Punëtorët turistik pajtohen në vlerësimin se sezoni i ardhshëm turistik do të jetë një nga më të paparashikueshmit në 2,5 dekadat e fundit.
Nga Shoqata turistike malazeze kanë njoftuar se “nëse në afatin më të shkurtër diçka nuk ndërmerret në këtë fushë, 2015-ta do të jetë shumë e vështirë, shumë më e komplikuar se sezoni i kaluar”.
Arsye për këtë janë shumë: prej rënies së fuqisë blerëse të banorëve të regjionit deri tek numri më i ultë i Rusëve për shkak të rënies së vlerës së rublës, e deri tek pamundësia e depërtimit më të fuqishëm në tregun europianopërendimor.
Masa e parë që tashmë po ndërmerret është ulja e çmimeve në hotele, si dhe promovimi më i fuqishëm në tregjet eminente.
Por, duket që shumica e vendimmarrësve dhe punëtorëve turistik akoma nuk janë të vetëdijshëm për vakuumin, gjegjësisht për rrezikun në të cilin ndodhet turizmi jonë.
Ulqini, si qytet në të cilin tre të katërtat e të ardhurave realizohen direkt apo indirekt nga turizmi, duhet ti përcjell mirë këto trende. Duhet shpejt të sillen vendimet dhe sa më mirë të përgatitemi për sezon, e cila tashmë është në prag.
Për këtë, përveç të tjerash, duhet të diskutohet në mbledhjen e Këshillit ekzekutiv të Organizatës turistike të Ulqinit.