Saturday , January 23 2021
Lajmi i fundit

SKENA MUZIKORE E ULQINIT NË NJËQIND VITET E FUNDIT

Jeta muzikore është përbërë nga këngët dhe vallet tradicionale, gjegjësisht folklorit popullor i cili, kryesisht, është kënduar dhe interpretuar në rastet siç janë dasmat, netët e vajzave, synetllëk dhe të ngjashme.

Më së shpeshti e interpretuar dhe më e spikatura është padyshim vallja e piratëve “Dum sharaveli” e cila është karakteristike për mënyrën e interpretimit të valles, këngës, ritmit, dinamikës si dhe me vetë kostumografinë dhe performancën skenike karakteristike për këtë trevë. Po ashtu është karakteristike kënga dhe vallja, sinkronizimi i lëvizjeve dhe fjalëve në stilin origjinal të interpretimit të Rexhep Abazit, veteranit të folklorit ulqinak, në këngën popullore “Nën hijen e limonit”. Këto dy këngë edhe sot e kësaj dite interpretohen në formën origjinale apo të stilizuar.

Në fillim të shekullit XX jeta muzikore është përbërë nga aktivitetet dhe ekzistenca e grupit të vogël popullor të Januz Abazit, mjekut popullorë i cili dijen e vet amatore të luajtjes së violinës ia ka përcjell brezit të ri.

Januz Nuro Abazi me familjen e vet ishte bartësi kryesor i të gjitha ngjarjeve muzikore dhe jetës muzikore në qytet. Jeta muzikore e Ulqinit herë pas here ishte e gërshetuar me interpretimet e muzikantëve nga Shkodra.

Nga viti 1927 – 1940 në Ulqin ekzistojnë dhe punojnë shoqëritë kulturo-artistike: Muzika qytetare bleh, “Shoqëria e sokolave”, SHKA “Rastisllava”(1946-1963). Pjesë e SHKA-së ishin nxënësit e shkollës fillore dhe Gjimnazit real.

Me përfundimin e Luftës së II botërore në vitin 1946/47 Ulqini fiton qendrën për kulturë në vendin atraktiv, në Ranë, (sot aty ndodhet restoranti “Hollegro”). Qendra për kulturë ishte i përbërë nga salla e kinemasë, biblioteka, skena funksionale për interpretimet muzikore dhe dramatike me piano koncertesh në të. Si i tillë, ishte një nga objektet më të mirë dhe më të njohura të këtij lloji në Mal të Zi. Në vitin 1968, për fat të keq, transformohet në restorant – express.

Ngjarja më e rëndësishme kulturore në këtë kohë, ka ndodhur pikërisht në këtë Qendër për kulturë. Me 13 maj të vitit 1955 ka interpretuar Opera e Beogradit me operën „Don Paskale“.

Në mesin e muzikantëve të parë të shkolluar, menjëherë pas Luftës së dytë botërore, ishte veterani, arsimtar i muzikës Qamil – Qamo Gorana. Përveç aktiviteteve të rregullta në Shkollën fillore, arsimtari i edukimit muzikor, Qamo Gorana është dhe themelues i shumë ansambleve në qytet, siç ishin: orkestra e tambures  prenë Shkollës fillore, kori dhe orkestra argëtuese të Shoqërisë së zjarrfikësave “Ulqini” i cili, njëkohësisht, ishte vendtakimi kulturor i Ulqinakëve të rinj.  Më vonë ky ansambël është transformuar në oktetin e meshkujve, kllapa “Ulqini”, të cilën e udhëhoqi Fiqri Hasanaga. Kllapa edhe sot e kësaj dite ekziston dhe punon me të njëjtin emër.

Në këtë periudhë veçohen disa muzikantë amator si për shembull: në harmonikë-Shaqir Aloja, Hamid Shata, Xhemal Fici, Lubo Todi, Jakov Bastaqi, Vebi dhe Rifat Llazorja, Tefa Doçi, Beto Kashoxha dhe të tjerë, e në violinë familja Zhygjelli.

Në 1978 pranë Mbrojtjes territoriale është formuar orkestra frymore të cilën e udhëhiqte Qamo Gorana.

Mëvon në Ulqin formohen dhe grupet tjera vokale dhe instrumentale siç ishin okteti i meshkujve “Ligatura“, okteti i femrave „Konsonanca“(pranë Gjimnazit „Vëllazërim Bashkim“, udhëheqës prof. Hajdar Axhemoviq), pastaj grupi popullor vokal dhe instrumental „Shahiri“ dhe „Burimi“, të cilët kultivojnë këndimin burimor dhe tradicional të këngës shqiptare. Udhëheqës është prof. i Shkollës së muzikës Mustafa Zhygjelli.

 

Ngjarja më e rëndësishme në fushën e kulturës dhe arsimimit muzikor, edukimit muzikor ndodhi në vitin 1995 kur është themeluar Shkolla e muzikës. Merita më e madhe i takon themeluesit dhe ideatorit, drejtorit aktual të shkollës së muzikës dhe prof. të muzikës Jusuf- Cuf Lika, i cili Ulqinit i dhurojë prodhuesin më të bukur të talenteve muzikore.

Shkolla e muzikës për një kohë shumë të shkurtë është bërë një nga bartësit kryesor të ngjarjeve në qytet. Përveç pjesëmarrjes në manifestimet e shumta në qytet, nxënësit e kësaj shkolle kanë treguar rezultate të jashtëzakonshme në gara të ndryshme në vend dhe jashtë vendit, pastaj dhe në universitetet e shumta ku vazhduan shkollimin. Shumë prej tyre janë sot profesor të suksesshëm pikërisht në këtë shkollë.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top