare e trajtonte si një çështjes të politikës së brendshme osmane, kështu që duke qenë pjesëmarrëse në Kongres ajo kishte tagrin që të flasë në emër të shqiptarëve. Delegacioni i Portës në të gjitha diskutimet që flitej për Shqipërinë dhe territoret shqiptare ishte në mbrojtje të tyre duke argumentuar arsyet pse kufijtë e Shqipërisë nuk duhen ndryshuar, por i gjithë ky diskutim vinte në rolin e humbësit sepse lufta ishte fituar nga një tjetër superfuqi, Rusia, e çdo gjë dirigjohej nga diplomacia e saj.

Ambasadori rus në Londër, Grof Petar Shuvallovi, me urdhër të qeverisë së tij kërkoi prej Kongresit që Malit të Zi t’i jepet rajoni i kërkuar deri në Bunë dhe Shkodër. Të gjitha kërkesat e drejtuara nga diplomacia ruse për zgjerim të territoreve të shteteve sllave, ku nëpërmjet tyre si synim kishte krijimin e një pozite strategjike në Ballkan, në thelb përbënte politikën ekspansioniste të saj në Ballkan dhe Mesdhe. Kjo politikë e Rusisë ishte në kundërshtim me fuqitë e tjera. Anglia si fuqi e madhe detare nuk mund të lejonte kurrsesi që Ballkani të binte nën sundimin apo kontrollin rus dhe Rusia të dilte në Mesdhe. Austro-Hungaria ishte përfshirë në lojën diplomatike me Rusinë për ndarjen e zonave më me influencë në Ballkan, por kur doli në skenë ideja për krijimin e një shteti të madh sllav në zemër të Ballkanit, atëherë pozita e saj strategjike kërcënohej, kështu që vazhdonte të ishte në mbrojtje të Perandorisë Osmane.

(Pjese nga punimi-master,, Diplomacia dhe zgjidhja e çështjes se Ulqinit’’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…