Friday , July 19 2019
Lajmi i fundit

Tregtia me robër në Ulqin

Ulqini rreth vitit 1650 u bë treg i rëndësishëm i robërve të krishterë. Këtu kryesisht ishte vendi i blerjes, sepse në Ulqin silleshin robër të cilët i kishin rrëmbyer kusarët e Ulqinit, por, për hir të shitblerjes më të lehtë, ata vinin edhe nga vendete tjera të Perandorisë Osmane.

 Zënia rob e njerëzve ishte punë e cila paguhej mirë dhe askush nuk e kontestonte legalitetin. Njerëzit ishin malli më i vlefshëm dhe më i shtrenjtë në ujërat e Mesdheut deri në fillim të shek. XIX. Për t’u armatosur, galerat e të gjitha flotave që ndodheshin në Mesdhe duhej që, para së gjithash, të zgjidhnin problemin e sigurimit të njerëzve. Ku do të mund të gjendeshin aq shumë njerëz të nevojshëm për vozitje, për t’i lidhur për rrema në lundrim, po të mos ishin robërit, robërit e luftës dhe të dënuarit e liruar nga burgjet?

Tregu më i madh turk i robërve ishte në Vlorë. Nga ana tjetër e Adriatikut, panairet ishin rasti më i mirë për shitjen e robërve. Atje ata shiteshin në licitacion, ndërsa çmimi sillej rreth 30 dukatë. Blerja nuk varej nga çmimi ekzistues i njeriut por nga vlera që pronari mendonte se mund të kishte ai.

Shumica e robërve në Ulqin, pothuaj tre të katërtat, ishin nga Mbretëria e Napolit dhe nga Shteti i Papës; të tjerët ishin nga Dalmacia dhe Republika e Dubrovnikut. Kusarët ulqinakë në brigjet e Apulisë dhe Sicilisë kryesisht plaçkitnin vilat e pasura, ndërsa me vete merrnin pronarët e tyre të cilët pastaj i shitnin si robër.

Ulqinakët robërit i mbanin si të burgosur dhe nuk i shfrytëzonin si fuqi punëtore, por vetëm për të përfituar nga të afërmit, miqtë ose bashkëvendësit e njerëzve të marrë peng. Për këtë e shihnin si të domosdoshme që robërve tu mundësonin lidhjen me shtëpinë ose me kushërinjtë, në mënyrë që familja apo komuna të marrin vesh që anëtari i saj gjendet i robëruar në Ulqin, për të ardhur pastaj dhe për ta blerë, si kundërvlerë për lirinë e tij. Kjo shpesh bëhej në terren neutral, kryesisht në Dubrovnik.

Qeveria e Dubrovnikut, në janar të vitit 1653, mori një letër nga Ulqini me të cilën thirrej për të marrë robërit e Dubrovnikut që ulqinakët kishin blerë nga maurët, dhe atë, po me të njëjtin çmim që i kishin blerë. Në të kundërtën, robërit do të rishiteshin në viset më të largëta. Në të njëjtin vit sanxhakbeut të Shkodrës, nga qeveria e Dubrovnikut i ishte dërguar një letër përmes Lluka Petroviqit, së cilës i ishin bashkangjitur letrat e vezirit të madh edhe kapudan Muhamed Pashës sipas të cilave paguesit e haraçit turk të Dubrovnikut nuk mund të jenë robër në Perandori.

Senatorët e Dubrovnikut u bindën se kusarët e Ulqinit nuk e çanin kokën për fermanët e sulltanit. Marin Borisi, një emisar i Dubrovnikut i cili ishte dërguar në Ulqin, lajmëronte se Agallarëve të këtushëm nuk iu ishte marrë pushteti me aksionin e Portës dhe se aksionet e tyre në det po rriteshin vazhdimisht.

Për këtë gjithnjë e më shumë rritej numri i dubrovnikasve të robëruar, ndërsa as robërit e vjetër nuk liroheshin. Vetëm në katër muajt e fundit të vitit 1654 ishin kidnapuar njëqind shtetas të Dubrovnikut. Gjëja më e madhe që mundën të bënin krerët e Ulqinit ishte pranimi nga ana e tyre që për 950 dukatë të lironin 20 dubrovnikas.

Në jehonën e Luftës së Kandisë, më 1662 në Ulqin qëndroi udhëpërshkruesi i njohur osman Evli Çelebi i cili na njofton se në këtë qytet “vijnë djem guximtarë arnautë nga kasabatë tjera, vendosen në fregata dhe konfiskojnë, plaçkitin dhe shkretojnë bregdetin e armikut”. “Duke sjellë thesar të panumërt dhe robër të zgjedhur kthehen në Ulqin si fitimtarë dhe i japin sanxhakbeut të dhjetat nga plaçkat e grabitura. Kështu unë, si i gjorë, isha në këtë qytet dhe derisa shikoja, erdhën nga Pula e kaurëve shtatë fregata me plaçka lufte. Nga ato shtatë fregata me plaçka Jusuf Beut i takonin 91 mijë grosh të të dhjetave mbretërore dhe 17 robër”, thekson Çelebia. Pra, vetëm në këtë aksion kusarët ulqinakë në jug të Italisë nxunë 170 robër!?

Ulqinakët pas tërmetit të vitit 1667 në qytetin e vet sollën me shumicë robër nga Dubrovniku, duke zënë rob edhe fisnikët. “Nëse kusarëve nuk u ndërpritet udha, të gjithë do të bëhen robër të ulqinakëve”, i shkruanin dubrovnikasit Portës në mars të vitit 1668.

Pronarët më të vegjël të robërve ishin kryekomandanti i Ulqinit Murati, emini i Shkodrës Ali Begu, jeniçeri i Shkodrës Halil Aga, Hysein Korza, Bali Begu, çaush Murati, Sulejman Berberi, Sule Raboti, Mustaj Basta, Abdi Skura, Kara Kurti, Elez qehaja, Sulejmani i Gjatë, Hajredin Oruç Hoxha, Ibro Haraliu, njëfarë Mustafe, Resul Agë Sori dhe vetëm një kusar i vërtetë – reis Jusufi.

Gjatë Luftës së Parë të Moresë (1683-99) Ulqini mbetet treg i rëndësishëm i robërve të krishterë. Lejen për shitjen e tyre e jepte komandanti i Ulqinit Oruç Aga, gjithsesi duke marrë nga përfitimet, sipas të drejtës kanunore. Në mars të vitit 1685 dubrovnikasit theksojnë se në Ulqin kishte 40 robër, qytetarë të tyre.

Tregtia me robër arriti zenitin në fillim të shek. XVIII. Në periudhën prej vitit 1708-12 në shitje ishin rreth 200 robër, ndërsa gjysma ishte blerë në qytetet e Adriatikut. Ulqinakët në qershor të vitit 1715 e sollën si të zënë rob nga Korçulla famullitarin Mark Bonin. U shit në licitacion për 100 florinj. Pas dy viteve kur farefisi i tij mori vesh vendndodhjen e tij e bleu për 141 florinj.

Shënohet se bashkëshortet e Vicko Xhamarit (Dobrula) dhe Vicko Kushelit (Nika) nga Venediku ishin robëresha në Tunizi në vitin 1740 sepse i kishin grabitur ulqinakët 15 vjet më parë.

Nga mesi i shek. XVIII ndryshojnë edhe shijet, andaj oborrtarët gjithnjë e më shumë kërkojnë robër nga Afrika. Ulqinaku Ali Basha, në vitin 1775, solli nga Egjipti dy robëresha, ndërsa një grup i cili në vitin 1775 u kthye nga Afrika Veriore solli me vete 13 robër dhe robëresha të zeza. Robërit e vet ulqinakët shpesh i blinin në Tripoli, ku robërit arrinin nga Sudani. Ata këtu stërshiteshin ose silleshin në Ulqin, ku së shpejti bëheshin qytetarë të lirë dhe merreshin me bujqësi dhe detari. Mirëpo arapët dhe Daut Kalia ishin kapitenë detarë dhe kishin anijet e veta. Kalia ishte pronar i njërës nga anijet më të mëdha të Ulqinit dhe i një shtëpie shumë të bukur me tavane të gdhendura, i cili paraqiste një raritet artistik.

Pasi që në vitin 1880 Mali i Zi mori Ulqinin, disa arapë të Ulqinit u shpërngulën në Shqipëri. Pronari i anijeve Bet Gjyli mori me vete tetë arapët e tij, ndërsa haxhi Mehmet Beci pesë.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top