Saturday , December 16 2017
Lajmi i fundit

Ulkiana Tela: NËNTORI ZHGËNJYES NË MALËSI

Tuz, Tuzi, Malesia, MalesijaEdhe pse në prag të ,,Ditës së shenjtë Arbërore,, kësaj date të rëndësishme për kombin tonë, datë kjo e bashkimit dhe fitorës së popullit tonë të shumëvuajtur,ne  këtë nëntor  u zgjuam të zhgënjyer e të hidhëruar nga disfata e thellë e partive shqiptare në zgjedhjet lokale në Malësi.

Pritshmëria se këto ditë krenarie do festonim me zemër plot e me dinjitet që kemi ruajtur identitetin tonë kombëtar, vlerat e traditat tona.Ajo e shenjta besë e shqiptarit u thye, një hije turpi mbulon atë trevë kreshnike.Sot Malësia heshtë e ka ulur kokën, sot s’kanë vlerë këngët e vallet,sot flamurin mos e ngritni lerëni në gjysëm shtizë,sot le të vajtojë Malësia, jo për vete,po për ju të mjerë që e tradhëtuat veten, që u mashtruat nga e keqja e u shitet për pak.

Ndonëse u bë një përpjekje zyrtare  nga Tirana dhe Prishtina që të krijohej një platformë e përbashkët mes partive shqiptare në mënyrë që të bashkohen për t’i ofruar elektoratit shqiptar një mundësi zgjedhjeje,mirëpo siç ndodh rëndom në këto 27 vite pluralizëm politik,prapë historia e njëjtë përsëritet me  dështimin e  marrëveshjes dhe aty fillon e gjitha nga e para,debati dhe akuza për fajtori, ku topi gjuhet sa në njërën sa në tjetrën palë,duke u larguar nga ajo kryesorja, përçarja!

Diaspora edhe kësaj rradhe nuk heshti,pavarësisht largësisë dhe bindjeve të ndryshme, ato dërguan përmes një letre jehonën emocionale e atdhedashëse duke kërkuar nga populli që tëvotohet shqip e të mbështetëshin partitë shqiptare. Ata  u munduan që të zgjonin ndjenjën atdhedashëse në mënyrë që të jenë malësorët zot të vendit të vet,ato donin t’ua kujtonin të kaluarën dhe premtimet që u shndrronin në mashtrime,kërkuan që bijtë e bijat  e asaj toke të ndëshkonin me votë këtë  politikë që ndër vite i la në skamje, të papunë e të zhvlersuar e përbuzur,kërkuan të ndëshkohen ato që ndër vite s’na lënë rrugë tjetër përveç rrugës së mërgimit „për një jetë më të mirë”,ata kërkuan,mirëpo rezultatet vyshkën kërkesën dhe shpresën e tyre. Realitetit i sotëm të bën të pyesësh veten se mos vallë ne jemi zhveshur nga çdo gjë e jona, nga kombi,atdheu ,nga e kaluara jonë; mos vallë kemi filluar të harrojmë kush jemi, bijtë e kujt jemi?

Mendoj që ka ardhur koha që liderët e partive shqiptare të mbajnë përgjegjësi politike e morale e jo të fajësojnë votuesit, por të punojnë e të ndryshojnë qasje ndaj problemeve e vështirësive të popullit. Ato duhet të kthejnë besimin e humbur duke pranuar gabimet në te shkuarën dhe duke qënë me modest në interesat e arritjet personale ndaj atyre shoqërore.Besoj se ka kaluar koha e politikanëve të tillë dhe këtëpo e bën të njohur votuesi shqiptar. Ndoshta është koha që të krijohen programe afatgjatë e të mirëfilltë për ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi, e jo si deri tani me doracakë parazgjedhorsa për sy e faqe.Realiteti i këtyre zgjedhjeve  nuk mund të përkthehet ndryshe nga nevoja për ndryshimin e skenës politike dhe largimin e njerëzve të korruptuar e marioneta që jetojnë për arritjet personale para atyre kombëtare.Por nga ana tjetër edhe votuesi  shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm dhe me vizionar  për të ardhmen, ato nuk duhet t’ia lejojnë vetes  gabimin e të rënit pre e mashtrimeve, blerjes apo premtimeve.Në mënyrë të veçantë duhet të vetdijësojmë të rinjtë,të cilët me premtimin e një vendi pune ndihen të detyruar të nënshtrohen zgjedhjes së pushtetit  dhe të largohen nga të qënurit vetvetja e të aftë për të vetvendosur.

E gjithë kjo që ndodhi në Malësi është një këmbanë alarmi për partitë shqiptare që po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme lokale në Ulqin,në mënyrë që të mos përjetojnë fiasko të njëjtë,por  të marrin mësim nga kjo e ndodhur,të ulen e të analizojnë gabimet dhe të metat e tyre,të krijojnë kauza me vlerë gjithëpopullore si dhe të mundësojnë  përfshirjen e të rinjve në numër sa më të lartë.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top