Në bibliotekën time kam një libër të shkruar para 50 vjetësh për monumentet kulturore në Shqipëri, me autor Rrok Zajzi. Por, libri i juaj, ndryshe nga ai, dallohet se ju i keni jetësuar monumentet historike, i keni lidhur me personazhe historikë e bashkëkohës e ata flasin me hollësi për monumentet e një qyteti si Ulqini. E për këtë meritoni përgëzime të veçanta. Kam edhe një album tjetër të Kahraman Ulqinit, i cili rreshton disa fotografi cilësore të Fototekës “Marubi”, por ka pak monumente historike.
Unë, i dashur Gano, dua të shtoj edhe një vlerë tjetër të librit tuaj, pikërisht këndvështrimin e gjerë të monumenteve të kulturës ulqinake. Gjen aty institucione të vjetra, shtëpi karakteristike qytetare, shkolla, kroje, xhami, kisha e të tjera, që nuk di t’i ketë bërë dikush tjetër. Të lumtë!
Një mjek i vjetër, i njohur e i nderuar në Shkodër, të cilit unë ia dhuroj me qejf librat e mi e ai i lexon me dëshirë, është shprehur se:
“Ganiu në librat e tij përdor apo përmend shumë emra”.
Nuk e di qëllimin, por shokut tim që ma solli këtë mendim i thashë se po të kisha mundësi e aftësi do t’i rreshtoja në një libër të gjithë emrat e njerëzve të mirë që ka pasur e ka Shkodra. Mua më duket se ti ke arritur që me këtë libër të rreshtosh objekte me vlerë, por edhe shumë njerëz të vlerësuar e të nderuar. Edhe për këtë, ju lumtë! Suksese të mëtejshme!
Mora edhe librin “Mullini i erës”, i cili, si zakonisht, më pëlqeu për lidhjen e paraqitur estetike, që unë nuk i afrohem me librat e mi Të falënderoj që më kishe vënë emrin si lektor, por unë të kam thënë, unë kam kryer vetëm një detyrim, obligim, për të dhënë një kontribut modest, që për mua është i papërfillshëm. Sidoqoftë, të falënderoj.
Po e përfundoj këtë letër me urimin e bardhë:
“Për shumë vjet e me lumturi e suksese Vitin e Ri 2021!.. Përshëndetje të përzemërta Netes, djemve, nuseve e sidomos nipave tuaj të çmuar.
(Sami Kraja, publicist, shkrimtar nga Shkodra)