Sunday , September 23 2018
Lajmi i fundit

Suzana Ganiq: NGJALA NGA PORT MILENA E NDOTUR HAHET EDHE NË RESTORANTE JASHTË ULQINIT

Kanali i Port Milenës, dikur rezervuari më i madh natyror për shumëzimin e peshkut në Adriatik dhe atraksion turistik i llojit të vet në fillim të Plazhit të Madh, sot është pikë e zezë ekologjike, në të cilën vazhdon peshkimi, kryesisht i ngjalës, për cilësinë e së cilës nuk flitet aspak. Edhe pse një numër i madh i Ulqinakëve i ikën larg peshkut nga kanali, në këtë vend ai kapet në sasi të mëdha. Ulqinakët janë të vetëdijshëm se çfarë po ndodh në këtë hapësirë me dekada, ndërsa analizat e fundit, të cilat i bëri OJQ Hapi i Gjelbër, vërtetuan se peshku përmban kimikate dhe mikroorganizma. Qelbësira e cila përhapet rreth kanali, mbeturinat, bërlloku, ujërat e zeza dhe fekalet e shndërruan rezervuarin e dikurshëm natyror të peshkut në burim të infeksionit dhe gropë septike. Deri në fund të viteve tetëdhjetë e quanin ushqimore të Ulqinit. Mirëpo, atëherë nisi vrulli i ndërtimit të egër dhe uzurpimit të brigjeve të kanalit, ndërsa Porti bëhet bombë ekologjike. Në këtë moment bombë me sahat.Kalimera, Port Milena

Peshku nga Port Milena shitet në sasi të mëdha, ndërsa askush nuk brengoset për cilësinë e saj. Një nga peshkatarët e Ulqinit pohon se kur është “nata e mirë” mund të kapen deri në 100 kilogram ngjalë, me pinar dhe kalimere të mira. “Fitohen deri në një mijë euro për një natë, sepse kilogrami i ngjalës së rritur kushton dhjetë euro. Më mirë peshkohet kur ka bubullimë. Atëherë ka ngjala sa të duash, kapen me thasë”, flet njëri nga peshkatarët e Ulqinit, i cili dëshiroi të mbetet anonim, për shkak të solidaritetit me kolegë.

Ai tha se ngjale peshkohet vetëm në Port. Ka edhe në lumin Buna, por jo në këto sasi dhe është më vështirë të kapet për shkak të thellësisë më të madhe. “E dinë njerëzit çfarë ujit është në kanal, mirëpo, e hanë ngjalën. Shitet edhe jashtë Ulqinit. Kur peshkimi është i mirë, e blejnë njerëzit që mbajnë restorante në Bregdet. Janë kokrra të mira të peshkut. E dimë që nuk mund të jetë njëqind për qind në rregull, meqë jeton në kanalin prej ku përhapet qelbësira e padurueshme, por prapë se prapë ecën. Njerëzit blejnë, shitet, është e kërkuar. Ka edhe qefull dhe levrek, por nuk janë kokrra të mëdha. Edhe ato mund të gjenden në restorante”, pohon peshkatari.Port Milana, Kalimera

Thotë se situata është e tillë, para nuk ka, kështu që njerëzit kërkojnë më lirë. “Qefulli dhe levreku nga kanali janë pak më të lirë, ndërsa ngjala, nëse është më e vogël, shitet më lirë”, shtoi ai.

Ka edhe nga ato që nuk e hanë peshkun nga Porti tash disa vite. Një nga ato është edhe drejtori i OJQ “Hapi i Gjelbër” Xhelal Hoxhiq. “Në tryezën time ky peshk nuk është qyshkur. Peshku nga Port Milena është i pasur me kimikate, mikroorganizma dhe fekale, sepse rreth 70 për qind e kanalizimit nga qendra e qyteti, përmes kanalit Bratica, derdhet në Port”, paralajmëron Hoxhiq.

Me iniciativë të këtij aktivisti të njohur ekologjik disa herë janë bërë analizat e ujit dhe peshkut nga ky rezervuar i dikurshëm, në të cilin vitet e kaluara ka ngjarë edhe ngordhja masovike e peshkut.

Sipas pohimeve të tija, analiza e fundit e bërë në Entin Ekotoksikologjik ka treguar se uji në Port Milenë ka edhe escherichia coli e cila, siç thotë ai, shkakton meningjit, por edhe baktere si salmonellë. ”Rezultatet janë tmerruese. Ka një mijë herë më shumë baktere nga mesatarja normale, por siç duket kjo nuk e prek askënd, thekson Hoxhiq.Aksioni Port Milena 2

Përkundër të gjithave, ndalim të peshkimit në këtë pjesë nuk ka, as nuk kishte ndonjëherë. Çfarë cilësie është peshku nga kanali i Port Milenës nuk e dinë nga Drejtoria për Sigurinë Ushqimore, sepse ato kontrollojnë rregullsinë e peshkut vetëm në treg, gjegjësisht në tregje të gjelbra dhe restorante, ku, siç na thanë, mund të shitet vetëm peshku i kapur nga ana e peshkatarëve të regjistruar, ose nga importi. Ato rikujtuan se kur flitet për Ulqin, me qëllim të krijimit të parakushteve për vendosjen e sistemit të kontrollit dhe të sigurisë së prodhimeve të peshkut, edhe parandalimit të shitjes ilegale të peshkut, dhe eventualisht të prodhimeve të pasigurta prej peshkut, vitin e kaluar u hap tregu i parë i peshkut. “Me këtë iu mundësua peshkatarëve vendi adekuat i shitjes së parë dhe u krijuan kushtet për përmirësimin e shkallës së sigurisë së ushqimit sa i përket plasimit të prodhimeve të peshkut dhe kontrolli më i mirë i shitjes së peshkut të freskët”, thanë nga Drejtoria. Ato theksuan se thellimi dhe ripërtëritja e kanalit të Port Milenës, projekt ky të cilin e realizon Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, do të krijojë parakushtet për valorizimin e Portit, veçanërisht në pjesën e përmbushjes së nevojave të peshkatarëve, por edhe të sipërmarrjes turistike. Po ashtu, në periudhën e ardhshme është planifikuar ndërtimi i portit të peshkatarëve.

Nga ana tjetër, nga OJQ Hapi i Gjelbër paralajmërojnë se Port Milena është çerdhe e infeksioneve dhe se nuk ka më kohë për pritje. “Kanali është bombë e cila është afër të shpërthejë. Nëse kjo ndodhë, Ulqini mund të harrojë turizmin. Dhe jo vetëm për një, por për më shumë vite”, tha Hoxhiq duke theksuar se Porti është shumë gjatë në pritje.Port Milena

Sulmi ndaj Portit filloi para më shumë se 30 vitesh dhe, siç theksojnë nga sektori civil, vazhdon edhe sot. “Ndërtimi i egër, hotelet, restorantet, apartamentet dhe shtëpitë private derdhin ujërat e zeza dhe kanalizimin drejtpërdrejtë në Port Milenë. Shumë kanë deponuar dhe në brigjet e saja, duke zgjeruar parcelat e blera ose të uzurpuara”, tha Hoxhiq, ndërsa nga Sekretariati për Veprimtari Komunale të Komunës së Ulqinit vërtetojnë një gjë të tillë.

Sipas fjalëve të këshilltarit të pavarur Gjorgje Daboviq, rreth 200 objekte janë ndërtuar buzë Portit, ndërsa mbi 600 përgjatë tërë kanalit, duke përfshirë edhe Shtojin, i cili nuk ka rrjetë të kanalizimit.

“Situata është shumë e vështirë. Port Milena është në komë. Në vitet tetëdhjetë ishte ushqimore e Ulqinit, të fukarenjve dhe peshkatarëve ulqinak, ndërsa sot është gropë septike”, tha Hoxhiq duke shtuar se është e trishtueshme që lejuam që kjo gjë ti ndodh Portit.

Ky dashamir i kësaj pjese kult kujtohet se si dikur është peshkuar në Port Milenë dhe si ishte ajo dikur. “Asnjëherë Ulqinakët nuk thoshin se “po shkoj të peshkojë ose të gjuajë” kur shkonin në Port, por “po shkoi të marrë pak peshk për shtëpi”. Atëherë nuk kishte frigoriferë, merrnin njerëzit nga dy, tre kilogram, sa i nevojiteshe për drekë, pastaj vinin dhe merrnin prapë. Aq kishte peshk. Kapaciteti vjetor i peshkut të bardh cilësor ishte në mes 50 dhe 80 tonë, ku dominonte qefulli, levreku, koca, si dhe ngjalla dhe disa lloje të tjera. Mesatarisht 150 kilogram në ditë “nxirreshin” nga Port Milena, ndërsa sot ajo është gropa më e madhe septike e Mesdheut, me disa mijëra, ndoshta edhe dhjetëra mijëra tonë mbeturina”, thekson Hoxhiq.Arkiv, Arhiva, Port Milena

Ai Portin e kujton që prej viteve pesëdhjetë. Atëherë ishte fëmijë dhe çdo ditë laheshe në kanal. E sot, siç thotë ai, vetëm i çmenduri do të notonte aty. “Kujtohem kur këtu nuk ishte asnjë urë. Uji ishte i pastër. Gjyshi im ishte peshkatar, lundronte me varkë e cila barte kripën. Port Milena është meritore edhe për ndërtimin e Kripores në vitin 1934, sepse atëherë uji për mbushjen e baseneve merrej nga Porti. I shkatërruan të gjitha”, tha Hoxhiq.

Peshku po zhduket, por edhe turistët, për shkak të qelbësirës së padurueshme e cila përhapet në këtë pjesë. “Kështu ne e presim sezonin tash shumë vite. Verës kanalizimi qelbet shumë, në veçanti para akshamit, kur të gjithë kthehen nga plazhi. Por, ne nuk mund ta përmirësojmë situatën. Premtojnë tash shumë vite se do ta zgjidhin problemi, por kjo asesi s’po ndodh”, tha banori vendas Cano Lazoja, i cili në këtë pjesë ka apartamente.

Na interesoj se a pyesin turistët pse qelbet dhe fituam konfirmimin. “Patjetër që pyesin, si mos të pyesin! Ndonjëherë heshtim, ndonjëherë me shaka themi se është sulfur, afrodiziak, era është e ngjashme”, thotë Lazoja.

Edhe komshiu i tij Kabil Kashoxha konfirmon. “Ky vend ishte më i forti pas Plazhit të Vogël sa i përket turizmit, por njerëz ka gjithnjë e më pak. Turistët tanë të cilët me vite ishin këtu, shkojnë në Shtoj. E kanë ndjerë. Të gjithë thonë se qelbet. Ndoshta do të gjendet dikush të na ndihmojë gjersa të vinë mushkonjat tigër, kanë mundësi të shkëlqyer të bëjnë fole këtu”.Ura mbi Port Milene, Most na Port Mileni

Kryetarja e OJQ-së ekologjike “Dr. Martin Shnajder – Jakobi” Zenepa Lika, është e bindur se nuk ekziston vullneti i sinqertë që të zgjidhet problemi i Port Milenës. “Është e pabesueshme që akoma nuk e shohim rëndësinë dhe urgjencën e situatës. A duhet të infektohemi, helmohemi, që dikush të reagojë!? Të jemi e sinqertë, edhe qytetarët maksimalisht e shfrytëzojnë dembelinë e institucioneve, zgjerojnë tokat, hedhin dhe, ndërtojnë, rindërtojnë, ndërsa të gjithë e derdhin ujin në Port”, tha Lika.

Ajo rikujton se kjo hapësirë dikur ishte magnet për turistët, që në restorantin e njohur Kalimera, i cili nuk ekziston më, u hante peshku më i mirë. “Sot peshkun nga kanali ne nuk guxojmë ta hamë. Shikoni ku noton ai peshk. Kjo është tmerruese”, shtoi Lika.

Edhe këtë vit turistët i pritën derdhet e dukshme të kanalizimit. Kur, në fillim të vitit, me kërkesë të turistëve, u zgjerua grykëderdhja e Port Milenës, me mjetet të cilat i siguroi Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në mënyrë që varkat të mund të kalojnë, u mbërrit deri tek tubat e kanalizimit të fshehura nga dheu dhe shkurret. Me pastrimin e terrenit dolën në pah problemet e reja, të cilët ekzistonin edhe më herët, por nuk ishin kaq të dukshëm. Tubat nga të cilët kanalizimi derdhet në Port janë në plan të parë.

Edhe pse drejtuesit komunal me vite kanë bindur opinionin se veç sa nuk filloi, është e sigurt që ndërtimi i rrjetit të kanalizimit nuk do të ndodh së shpejti. Banorët vendas dhe turistët  në këtë pjesë të rivierës së Ulqinit edhe këtë vit do të thithin “sulfur”!? A do të mashtrohen dhe ta hanë peshkun nga kanali, kjo është e panjohur.

Por, Xhelali nuk dorëzohet. Do të organizojë konferencën, do të çojë në këmbë të gjithë ambasadat, do ti ndihmojë edhe princi Nikolla I Petroviq, të cilit i tha se kanali i cili mori emrin nga gjyshja e tij Milena, kurrsesi nuk meriton trajtim të tillë dhe nuk është i denjë emrit që mbanë.

4.0.1

Nga fenomeni deri tek shkatërrimi

Kanali i Port Milenës u hap me 1885 sipas projektit të inxhinierit nga Pallati malazez, Rusit, Vlladimir Ivanoviç Varman. Qëllimi i hapjes ishte derdhja e ujit nga liqeni i Zogajve në det. Urdhrin për këtë projekt e dha knjazi i Malit të Zi Nikolla i I, kur për herë të parë e vizitojë Ulqinit, pas bashkimit të tij Malit të Zi, në vitin 1878.

Atëherë ishte zonë kënetore nga e cila përhapeshin sëmundjet, në veçanti malaria, nga e cila fëmijët vdisnin masovikisht. Për këtë arsye knjazi dha urdhrin që të hapet kanali, i cili arriti të ndalojë malarien, në formë që uji i liqenit përziheshe me ujin e detit. Si falënderim për ndalimin e sëmundjes, populli e quajti kanalin me emrin e princeshës Milena.

Kanali Port Milena dikur ishte i gjatë katër kilometër, i gjerë prej në 80 deri në 120 metër, ndërsa i thellë prej katër deri në tetë metër. Sot në disa vende ujë pothuajse nuk ka, për shkak të dheut dhe mbeturinave të ndryshme, gjersa objektet e egra ia kanë zënë frymën Portit.

Hoxhiq thotë se nga atraksioni i dikurshëm turistik dhe rezervuarit më të madh natyror, mbeten vetëm kujtimet. “Dikur Porti ishte atraksion për turistët, i pasuruar me kalimere të mrekullueshme për peshkim, ndërsa sot turistëve vëmendjen ia tërheq qelbësira. Tërë mbeturinat të cilat mbërrin në kanal, aty shkatërrohen, sepse nuk ka rrjedhë”, përfundoi Hoxhiq.

Suzana Ganiq, Portali Ul-info

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me RTMZ dhe Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Europian.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top