U përurua libri i Asllan Bishës: „ZONJA NGA KRYEQYTETI“

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“ ka përuruar të premten në Qendrën e Kulturës në Ulqin librin me novela „Zonja nga kryeqyteti“ të shkrimtarit Asllan Bisha.

Kryetari i SHAI „Art Club“, publicisti Ali Salaj, ka thënë se Asllan Bisha është prozatori më i përkushtuar në letërsinë shqipe në Mal të Zi, i cili në veprat e veta e përqendron vëmendjen tek subjektet e thjeshta të jetës së vet duke e gërshetuar atë përvojë me mjetet e qëlluara artistike.

“Tipari dallues i prozës së tij është malli dhe ndjenja për vendlindjen, mall i cili shpesh herë është i gërshetuar me frikën dhe tmerrin si pasojë e fërkimeve politike”, është shprehur ai.Asllan Bisha 2Sipas tij, Asllan Bishën e karakterizon një linjë e revoltës spontane, e cila shfaqet gati në tërë prozën e tij.

“Dhe këtë revoltë e shpreh në mënyrë të qytetëruar, me një humor të lehtë dhe pa shfaqur tendenca të urrejtjes apo të hakmarrjes kolektive”, ka thënë Salaj.

Shkrimtari Skënder Temali, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve në Shkodër, në vështrimin e tij mbi librin „Zonja nga kryeqyteti“ ka thënë se Asllan Bisha është një shkrimtar bashkëkohor që sjell në letërsinë shqipe risitë e tij, për të cilat meriton të shfletohet.

Duke folur mbi veprat e fundit të Bishës, të cilat ka thënë se i njeh mirë pasi që ka qenë redaktor e herë lektor i tyre, Temali ka theksuar se ajo që spikat në këto vëllime në tërësi e të “Zonjës nga kryeqyteti” në veçanti është se jeta në këtë trevë shqiptare ka ardhur natyrshëm, thjesht dhe përbën palcën e kësaj krijimtarie.

“E kjo thjeshtësi rrëfimi, e veshur me një pasuri leksikore e frazeologji popullore e herë dhe me një tis filozofik, sa të dialogjeve e aq të përshkrimeve, me ngjarje që ti beson se kanë ndodhur e që të rrëmbejnë për të mësuar enigmën që i shoqëron, të duket se në ndonjë rast ke të bësh me një fund me prerje të thiktë e tronditëse, si në tregimet e O’Henrit”, ka theksuar ai.

Për Temalin, “Lumi, liqeni dhe deti, mbi të gjithë njerëzit që peshkojnë, vozisin e baresin në brigjet e tyre, i japin krijimtarisë së Asllan Bishës, edhe tek ‘Zonja nga kryeqyteti’, mbase tiparin më të qenësishëm.”Asllan Bisha 1Në fjalën e tij, autori Asllan Bisha ka thënë se ai është bërë rastësisht shkrimtar, si çdo gjë tjetër që është e rastësishme në këtë botë.

Ai ka theksuar se pas frikës së botimit të librit të parë se si do ta presë atë lexuesi, e ka humbur këtë frikë.

Bisha ka treguar se është duke punuar në botimin e një libri të ri, i cili do t’u kushtohet fëmijëve.

Gjatë përurimit, moderatorja Arjeta Kurti ka lexuar pjesën „Kur këndon qerleku“ nga libri „Zonja nga kryeqyteti“ dhe është lexuar një fragment nga recensioni i studiuesit Haxhi Shabani mbi librin „Ankthi i pritjes“ të Asllan Bishës.

Libri „Zonja nga kryeqyteti“ është botuar nga SHAI „Art Club“, ndërsa botimin e tij e ka mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. (Ismet Kallaba)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…