Transformimi digjital nënkupton përdorimin e teknologjive digjitale, modeleve dhe resurseve digjitale, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të punës, ndërveprimin më të mirë me klientin dhe krijimin e vlerave për përdoruesin. Transformimi ndodhë kur organi shtetëror, institucioni ose ndërmarrja publike vendosë që në një periudhë relativisht të shkurtër, rrënjësisht të ndryshojë proceset, strategjitë, aktivitetet, strukturën hierarkike e organizative të punës së vet, në mënyrë që këto procese dhe strategji të ndërlidhen sa më mirë, duke iu mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë të shërbimeve, kurse ndërmarrjeve përparësi më të mirë konkurruese në treg.
Pra, transformimi digjital përfshinë hapjen dhe ndryshimin e kulturës organizative, zhvillimin e aftësive kërkimore dhe të kapaciteteve zhvillimore, shfrytëzimin e inovacioneve të reja dhe të hapura, si dhe një qasje ndryshe në menaxhimin e organeve shtetërore ose ndërmarrjeve publike.
Sepse, jetojmë në botën ku përdoruesi dikton lojën – ai dëshiron qasje sa më të lehtë dhe shërbimin më cilësor të mundshëm ose produktin me çmimin më optimal, krahas komoditetit më të madh në shfrytëzimin e tyre. Komentet e përdoruesve për produktet që blejnë dhe shërbimet që përfitojnë, kanë një ndikim shumë më të madh në publik sesa reklamimi i vet markës apo i shërbimit. Që kompania të mbijetojë, ndërsa institucioni të jetë i efektshëm, është e nevojshme të krijojë këtë vlerë të re për përdoruesin.
Për disa organizata ose institucione mjafton krijimi i faqes së internetit, hapja e kanaleve digjitale të komunikimit dhe punësimi i disa ekspertëve digjital, ndërsa të tjerët duhet të implementojnë procese shumë më të ndërlikuara të teknologjive digjitale, si dhe të sigurojnë punësimin e një numri më të madh të ekspertëve në nivele të ndryshme të veprimtarisë së vet. Secila organizatë është individuale, prandaj edhe rruga e zhvillimit të transformimit digjital për çdo organizatë është e ndryshme.
Me siguri të plotë mund të themi se transformimi digjital është shans i rëndësishëm zhvillimi, mundësi për zgjidhjen e shumë sfidave sociale e ekonomike, por edhe një mundësi e mirë për rritjen e efikasitetit, produktivitetit dhe transparencës në punën e të gjithë organeve të administratës publike.
Në mënyrë praktike ky proces përfshinë të gjitha fushat me rëndësi për jetën e qytetarëve dhe funksionimin e biznesit. Kështu për shembull, nga Ministria e Shëndetësisë së Malit të Zi paralajmërojnë se nga viti i ardhshëm në mënyrë të konsiderueshme do të ndryshohet qasja dhe organizimi i shërbimeve shëndetësore. Përveç disa risive, parashihet krijimi i kartonit elektronik shëndetësor në të cilin do të gjenden të gjitha të dhënat relevante për situatën shëndetësore të qytetarëve.
Njëkohësisht nga Ministria e Arsimit njoftojnë se vetëm për pajisjet informatike vitin e ardhshëm do të ndahen 3,5 milion euro, pasi planifikohet zëvendësimi i pajisjeve kompjuterike pothuajse në të gjitha shkollat. Në këtë ministri u formua edhe skuadra e cila merret me implementimin e projektit të klasës digjitale, në të cilën do të shfrytëzohen përmbajtjet digjitale. Kjo do të thotë se mësimet nga librat klasik do të digjitalizohen.
Në Planin e Veprimit për Përmirësimin e Ambientit të Punës, të cilin Qeveria e Malit të Zi e miratoi këtë vit, aktivitetet dominuese kanë të bëjnë me krijimin e proceseve digjitale, para së gjithash regjistrimi elektronik i ndërmarrjeve dhe e-kadastra.
Por, ajo çfarë dimë nga praktika është se detyra më e rëndë e këshilluesit për transformim digjital nuk është përcaktimi i softuerit të nevojshëm dhe instalimi i tij, por si ta pranojnë atë të punësuarit dhe si ta përdorin me dëshirë dhe me sukses, në mënyrë që i gjithë ky proces të rezultojë me transformimin e suksesshëm të veprimtarisë së punës.
Prandaj, transformimi digjital nuk është vetëm zbatim, por para së gjithash ndryshim në punë e në mënyrën e funksionimit, si dhe ndryshim në qasjen me përdoruesit. Ky është një proces i cili kërkon ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe i cili nxitë ndryshime në mënyrën e punës së një administrate publike të orientuar nga qytetarët dhe nevojat e tyre. Inovacionet në vetvete nuk e plotësojnë qëllimin e vet nëse nuk ekziston përdorimi dhe qasja e tyre e gjerë për qytetarët. Për këtë arsye parimi „qytetari në radhë të parë“ është në qendër të procesit të digjitalizimit të administratës publike.
Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.