Monday , March 8 2021
Lajmi i fundit

TV Ul-info: REKOMANDIMET E FARMACISTËVE PËR KORONAVIRUSIN

Përgjatë evolucionit dy milion vjeçar sistemi ynë imunitar mësoi të ballafaqohet me shumicën e infeksioneve të njohura, mirëpo koronavirusi i ri ishte surprizë e vërtet. Prandaj është kaq i vështirë ballafaqimi me infeksionin SARS-CoV-2, e kaq i lehtë infektimi. Ky virus është i ri, jo vetëm për shkencëtarët, por edhe për qelizat tona. Për këtë arsye beteje me këtë armik të padukshëm është kaq e gjatë dhe e vështirë.

Përveç mjekëve dhe personelit mjekësor, edhe farmacistët janë në linjën e parë të frontit dhe në këtë betejë të rëndë, disamujore, ishin dhe mbeten në lartësinë e detyrës.

“Farmacistët në Ulqin dhe tërë Malin e Zi treguan se ato janë punëtorë shëndetësor në linjën e parë, por edhe treguan madhështinë dhe dijen e tyre për tu ballafaquar me pandeminë, siç ishte kjo. Mund të themi me krenari se asnjë farmacistë nuk e mbylli farmacinë e tij”, tha farmacistja nga Ulqini Mr. Ph. Mehrixhana Dervishi – Llazorja.

Sipas saj, puna e farmacistëve ndryshoi rrënjësisht dhe kjo është evidente.

“Në fillim të marsit na është dashur të vendosim barrierën mbrojtëse, xhaminë mbrojtës në mes nesh dhe pacientëve. Diçka e tillë nuk ekzistonte para pandemisë. Para pandemisë kemi bërë shumë këshillime, seanca këshilluese, që, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhemi, tani nuk kemi mundësi ta bëjmë. Mirëpo, na lumturon dhe krenon fakti se, nëse merrni parasysh statistikat botërore dhe numrin e përgjithshëm të personave pozitiv ndaj koronës, 60 për qind kanë simptoma të lehtë, 30 për qind kanë gjendje të mesme klinike, ndërsa 10 për qind kanë gjendje të rëndë. Pikërisht ato 60 për qind kryesisht shërohen në farmaci, gjegjësisht terapitë dhe këshillat i marrin nga farmacistët e tyre, gjë që dëshmon edhe një herë mbi rolin e rëndësishëm të farmacistëve në mbrojtjen e përgjithshme shëndetësore”, pohon ajo.

Farmacistët e ndajnë këtë periudhë të gjatë të pandemisë së COVID-19 në dy pjesë. Pjesa e parë përfshin periudhën nga shfaqja e virusit deri tek shpallja e Malit të Zi zonë COVID-FREE dhe vala e dytë e cila vijoj më pas dhe vazhdon të jetë aktuale edhe sot.

“Në pjesën e parë të pandemisë mjetet më të kërkuara ishin maskat dhe mjetet për dezinfektim. E rëndësishme ishte edhe vet përgatitja e jonë, qoftë fizike apo psiko – sociale, për këtë pandemi, për të cilën nuk dinim sa do të zgjasë, me çfarë armiku po ballafaqohemi, por as mënyrat e mbrojtjes. Ishte kruciale të kuptojmë se si mund të kontribuojmë që mos të infektohemi, apo ta kalojmë sëmundjen me simptomat më të lehtë”, kujton farmacistja e njohur nga Ulqini.

Rekomandimet e para dhe themelore, nga fillimi i pandemisë, ishin zvogëlimi i kontakteve, larja dhe higjiena e duarve, mbajtja e maskave, shmangia e vendeve të mbingarkuara me njerëz, të përqafimeve dhe dhënies së dorës. Kjo ishte edhe këshilla e parë e farmacistëve.

“Pas kësaj, si masë bazë konsiderohet njomja e mukozës, për të parandaluar shumimin e përshpejtuar të virusit nëse ai vjen në kontakt me mukozën, respektivisht parandalimin e kontaminimit të përshpejtuar. Për këtë arsye nevojitet njomja e vazhdueshme e mukozës, në hundë dhe fyte, me solucionin izotonik të ujit të detit. Mund të përdoret uji i detit të cilin ne në Ulqin e kemi nga deti, apo solucionet izotonike, në formë produktesh komerciale, të cilët përdoren për këtë qëllim”, këshillon Dervishi Llazorja.

Ushqimi i rregullt është shumë i rëndësishëm për mirëmbajtjen e formës psiko-fizike, e jo më pak edhe disa vitamina.

KoronavirusSiç rekomandohet për gripin e zakonshëm, vitamina C përdoret edhe tani për COVID-in, vetëm se Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke u bazuar në studimet e bëra gjatë pandemisë, rekomandon dozat më të larta të kësaj vitamine, si preventivë dhe si terapi. Po ashtu, dozat e vitaminës D janë rritur konsiderueshëm në raport me ato që përdoreshin para pandemisë. Roli kryesor i vitaminës D para shfaqjes së COVID-19 ishte në resorbimin e kalciumit dhe të fosfateve, ndërsa tani, përmes studimeve klinike, u vërtetua se personat që kishin doza të larta të vitaminës D në organizëm, kaluan me simptoma të lehta. Përveç këtyre, probiotikët na mundësojnë që resorbimi i ushqimit, vitaminave dhe gjendja e përgjithshme e organizmit të mbahen në nivele të kënaqshme. Po ashtu, duhet përmendur zinkun, një mikro-element i cili gjithmonë ishte i njohur si kofaktor në shumicën e reaksioneve kimike, të cilët rezultojnë me krijimin e elementeve imunologjike, e të cilët janë të rëndësishme për rritjen e fuqisë mbrojtëse të organizmit””, shpjegon ajo.

Suzana Ganiq, Ul info: Sa i përket antibiotikëve, a kishte qytetarë që dëshironin ti blinin për ti mbajtur në shtëpi dhe, nëse janë COVID pozitiv, të shërohen vet në shtëpi dhe nëse po, sa shpesh kishit situata të tilla? Sa është në të vërtetë e zhvilluar kultura shëndetësore tek ne?

“Në parim, si para pandemisë, njerëzit gjithmonë kanë qejf ti kenë gjërat në shtëpi. Mirëpo, ne si institucion kemi tentuar ti bindim pacientët që antibiotiku duhet të merret vetëm pasi që mjeku të konstatojë se ai është i nevojshëm. Hasëm në mirëkuptimin e pacientëve tonë dhe ato nuk i morën antibiotikët pa rekomandimin e mjekut”, përgjigjet Dervishi – Llazorja.

Sipas saj, ekzistonte edhe frika e pacientëve kronik nga mungesa e ilaçeve, prandaj ato dëshironin që të kenë rezerva.

“Mirëpo, zinxhiri i farmacive “Pharmalife” në asnjë moment, nga fillimi pandemisë deri më sot, nuk mbeti pa barna dhe çdo gjë tjetër të nevojshme. Po ashtu, suksesi më i madh i yni është se asnjë i punësuar në farmacinë tonë nuk u infektua në punë”, përfundoi ajo.

(Ky tekst u krijua në kuadër të projektit “Infoterapia në epokën e koronës”, të cilin e realizon OJQ “Ul info”, e i cili është pjesë e projektit “Promovimi i alfabetizmit mediatik dhe informativ dhe fuqizimi i mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor”, të cilin e realizojnë Albany Associates, Instituti për Media i Malit të Zi dhe Mediacentar Sarajevo.)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top