Friday , February 23 2018
Lajmi i fundit

UL Activism: KONKURSI PËR ZGJIDHJEN IDEORE ‘SERVANTES DHE DULCINEA’ DUHET TË ANULOHET

UL ActivismReagim ndaj Kumtesës për Opinion (12.2.2018), të lëshuar nga z. Fuad Haxhibeti, Drejtor OT Ulqin

I nderuar z. Haxhibeti,

Vlerësojmë mirënjohjen që i jepni kontributit të qytetarëve dhe shoqërisë civile në zhvillimin e proceseve demokratike në Komunën e Ulqinit, e që në të vërtete është një parakusht në rrafshin nacional për integrimin e suksesshëm të Malit të Zi në strukturat e BE-së. Mirëpo, do ishim edhe më mirënjohes sikur vlerësimi të bëhej edhe në praktikë.

Reagimi i një grupi të qytetarëve për konkursin për zgjidhjen ideore ‘Servantes dhe Dulcinea’ është një reflektim i akumulimit të pakënaqësive që kemi me menyrën se si zhvillohen procese të ngjazhme tash e sa vite në komunën tonë. Jemi të vetëdijshëm që për këtë nuk mund të fajësohet vetëm qeverisja lokale aktuale. Mirëpo, si një udheheqësi që thirret në promovimin e vlerave Evropiane dhe demokratike, do duhej të ishit pikërisht ju shembull për inicimin e praktikave të reja konform standarteve Evropiane.

Jemi të gëzuar që thirrja jonë për anulim të konkursit ka ndikuar që OT Ulqin të reflektojë edhe të përkushtohet publikisht për respektim të plot të normave ligjore, si dhe të angazhohet për një përfshirje aktive të qytetareve në këtë proces dhe proceseve të ngjashme në të ardhmen. Mirëpo, kjo mund të bëhet vetem pasi që të anulohet konkursi, apo konkursi për zgjidhjen ideore siç i referoheni ju.

Siç e kemi cekur në shkresën tonë të datës 10 shkurt 2018, konkursi ka lëshime procedurale dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm,. Është e patolerueshme që mbi bazë të vëndimit aktual të mundoheni të rikuperoni mangësitë që e karakterizojnë këtë proces. Për më tepër, tendenca për të ndryshruar rrethanat për të justifikuar veprimet, është në kundërshtim me parimet bazë të transparencës.

Po ashtu, është interesant të kuptojmë që konkursi qenka i karakterit ndërkombëtar, duke qenë që një referencë e tillë mungon në tekstin e konkursit të shpallur nga OT Ulqin, edhe pse ceket që në konkurs mund të marrin pjesë të gjithë artistët figurativë-skulptorët (formulim që lë hapësirë për interpretim). Duke qenë të mirë informuar rreth legjislacionit përkatës në këto raste, besojmë që duhet të tregohet kujdes i shtuar rreth respektimit të plotë dhe korrekt të kushteve të mirë definuara dhe rregullave që e karakterizojnë një konkurs të mirëfilltë.

Në gëzohemi që OT Ulqin ka mundësi dhe resurse që të hap një konkurs vetëm për shpallje të ideve, që jo domosdoshmërisht do të realizohen. Mirëpo, ka disa probleme që mund të ngriten rreth kësaj praktike:

1. Konkurse të tilla kanë implikime buxhetore, duke filluar nga mobilizimi i resurseve humane për tu siguruar që konkursi është i përpiluar sipas normave ligjore (sado e thjeshtë të jetë përmbajtja e tij), kompenzimi për jurinë profesionale, si dhe shpërblimi për fituesit e konkursit- në këtë rast për vendin e parë dhe të dytë. Duke marre parasysh vështirësite ekonomike dhe performancen jo edhe aq të lakmueshme të OT Ulqin, nuk shihet e arsyeshme ti lejojmë vetës ‘lukse’ të tilla.

2. Po të ishte kaq qartë e thënë edhe në deklaratën tuaj të datës 8 shkurt 2018 se kjo ishte thirrje vetëm per ide, mbasë edhe do të kurseheshit nga një reagim publik i tillë. Mirëpo, e njëjta deklaratë ka theksuar si në vijim: “Organizata Turistike e Ulqinit e planifikoi këtë zgjidhje skulpturore sipas Programit të Planit për vitin 2018, kështu që së shpejti do të fillojmë me realizimin e të njejtit, të cilin shpresojmë se do të përfundojë para fillimit të sezonit turistik veror.“ Duke qenë që shpresohej që punimet të kryheshin para sezonit te veres, kjo nuk linte hapësirë për asnjë interpretim tjetër, përpos që vendimi tashmë ishte final. Po ashtu, në asnjë moment në atë kumtesë, nuk ishin cekur hapat që do të ndërmirren nga OT Ulqin para ekzekutimit të projektit, si psh. diskutimi publik me qytetarë. Kjo do të ishte një pikë tjetër që do na e bënte më të lehte ‘përballjen’ me këtë vëndim.

3. Dhe, për fund, dy fjalë rreth specifikave të skulpturës. Ne kumtesën tuaj u cek që nuk ishte caktuar lokacioni ku do vendosej skulptura dhe as materiali. Kjo e fundit edhe është e vërtetë, duke qenë që konkursi në të vërtetë karakterizohet me mangësi dhe mungesë informacioni (siç ishte fakti më herët që konkursi paska qenë ndërkombëtar). Mirëpo, po të ishit edhe ju në prizmen e një qytetari të thjeshtë, bazuar nga fotografitë e publikuara, do të gjykonit njëjtë. Dy nga artistët (ngaqë propozimin që ka fituar vendin e dytë nuk e dijmë akoma) kishin vendosur skultpuren në të njëjtin vënd. Do të ishte vërtet rast interesant nëse kjo ka qenë vetëm rastësi. Gjithsesi, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka që asnje projekt në të ardhmën që planifikohet të realizohet nga OT Ulqin e që nderlidhet me Kalanë të mos realizohet pa u respektuar ajo çfarë është dakorduar në simpoziumin shkencor Mbrojtja e Qëndrueshme e Kalasë Historike “Kalaja” Ulqin – Mali i Zi dhe të garantojë respektim të plotë e vlerave trashegimore që e karakterizojne këtë monument.

Për fund, Ju falenderojmë për gatishmërinë tuaj për bashkëbisedim me qytetarët dhe shoqërinë civile dhe shpresojmë që kjo të bëhet një praktikë e rregullt. Vetëm në një menyrë të tillë edhe institucionet publike lokale kontribojnë substancialisht drejt integrimeve të suksesshme në BE.

Për të dëshmuar seriozitetin e OT Ulqin në punën e vet, në vazhdojme të insistojmë që ky konkurs të anulohet dhe të hollat e alokuara të dedikohen për investime në projekte të shpalosura në kuader të simpoziumit shkencor.

Shpresojmë në një vendim dhe komunikim më konciz të OT Ulqin,

Me respekt,

Nisma qytetare – UL Activism

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top