Friday , November 27 2020
Lajmi i fundit

Tregoi pjekuri: KUVENDI NJËZËRI MIRATOI QËNDRIMET RRETH PHU-së

Komuna e Ulqinit, Opstina UlcinjMbas diskutimit që zgjati gati tërë ditën Kuvendi komunal i Ulqinit të martën vonë njëzëri ka miratuar qëndrimet dhe përfundimet rreth Draftit të Planit hapësinor urbanistik.

Me këto përfundime kryetari i komunës Fatmir Gjeka obligohet që në bashkëpunim me Ministrinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit të azhurnojë përmbajtjen dhe të aktivojë punën e Këshillit dhe Skuadrës koordinuese për punë në PHU, si dhe të formojë komisionin profesional i cili do të analizojë Draftin e PHU-së dhe vërejtjet e dhëna gjatë shqyrtimit publik.

Thuhet që në PHU duhet të respektohen dhe implementohen të gjithë dokumentat planifikues si dhe ato që janë në përpunim.

“Për zonën e gjirit të Valdanosit dhe pjesën e tij të pasme mos të planifikohet asnjë ndërtim i kapaciteteve akomoduese por kjo zonë të parashikohet për bujqësi, sport dhe rekreacion. Kriporja e Ulqinit duhet të jetë monument i natyrës”, theksohet në përfundime.

Shtohet që për Kalanë e Shasit duhet të planifikohet punimi i Projektit urbanistik, për Katërkollë Plani gjeneral, ndërsa përgjatë rrugës Ulqin-Sukubinë ndërtimi i veprimtarive shërbyese dhe përpunuese.

Këshilltarët vlerësojnë që prej hotelit “Albatros” e deri tek kepi i Gjeranave duhet të parashikohet struktura me densitet të vogël, ndërsa për Plazhin e madh mbajtja e konceptit nga Master plani për zhvillimin e turizmit malazez.

Nga Ministria kërkohet që mbasi të bëhet versioni final i Draftit të PHU-së ajo ti dorëzohet Parlamentit të Ulqinit për dhënie të mendimit.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top