Sezoni në Durrës: PUNOJNË ME 20 % TË KAPACITETEVE

durresMuaji i Ramazanit “boshatis” plazhin e Durrësit. Operatorët turistikë deklaruan se hotelet dhe lokalet punojnë me 20 për qind të kapacitetit të tyre. Gjatë 10 ditëshit të parë të korrikut ka një ulje drastike të frekuentuesve të plazhit më të madh në vend, i cili prej vitesh është bërë destinacioni edhe i pushuesve nga Kosova e shqiptarët e Maqedonisë. Në pikun e këtij sezoni “patriotët” e Durrësit kanë preferuar të agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit, i cili sipas kalendarit mbyllet në fund të këtij muaji, me festën e Bajramit të madh.

Nga Agipi deri tek “Iliria”, çadrat e shezlongët janë të mbledhura, ndërsa në lokale janë vetëm kamarierët. Ndërkohë, në zonat më të mbipopulluara dhe konkretisht tek “Iliria” dhe “Rrota e Kuqe”, subjektet punojnë me 20 për qind të kapacitetit të tyre. “Sivjet nuk ka punë as të paguhen pagat e kamarierëve dhe kuzhinierit. Ja shikoni, nuk ka asnjë person në lokal. Pushuesit, kryesisht shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë me agjërim”, tha pronari i një lokali tek “Rrota e Kuqe”. Lokalet me emra tipikë të Kosovës ose Maqedonisë janë bosh. Në të njëjtën situatë janë edhe hotelet dhe banesat private. “Nuk ka prenotime fare për muajin korrik, turizmin në Durrës e bëjnë kosovarët dhe maqedonasit. Hotelet, lokalet dhe restorantet janë për t’u mbyllur, po ashtu edhe banesat private”, u shprehën menaxherët e këtyre subjekteve që i takuam në rrugë, në përpjekje për të gjetur qoftë edhe një pushues për klientelë.

Kjo situatë ka sjellë edhe uljen drastike të çmimeve në restorante dhe hotele si dhe banesat që jepen me qira. Nga ana tjetër, plazhi është më i pastër në krahasim me vitet e tjera për shkak të uljes së numrit të pushuesve. Gjithashtu, plazhi i Durrësit këtë sezon është më i sigurtë. 10 punonjës policie të patrullës së përgjithshme patrullojnë me biçikleta përgjatë vijës bregdetare, të ndarë në grupe.

(KLODIANA HAXHIAJ/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…