Wednesday , November 21 2018
Lajmi i fundit

Shaban Peraj: PUSHTETIN E HUMBËN JO ME FAJIN E VOTUESIT

Shaban PerajKur i dëgjon se si flasin liderët e subjekteve politike shqiptare këtu në Mal të Zi e kuptojmë se ku jemi. Ata janë bërë pjesë e pashmangshme e problemeve tona, pa ndonjë alternativë. Në Mal të Zi ka disa vite që po të njëjtit, përditë e më shumë po e damkosin shoqërinë tonë. Këtë e shohin të gjithë qytetarët shqiptarë se po luhet me moralin dhe ndërgjegjen e tyre. I gjithë angazhimi, e gjithë lufta e tyre për votë dëshmon se u ka verbuar sytë politika për të kapur pushtetin lokal dhe për të realizuar interesat grupore, po çka se në çdo palë zgjedhje kanë shkelur mbi parimet dhe kërkesat e votuesve. Se puna është kështu dëshmuan edhe zgjedhjet e fundit lokale në Ulqin, dhe sapo morën rezultatin gati sa nuk i lëshoi shpirti për “fatin” e mëtejmë të pushtetit lokal! Ata (prijësit shqiptarë) pas këtij rezultati vazhduan të sorollatën andej e këndej gjoja për të gjetur ndonjë formulë që i shpëton nga përgjegjësitë politike.

Më në fund u bë një koalicion miks i përzier me ndonjë parti mahallash, por që këtu pa filluar mirë punën duket se ka hatërmbetje nga ata që mundohen akoma të arsyetojnë atë që nuk mund ta arsyetojnë më, pavarësisht se në opinion mundohen të shesin sapunin për djathë. Partia që fitoi më shumë përqindje votash, në fund ju qiti rrethin dhe i futi të gjithë në vathë. Nga gëzimi të gjithë dolën të kënaqur dhe këta si duket e kanë mësuar mirë këngën: sa me gëzim po shkoj në punë. U bënë trima, ndaj edhe këndojnë duke harruar se tashmë janë bërë përrallë e botës. Tani çështja është: Pse heshtin, pse nuk e tregojnë të vërtetën lidhur me tregtinë e votës që e tjetërsojnë pas zgjedhjeve?

Për momentin më i pëlqyeshëm është emërimi i posteve drejtuese në administratën lokale e ndërmarrjet publike. As ata vetë nuk dinë se si do të sistemohen pasi kushdo që shkon a thua ka për të gjetur karrige boshe ku të ulet sepse nuk ka mbetur ndonjë zyrë e zbrazët, ndaj fryrja e administratës lokale i bënë të sillen si pula pa kry e të rrëzohen në mes veti se sa shumë janë. Në këtë pikë ata të mëparshmit patën një “zor” që punësuan pa kritere, moralisht i morën për t’ua bërë qejfin, por edhe për të siguruar vetën e për të qenë të rehatshëm në kolltuqet e buta.

Nga rezultati i zgjedhjeve të fundit liderëve politik shqiptarë iu dërgua një mesazh i qartë sepse gjatë këtyre viteve nuk kanë lëvizur asnjë hap e nuk kanë luajtur asnjë gur për hapësirën e trojeve etnike shqiptare në Mal të Zi. Tani që pushtetin e humbën jo me fajin e votuesit, “qajnë e vajtojnë “, për hallin që u sollën qytetarëve të Ulqinit! Harrojnë se janë vetë dora e keqe e këtij komuniteti dhe “puna e papunë” e tyre vazhdon të dëshmohet në të gjitha zgjedhjet lokale. Janë përulur mjaft sipas interesave personale, radhën e kanë të rinjtë, ndryshe duhet të mbledhin plaçkat e të largohen “sahat” e më parë nga rruga pa kry të cilën e kanë përfunduar tashmë. (Koha javore)

One comment

  1. larg-nga-ulqini

    Z. Peraj – edhe keta qe jane ne fuqi ja ka filluar kur kane qene to rij. Nuk do te thot se te rijt do te ndryshojne situaten. Eshte shum veshtire me e nderrue kulturen dhe vetedijen kur interesi personal dominon. Per politikan (jo vetem shqiptar) nuk mjafton qe jetojne ne korriz te popullit (taksepaguesve), por serish korruptohen. Ne fushata elektorale deklarojne se do te luftojne korrupcionin. Me trego se kush lufton kunder vehtes?

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top