Friday , September 20 2019
Lajmi i fundit

Simon Shkreli: „TOKA E PREMTUAR“ – ATDHEU IM

 

Simon ShkreliNuk dua që me këtë që do them në këtë shkrim të irritoj askënd e aq më pak të ndikoj te ndokush! Në vitin 2004, në vjeshtën e këtij viti vendosa që të nis një jetë të re, në një vend që quhet Shqipëri. Për mua dhe familjen time, ku jam rritur ishte dhe vazhdon të jetë “Toka e premtuar” e mohuar për shumë e shumë vite. Vendosa të jetoj në një qytet afër shtëpisë time, familjes dhe të afërmve vetëm 19 kilometra larg. Edhe sot vazhdoj të besoj se ka qenë zgjidhja më e mirë për mua dhe familjen e re që po krijohej asokohe. Por sot 12 vite më pas çdo gjë ka ndryshuar! Kur e nisa rrugëtimin tim, në një vend të ri për mua, në “Token e premtuar”, isha më shumë se ç’duhej idealist. Besoja thellësisht se ky vend është i përshtatshëm për mua, i jetueshëm dhe se këtu mund të gjeja veten. Nuk isha i gabuar! Isha edhe më trim! Më trimëronte, etja e madhe që të bëja diçka i pavarur nga prindërit e mijë. Të tregoja se ato dy-tre ditë shkollë që i bëra 500 kilometra larg shtëpisë, kishin vlejtur. Ato dy tre ditë shkollë kishin formuar një person të aftë të menaxhojë jetën e tij, të krijojë një familje të qëndrueshme, duke u bazuar në moral, qytetari dhe edukim. Kjo ishte ajo që unë besoja për vetveten. Ky besim më dha kurajon që të mos frikësohen përballë asnjë sfide. Sepse tek e mbramja besoja dhe besoj se jeta është një sfidë. Një sfidë, ku përballjet me një sistem vlerash, ku rëndësi ka mendimi, kultura dhe edukata bëjnë të mundur konkurrimin e çdo individi, në ndërtimin e “kështjellës” së tij. “Kështjellë”, e cila nuk mund të cenohet në asnjë moment dhe nga asnjë lloj sfide, pasi themelet mbi të cilat është ndërtuar përbëjnë bazën e çdo shoqërie të shëndosh. Unë besoj tek shoqëria shqiptare, tek vitaliteti i saj.

Nëse besoj edhe sot? Asokohe nuk kisha frikë! Sot kam frikë!

Pse mendoni se kam frikë? Kam frikë se jam bërë më frikacak se 12 vite më parë, ndoshta shkak edhe mosha, apo ndoshta shkak të menduarit gjërat më ndryshe. Frikë nuk mund të quhet se më cenohet siguria ime fizike, e cila nuk ka asnjë rëndësi tek e fundit edhe nëse do cenohej dhe do vihej në rrezik do ishte thjeshtë një statistikë. Pse kam frikë? Sado që unë të jetoj me idealizmin dhe realizimin e ëndrrës së madhe, të jetoj në “Tokën e premtuar”. Frikësohem nëse djali im, i cili është vetëm tre vjeç, nesër nuk do vendosë të largohet nga e premtuara tokë e babait të tij? Janë disa nga pyetjet që ia bëj vetes çdo ditë. Mundohem të ngushëllohem me përgjigjet që i jap vetës, sepse kështu ndodhin gjërat gjithë andej, sepse ky është një vend që po përpiqet të bëhet! Se synon që të arrij standardet e një vendi demokratik, ku liria dhe demokracia, janë në sintoni me zbatimin e ligjit. Ku njeriu vlerësohet me atë që ka në kokë dhe jo atë që ka në xhep. Ku një i ri mund të gjejë punë sipas kualifikimit që ka dhe asaj që ka arritur apo që synon të bëjë në jetë. Këto përgjigje që i jap vetës janë ndoshta të drejta. Por a do mendoj kështu im bir kur të rritet? Kjo pyetje më frikëson tej mase! Vë në dyshim çdo gjë që unë kam menduar në 2004-n, kur vendosa të jetoi në “Tokën e premtuar”!

Frika më shtohet edhe më shumë kur çdo ditë shoh atdheun tim duke u rrokullisur drejtë një gremine, ku vlerat kulturore, morale dhe qytetëruese janë zëvendësuar me vlerën e xhepit. Ku kolegët e mi rrihen si në “karadak”, kur në të rënë të muzgut maskat grabisin, kur vriten njerëz, ku mjerimi në pjesën më të madhe të familjeve është ulur këmbë kryq. Ku politikanët i quajnë gazetarët prostituta, ku fjala e lirë dhe liria e të qenurit njeri sipas parimeve dhe moralit njerëzor janë thyer, ku gjysma e shqiptarëve flasin me vete e gjysma flasin në celular! Të gjitha këto më shtojnë frikën, se ndoshta pas shumë vitesh kur im bir do vijë në moshën time do më akuzojë për vendimin e asaj vjeshte të 2004-s.

Por frika ime nuk mbetet me kaq, ajo shtohet edhe më shumë, kur ne, unë dhe bashkëshortja ime, si prind e ndjejmë vetën të paaftë për të siguruar për djalin tonë një të ardhme të sigurt. Ku ai do vlerësohet për atë që ka në kokë dhe jo në xhep. Pasi sado që ne si prind të përpiqemi, frikësohem se edhe nëse ai do jetë një nga ata studentët e ekselencës do i duhet të kthehet nga një ekselent në një servil. Të vrapojë në një nga ato zyrat e partisë të marrë teserën dhe të ndjek urdhrat e të “fortit” të radhës, që do jetë në krye të partisë. E më pas të kthehet dhe të shohë duart e deputetit milioner, “kauboj”, “kriminel”, “rrugaç”, “të pamoralshëm” nëse ky do i japë ndonjë vend pune apo do i japë ndonjë vend në atë autobusin e tij të mbushur me servilë. Nuk dua të jem pesimist, pasi unë serish besoj, se ky vend mund të bëhet. Se vlerat morale do ngrihen, mbi llumin, të cilin e ka mbuluar vendin tonë. Se një ditë një njeri i vetëm nuk do ketë në dorë fatin, tim, të familjes time e të mbarë shoqërisë. Por shoqëria do jetë ajo që do ketë në dorë të ardhmen e saj. Por deri atëherë, a do jem unë njëri nga ata që do shijoj këtë dhe do jetoj ditët e lumtura? (Koha jonë)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top