Thursday , December 13 2018
Lajmi i fundit

Suzana Ganiq: NGA PARATË E TË MIRAVE DETARE MË SË PAKU PËR QYTETARËT

Ligji i ri për financimin e vetëqeverisjeve vendore parasheh që t’i lë komunat bregdetare pa mjetet të cilat i fitonin nga Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare. Komuna e Ulqinit do të mbesë pa 700 mijë euro, ndërsa arsyeja për këtë vendim është shpenzimi i padedikuar i mjeteve. Loro Nrekiq, personi i parë i Ulqinit kundërshton një vendim të tillë, por edhe pranon se 50 për qind e mjeteve të cilat ia pagoi NP Të Mirat Detare, nga të ardhurat e përgjithshme prej territorit të komunës së Ulqinit, nuk janë shpenzuar me dedikim.Loro Nrekic

“Nuk do të përkrahë një vendim të tillë, e mesa di unë, nuk do ta përkrahin as kolegët e mi nga komunat tjera bregdetare. Jam i vetëdijshëm që parat nuk janë shpenzuar sipas dedikimit, janë shpenzuar për gjithçka, vetëm jo aty ku duhej. Punëtorët kanë marrë pagat nga këto para, janë kthyer borxhet, për çdo gjë janë shpenzuar, vetëm jo aty ku duhej”, tha Nrekiq.

Këtë e vërteton edhe Skender Kaleziqi, drejtori i Ndërmarrjes Publike Veprimtaritë Komunale. Prej momentit që Të Mirat Detare kanë filluar të paguajnë komunave 50 për qind të mjeteve, ato kapen për kokë, sepse prej atëherë nuk kanë parë asnjë cent. E pikërisht kjo, sipas fjalëve të Ivana Llazoviq, zëdhënëses në të Mirat Detare ishte qëllimi i pagesës së mjeteve.

“Në pajtim me Ligjin për financimin e vetëqeverisjes vendore dhe me Kontratën për shfrytëzimin dhe dedikimin e mjeteve nga kompensimi për përdorimin e të mirave detare, të nënshkruar në mes të Ndërmarrjes Publike dhe vetëqeverisjeve vendore, është definuar që vetëqeverisjet vendore mjetet ti dedikojnë për financimin e kryerjes së veprimtarive komunale gjatë tërë vitit në zonën e të mirave detare”, tha Llazoviq.

Drejtori i Ndërmarrjes Komunale thotë se Komuna i ka borxh një milion euro, gjë që mund të shihet edhe në raportin për punë të ndërmarrjes.

“Në vitin 2014 dhe 2015 sipas Programit të Punës të ndërmarrjes ishte e paraparë që Komuna të paguajë 160 mijë euro në vit. Këtë e nënshkroi edhe kryetari i atëhershëm i Komunës Fatmir Gjeka, por paratë nuk mbërritën deri tek ne. Në vitin 2016 nuk nënshkroi asgjë, as nuk u shqyrtua Programi i Punës. Vitin e kaluar dhe këtë vit e kemi nënshkruar kontratën me Komunën me vlerë 63 mijë euro, edhe pse sipas Programit për vitin e kaluar kjo vlerë ishte 140 mijë, ndërsa për këtë vit 240 mijë euro”, shpjegon Kaleziq.

Në NP Të Mirat Detare mendojnë se investimet e tyre në Ulqin janë në nivel lakmueshëm, si dhe që janë marrë dhe kanë zgjidhur problemet, të cilët kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e zonës së të mirave detare – rregullin hortikulturor dhe mirëmbajtjen e gardheve mbrojtëse, infrastrukturës komunale dhe ndriçimit publik, që në pajtim me Dispozitat ligjore dhe mjetet e transferuara, në tërësi duhet të jetë kompetencë e vetëqeverisjes vendore.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ulqinit mendon se NP Të Mirat Detare nuk investoi mjaftueshëm në Ulqin.Pylli i Pishave, Borova suma

“Kur flasim për investime, me të vërtet mendoj se nuk kanë bërë shumë. Nuk kanë investuar sa kanë përfituar. Këtë e them sepse dihet që Ulqini është specifik, sepse nga sipërfaqja e përgjithshme të cilën e menaxhon kjo ndërmarrje në Mal të Zi, 57% është në Ulqin”, rikujton Nrekiq.

Në vitin 2017 Të Mirat Detare përfitoi afër një milion e gjysmë euro nga Ulqini, gjysma e mjeteve shkoi në buxhetin e Komunës së Ulqinit, gjersa u investuan 100 mijë euro.

“Në vitin 2017 të ardhurat për komunën e Ulqinit, nga plazhet, objektet e përkohshme dhe terracat ishin 895.832,86 euro prej të cilëve Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Të Mirave Detare të Malit të Zi i takoi 50% ose 447.916,43 euro, ndërsa Komunës së Ulqinit 50 për qind. Këto mjete u paguan në llogarinë e veçantë të buxhetit të komunës – kompensimet për shfrytëzimin e të mirave detare të Komunës së Ulqinit, e në bazë të Nenit 28 dhe 76b të Ligjit për financimin e vetëqeverisjes vendore. Në vitin 2017 të ardhurat nga qiradhënia e lokacioneve në Bunë ishte 513.849,63 euro, prej të cilëve Ndërmarrjes publike për menaxhimin e të mirave detare të Malit të Zi i takoi 256.924,82 euro, po aq edhe Komunës së Ulqinit”, tha Llazoviq.

Ajo thekson se gjatë vitit 2017 u rritën të ardhurat nga lokacionet në Bunë, sepse kompensimet për vitin 2016 janë paguar në vitin 2017.

Nga 704,840 euro, sa para i mbeten kësaj ndërmarrje publike, ato Ulqinit “ia kthyen” 100.161 euro.

Prej këtyre parave, investimi më i madh është hapja e grykëderdhjes së Bunës, e cila u mbyll për herë të parë atë vit, për çka u ndanë 21.200 euro, 16 mijë euro janë shpenzuar po ashtu për pastrimin e brigjeve të Bunës, gjersa për monitorimin e detit janë ndarë 17.386,99 euro, shumë më tepër se vitet e kaluara.Bojana, Buna

Monitorimi i detit nënkupton kontrollin bakteriologjik të ujit, vëzhgimin e parametrave dhe resurseve biologjike në det sipas transektëve dhe të ngjashme. Për këtë aktivitet në vitin 2013 janë ndarë shtatë mijë euro, 2014 – 4.621 euro, ndërsa një vit më vonë monitorimi i detit kushtoi 10.796 euro, ndërsa në vitin 2016 – 12.049.

Pse rritet çmimi i monitorimit nga viti në vit mbetet e panjohur.

Investimi më i madh i NP Të Mirat Detare në Ulqin në vitin 2016 ishte ndërtimi i murit prej guri në Pyllin e Pishave. Ky projekti kushtoi 122.648 euro. Investimet e përgjithshme në atë vit ishin 206.753 euro. Një vit më herët NP Të Mirat Detare investoi në Ulqin 95.287 euro. Në atë vit vlera më e lartë është ndarë pikërisht për monitorimin e detit.

Në vitin 2014 NP Të Mirat Detare në Ulqin ka investuar vetëm 36.695 euro.

Në vit më herët kjo vlerë ishte 760.563 euro. Atë vit u ndërtua ndërtesa banuese për 13 familje, të cilët jetojnë në shtëpizat në Sukë, në lokacionin e ish hotelit Jadran, në mënyrë që të nisin përgatitjet për ndërtimin e hotelit të ri. Është interesante që ndërtesa, për të cilën Të Mirat Detare kanë ndarë gjysmë milioni euro, po rrënohet e zbrazët. Banorët nuk u zhvendosën akoma, vazhdojnë të jetojnë në shtëpiza në Sukë, ndërsa nuk ka as investitorë për ndërtimin e hotelit të ri.Ndertesa Pinjesh, Zgrada Suka

Nga NP Të Mirat Detare kanë llogaritur që prej viti 2012 deri në vitin 2018 në Ulqin kanë investuar 2.094.901 euro, nga mjetet të cilat kësaj ndërmarrje i takojnë për qiradhënien e lokacioneve.

“Gjatë kësaj periudhe Komunës së Ulqinit në bazë të Ligjit për financimin e vetëqeverisjes vendore u transferuarn 3.882.304,41 euro”, njoftohet nga Të Mirat Detare.

Nga kjo ndërmarrje vlerësojnë se është e qartë që Ndërmarrja Publike përkundër mjeteve të cilat ia transferon Komunës së Ulqinit, për çdo vit ndan mjetet shtesë dhe investon në Ulqin.

Që këto investime janë shumë të ulëta mendon edhe opozita e vogël në numër në Ulqin.

“Unë nuk e kujtoj investimin e fundit të cilin Të Mirat Detare e kanë bërë në Ulqin. Muri prej guri në pyllin e pishave është i vetmi investim i tyri i rëndësishëm në disa vitet e fundit, e ishte rreth një qind mijë euro. A është kjo mënyra e shpenzimit të mjeteve me dedikim”, pyet Omer Bajraktari, kryetari i Këshillit komunal të URA-së në Ulqin.Omer Bajraktari 1

Naser Resulbegoviq, kryetari i PSD-së në Ulqin mendon se Të Mirat Detare nuk investojnë mjaftueshëm para në qytet, nga i cili merr shumë.

“Edhe të Mirat Detare, por edhe Komuna i shpenzojnë mjetet jashtë dedikimit. Në pushtetin lokal , nga këto para, i mbulojnë vrimat buxhetore. Më tragjikja është këtë e bënë pushteti, në të cilin janë edhe partitë kombëtare shqiptare, të cilat ishin më të zhurmshme rreth kufirit të sipërfaqes përfshirëse të të mirave detare, ndërsa tani nuk bëhen të gjallë”, thotë Resulbegoviq.

Përkundër kësaj, opozita e Ulqinit nuk e përkrah marrjen e mjeteve nga Komuna.

“Ky është edhe një shembull i centralizimit brutal të pushtetit dhe edhe një shembull i marrjes së kompetencave nga vetëqeverisjet vendore. Në çdo shtet të civilizuar, administratat lokale kanë të drejtë në pjesëmarrje, të paktën në pjesën e të ardhurave të cilat vjelën nga territori i saj”, mendon Resulbegoviq.

Ai vlerësoi se shteti duhet të gjente formulën që të sanksionojë ato që i shpenzojnë mjetet jashtë dedikimit, e jo t’ia marrë paratë qytetit.

Në URA-në e Ulqinit e vlerësojnë si të pamoralshëm këtë veprim të Qeverisë.

“Është i padrejtë dhe i pamoralshëm. Ky është edhe një në serinë e zgjidhjeve të këqija ligjore që vjen nga Qeveria e Malit të Zi, e në dëm të Ulqinit. Ky është një hap gjigant drejtë centralizimit të mëtejmë të pushtetit”, thotë Bajraktari.

NP Të Mirat Detare prej vitit 2012 paguan një pjesë të mjeteve komunave nga e cila i vjelë të ardhurat. Vitin e parë kjo ndarje ishte shumë më e ulët për komuna, sepse 80 për qind e mjeteve i mbetën Ndërmarrjes Publike, ndërsa komunave janë paguar 20 për qind. Nga janari i vitit 2013 përqindja e ndarjes së të ardhurave është 50 për qind për Të Mirat Detare dhe po aq për komunat.

400 MIJË EURO TË MIRAT DETARE SHPENZUAN KËTË VIT

Sa ishin të ardhurat e Të Mirave Detare nga komuna e Ulqinit në vitin vijues, nuk mësuam. Sipas fjalëve të Ivana Llazoviq, zëdhënëses në këtë ndërmarrje, këto të dhëna nuk janë akoma përfundimtare. Atë çfarë dihet është sa kanë shpenzuar deri tani.

“Vlera e shpenzuar deri tani është 399.246 euro, por deri në fund të vitit do të ketë investime të tjera”, tha Llazoviq.

Më së shumti para, 320 mijë euro shkuan në llogarinë e Drejtorisë për Ujëra të Malit të Zi, e cila është bartëse e aktiviteteve për punimet në largimin e materialit tepricë nga shtrati i degës së djathtë të Bunës, në pajtim me Projektin për mirëmbajtjen e rrjedhshmërisë së degës së djathtë të lumit në zonën e grykëderdhjes së tij.Racva Bojana, Buna

Për rrethimin e dinave zallore në Plazhin e Madh dhe vendosjen e tabelave informuese janë ndarë 16.800 euro. Për rrafshimin e rrugës në pjesën e pasme të Plazhit të Madh janë ndarë 12.310 euro. Për rregullimin e ndriçimit publik në rrugën që çon në mole në kepin e Gjeranave, u shpenzuan 8.882 euro. Është punuar edhe dokumentacioni teknik për ndërtimin e një pjese të rrugës nga ish hoteli “Galeb” deri në “Albatros”, dhe kjo kushtoi 6.600 euro. Për hartimin e Studimit për rregullimin e ujërave të zeza nga objektet në brigjet e lumit Buna janë ndarë 4.799 euro.

Për hartimin e Projektit kryesor të ndërtimit të vendit për nxjerrjen e anijeve në Plazhin e Vogël janë ndarë 6.850 euro.

Hulumtimi dhe pastrimi i shpellave detare në zonën e Pyllit të Pishave kushtoi 8.264 euro, gjersa për infrastrukturën komunale në Plazhin e Madh dhe të Vogël dhe Pyllin e Pishave në këtë vit janë paguar 9.090 euro. Rregullimi i molës në kepin e Gjeranave në Ulqin kushtoi 5.639 euro.

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Evropian, ndërsa e kofinancon Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top