Friday , October 18 2019
Lajmi i fundit

Valbona Hoxha: INTERPRETIME LETRARE TË DR KARAMANAGËS

dr Gani 1E nxitur nga telefonata e vetë dr. Ganiut për t’i bërë një interpretim dhe vështrim të shkurtër librit të tij të ri “Udhëtimi i një mjeku” , nisa me kureshtje leximin e tekstit. Me përgjegjësi dhe kënaqësi u futa në botën krijuese dhe fantazinë interpretuese letrare të tekstit, që shpeshherë kapërcen caqet e reales për t’i krijuar hapësirë imagjinatës dhe mjeshtërisë interpretative.

Pasi preka fletët e para të librit u gjenda para Betimit të famshëm të Hipokratit i cili si ide dhe koncept jo rastësisht qëndron si parantezë e fuqishme e veprës. Duke i qëndruar besnik deri në fund kësaj paranteze, dr. Ganiu përpilon planin dhe programin krijues me të cilin ndërton një vepër të tërë.

Vepra “Udhëtimi i një mjeku” ndërtohet mbi kujtimet, si formë e shkrimeve personale, shkrime këto që shpeshherë tentojnë të ngrihen në autobiografi e romane personale, që e kushtëzojnë dhe krijimin e identitetit në mes të autorit, narratorit dhe personazhit kryesor. Kjo e fundit është vështirë të përcaktohet në vepër sepse teksti ndërtohet mbi bazën e ideve ku forma i jep më shumë hapësirë përmbajtjes, duke përfshirë kështu një kod të gjerë tematik në vepër. Këto kujtime janë të sistemuara në atë mënyrë që lexuesit i krijon mundësinë e përjetimit të ngjarjeve të ndryshme të kohës.

Kodi tematik fillon me temën mbi gjenezën e familjes Karamanaga, vitet e fëmijërisë së autorit, respektin dhe vlerësimin ndaj mësuesve të parë, rrëfim i cili zhvillohet nga pozicioni i vetës së parë duke përcjellë kështu ndjenja dhe emocione të fuqishme, për të vazhduar më pas me rrëfimin mbi ngjarjet dhe faktet shpeshherë të dhimbshme historike për popullin shqiptarë në përgjithësi e sidomos për ulqinakët në veçanti.

Respekti dhe vlerësimi i lartë ndaj figurave të shquara nga fusha e mjekësisë si dhe ndaj pacientëve të tij, dr. Ganiu i realizon përmes biografive të shkurta, duke vënë në dukje marrëdhëniet dhe lidhjet shpirtërore e profesionale me to.

Në këtë mënyrë janë të sublimuara një mori ngjarjesh interesante, që shenjojnë kthesa të rëndësishme në ndryshimet kapitale shoqërore e sociale.

Diskursin e dr. Ganiut e përshkon një ton i ndjeshëm pesonal, real, i qartë e autentik, që ngërthen në vete momente shenjëzimi e vetërrëfimi.

Ajo që i jep një dimension të rëndësishëm dhe e bën të veçantë këtë vepër është raporti që ndërton autori midis letërsisë dhe mjekësisë. Aty ku përfundon e para fillon e dyta, duke i ofruar lexuesit paralelisht dy mundësi leximi në të njëjtën kohë.

Në këtë mënyrë destinimi i tekstit bëhet dyfish i rëndësishëm i cili manifestohet si thirje, si vërejtje, si këshillë popullit të vet, ku në të njëjtën kohë në vete thur dhe fatin e krijuesit, gjakimin e tij të përkufizohet në veprën e vet. Në këtë mënyrë dr. Ganiu jo vetëm që shëmbëllen si krijues, por edhe veprues, aktant në jetën e kombit, që shihet fare qartas përmes angazhimeve të shumta dhe kontributeve si në fushën e mjekësisë ashtu edhe në fusha të tjera. Në anën tjetër vepra e shkruar në dy gjuhë përbën një vlerë më vete, si për letërsinë lokale, ashtu edhe më gjerë.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top