Z.Beqiraj: KUVENDI I SHQIPËRISË, I ÇELI DRITËN JESHILE ANËTARËSIMIT TË MZ NË NATO!

zyhni beqirajNë datat 27-30 maj 2016, në Tiranë zhvilloi punimet Asambleja Parlamentare e NATO-s. Kjo padyshim përbënte një ngjarje të shënuar për vetë NATO-n, politikat e zgjerimit të saj, pasi veç  të tjerash,  diskutoi si edhe miratoi marrjen e ftesës për antarësimin të Malit Zi si shtet me të drejta të plota në strukturat e saj. Në këtë kuadër veç të tjerash, Millo Gjukanoviç Kryeministri i Malit Zi, i pranishëm në këto punime, jo vetëm që diskutoi në séance, por u prit në takime të veçanta edhe nga përfaqësuaeit më të lartë të Institucioneve të Shtetit Shqiptar, ku ndërmjet të tjerave premtoi përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga protokolli i antarësimit, ku përmbahen edhe detyrimet ndaj pupujve pakicë, siç janë shqiptarët. Shqipëria, ashtu siç i takonte, premtoi se do të ishte e para që do ta ratifikonte Protokollin e antarësimit të Malit Zi në NATO. Padyshim kjo do të ishte gjëja e duhur që duhet të ndodhte, pasi besoj se ky ka qenë edhe vetë vullneti i shqiptarëve autoktonë, me banim në trojet e tyre etnike në Malin e Zi. Ndjenjat europiane e pro perëndimore, shqiptarët  që banojnë atje i kanë shprehur me kohë gjatë tërë historisë së tyre. Së fundmi ata kanë votuar “PRO” Pavarësisë së Malit Zi nga Serbia në vitin 2006. Ata si europianë të vërtetë, i treguan përsëri Europës  ndjenjat e tyre pro europiane, pasi  asnjëherë nuk u bashkuan me forcat opozitare pro ruso-serbe në protestat e dhunshme kundër antarësimit në NATO të Malit Zi. Siç e kam shprehur edhe në shkrimet e mia të botuara më parë, shqiptarët në Malin e  Zi, kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë besimplotë se, NATO është garancia e mbrojtjes së të drejtave dhe të lirive të tyre të munguara, ndaj e kanë përshëndetur antarësimin e Malit Zi në strukturat e saj pamëdyshje.

Por le të vijmë tek zhvillimet më pas. Me të vertetë, ashtu siç ishte premtuar, më 23 qershor 2016, pra vetëm tre javë nga mbarimi i punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në prani të Kryetarit të Parlamentit të Malit Zi Darko Pajoviq i sapo zgjedhur, Kuvendi i Shqipërisë në Seancë Plenare, me 109 vota pro dhe 1 votë abstenim, ratifikoi protokollin e e antarësimit të Malit Zi në NATO. Pa dyshim vendimi që u morr ishte gjëja e duhur. Shqipëria edhe si vend Anëtar i NATO-s me të drejta të plota, veç të tjerave edhe në kuadër të politikave të zgjerimit dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, të mënjanimit të ndikimit rus në rajonin e Adriatikut, duhet të tregonte përgjegjshmërinë dhe detyrimet e saj si vend anëtar i NATO-s. Po kështu edhe vetë marrëdhëniet shtetërore ndërmjet dy shteteve,  që kanë  patur zhvillime pozitive e kërkonin këtë gjë. Me vendimin e marrë,  Shqipëria tregoi se është në nivelin e përgjegjshmërisë së detyrave të saj. Por pyetja tjetër  që  shtrohet është se:  “A e bëri siç duhet detyrën e saj Shqipëria si Shteti Amë, ndaj shqiptarëve autoktonë me banim në trojet e tyre etnike në Malin e Zi”?

Gjithsesi jam i prirur të pranoj se séanca e mbajtur ishte korrekte. Deputetët që do të flisnin ishin paracaktuar apo përzgjedhur që më parë. Fjalimet e tyre patetike duke filluar nga ai i Zj Topalli e me rradhë, deri tek ai përmbyllës i Z. Majko, pra ato të planifikuar  para votimit, ishin korrekte. Ato u bënin jehonë marrdhënieve të fqinjësisë së mirë më Malin e Zi, duke përmendur edhe shqiptarët si pakicë kombëtare dhe faktor detërminues në këto marrëdhënie. Kësisoj dukej që politikanët folës ishin korrekt me detyrat e marra. Por asnjë pej tyre nuk foli, apo nuk i përmendi në mënyrë të specifikuar pothuaj të drejtat dhe liritë e munguara të shqiptarëve si popuj pakicë,  që jëtojnë në trojet e tyre në Malin e Zi. Por duket se siç ndodh rëndom, jo çdo gjë do të shkonte  si në vaj. Deputetë të tjerë, të pa planifikuar për të folur, kërkuan të marrin fjalën. Ndërmjet tyre të binte në sy e të bënte përshtypje kërkesa për të diskutuar i zj. Arta Dade Kr/Kom Poltikës Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, si edhe të ndonjë deputeti tjetër, si Nard Ndoka, Kryetar i Partisë Demokristiane. Padyshim që diskutimet e tyre nuk ishin të rakorduara, siç u vërejt edhe nga përmbajtja e diskutimev . Por të binte në sy e të bënte përshtypje se pse Zj Dade për shkak të funksionit që mban në Kuvend, nuk ishte e planifikuar që të fliste. Fjala e saj u përqëndrua tek pozita e saj si Kryetare si dhe puna e komisionit që ajo  drejton. Çuditërisht ajo foli shumë pak për të drejtat dhe liritë e munguara të shqiptarëve në Malin e Zi, ndonëse  për hir të vërtetës, direkt apo indirekt kohë më parë ka pasur gjithë informacionin e duhur. Prandaj  edhe pse fjala e zj. Arta ishte e veshur me një rrobë apo vello të artë, nuk përcolli pothuaj aspak problemet që qëndrojnë për të drejtat dhe liritë e munguara të shqiptarëve në Malin e Zi. Me fjalën e saj ajo i bëri nder veç vehtes së saj, duke thënë tërthorazi se, jam edhe unë.

I drejtpërdrejt në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve në Malin e Zi, ishte z. Nard Ndoka. Ai duke iu referuar një letre të marrë nga një deputeti  shqiptar në Parlamenmtin e Malit  Zi, Nik Gjeloshaj, i cili për hir të vërtetës ua kishte dërguar të gjithë deputetëve, e tronditi seancën. Fjala e tij ndonëse e vetmuar për nga përmbajtja, e tronditi sallën kur tha se shqiptarët në Malin e Zi:

-) Nuk përfaqesohen në institucionet qendrore të shtit të Malit Zi sipas votës popullore,  ndonëse kjo u garantohet nga Kushtetuta e Malit Zi.

-) Si pakica kombëtare më e madhe në numër krahasuar me pakicat e tjera që jetojnë në Malin e Zi, nuk u jepet e drejta që të drejtojnë Ministrinë e Popujve Pakicë, pra të jenë pjesë e qeverisjes.

-) Ata nuk ushtrojnë kompetancat që ua njeh Karta Europiane e Autonomisë Lokale si në komunat ku janë shumicë sin ë Ulqin, ashtu edhe në ato komuna ku janë pakicë, madje ligji zgjedhor i diskriminon.

-) Komuna e Tuzit në Malësinë e Madhe, akoma nuk është e konstituar, ndonëse premtimet për zgjidhjen e andikapit në fjalë, nuk mbahen nga  shteti malazez ndonëse ka premtuar me kohë.

-) Përdorimi I gjuhës dhe simboleve kombëtare ndonëse janë të garantuara me kushtetutë, cenohen e nuk realizohen. Rastet e Fjalorit të CANU-s, burgosjes dhe gjobitjes së shqipatrëve pse përdorin Flamurin Kombëtar, tregojnë më së miri cënimin e lirive , ashtu si edhe të mprehta janë çeshtjet që qëndrojnë me arsimin shqip dhe tekstet shkollore, ku mohohet historia e popullit shqiptar, etj.

-) Shqiptarët nuk gëzojnë pronat e tyre, të mirat detare, madje edhe politikat zhvilluese nuk i favorizojnë që zonat e banuara nga shqiptarët,  të  zhvillohen si zonat ku popullsia malazeze është shumicë. etj etj

Edhe vota abstenim, siç thonë se ishte e deputetës socialiste Ledi Shamku, kritikuese e rreptë e fallcifikimeve të bëra nga Akademia e Shkencave të Malit Zi, CANU me fjalorin e saj, nuk mjaftoi. Ajo nuk mundi që të përcjellë mësazhin e duhur, pasi ishte një votë vizuale e vetme, e izoluar  dhe e pazëshme. Por në gjykimin tim edhe si ish-deputet, si Kr/Shoq/Kulturore”ULQINI”-Durrës, pse jo edhe e si njohës i problematikave që qëndojnë për problemet në fjalë;  Kuvendi Shqipërisë si Organi më i Lartë Ligjvenës i Shtetit Amë, duhet të shprehej në mënyrë më të plotë, pse jo edhe me ndonjë Deklaratë në mbrojtje të të Drejtave dhe të  Lirive të shqiptarëve në Malin e Zi. Ata, shqiptarët në Malin e Zi, kishin nevojë të paktën në Seancën e 23 Qershorit, të ratifikimit të Protokollit të antarësimit në NATO të Malit Zi, që të dëgjonin mbrojtjen që u bën atyre Shteti Amë, Shqipëria. Tu mohosh shqiptarëve me banim atje, vlerat, kontributet për stabilitetin në shtetin e Malit Zi si edhe në rajon, sjelljet europiane, ndjenjat patriotike  dhe mikpritjen për vëllezërit kosovarë,  se gjoja na paskesh qenë Gjukanoviçi pritësi i kosovarëve në Malin e Zi gjatë krizës dhe jo vetë shqipatrët  atje, është e pakta jo korrekte. Z. Darko  Pajoviç  në fjalën e tij falenderuese dhe përshendetëse në Kuvendin e Shqipërisë,  pothuaj nuk tha asgjë për të drejtat dhe liritë e munguara të shqiptarëve, si dhe angazhimet e të ardhmes së Malit Zi në këtë kuadër. Nuk mund të thuash e të besosh se ai si i zgjedhur rishtas në këtë funksion të lartë, të Krytarit të Parlamentit të Malit Zi, nuk i njeh problemet pasi ato si të tilla janë shumë të vjetra, madje të premtuara për t’u zgjidhur e mbi të gjitha, të sanksionuara në Kushtetutën e Malit Zi.  Edhe në takimet me përfaqësuesit e shtetit shqiptar, siç shkruajnë portalet e lajmeve, atij i janë bërë të qarta për sa ka qenë e mundur. Kësisoj, Shqipëria e ka kryer detyrën jo vetëm si Shtet  Amë  që e ngarkon edhe Kushtetuta e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve kudo ku jetojnë, pra edhe si popuj pakicë, por edhe si vend Anëtar i NATO-s me të drejta të plota, që ka detyrimin të luftojë për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të popujve pakicë, cilët do qofshin ato. Por ajo që mungoi ishte se, nervi me të cilin u ngritën këto shqetësime ishte jo i duhuri. Shqiptarët me banim në Malin e Zi, nëse nuk do të dëgjonin z. Ndoka, nuk do të kuptonin se cila është pozita e Shtetit Amë. Meraku për të hipërbolizuar marrëdhëniet e mira Shqipëri-Mali Zi, na bën disi inferior. Unë mendoj se, pa mohuar të drejtën e votës “pro” për ratifikimin e Protokollit të Antarësimit në NATO të Malit Zi, Shqipëria duhet t’u “tregonte dhëmbët” malazezëve, që jo vetëm nuk i kanë garantuar, por i cënojnë ato padrejtësisht edhe siç janë rastet e fundit, ai i fjalorit CANU, gjobitjes dhe burgosjes së shqiptarëve, se përdorin flamurin kombëtar në mjediset e tyre private. Duke iu referuar sjelljeve të Shtetit Malazez në vite e dekada, si dhe zhvillimeve të fundit, ashtu si edhe vetë shqiptarët që banojnë në Malin e Zi, unë jam skeptik për të besuar në ndryshimet me vullnetin e mirë e dëshirplotë të politikës malazeze ndaj pakicave shqiptare që banojnë atje.

Duke u thelluar në zhvillimet, marrëdhëniet dhe gjithçka ka ndodhur,  me keqardhje them se deri më sot,  nuk ka një rakordim të detyrave, punëve si  dhe të përgjregjësive,  si  të Shqipërisë si Shteti  Amë, ashtu edhe të vetë faktorit politik Shqiptar të unifikuar në Malin e Zi për këto të drejta dhe liri të munguara. Letra e dërguar vetëm nga një deputet shqiptar, Nik Gjeloshaj i Parlamentit të Mali i Zi, flet shumë, kur pavarësisht nga përfaqësimi politik, në Parlamentin e Malit Zi janë gjashtë deputetë shqiptarë. E ardhmja domosdoshmërisht kërkon angazhimin e përbashkët për t’i njohur problemet në thelb, e pastaj, për të luftuar dhe për t’i realizuar ato, si të drejta dhe liri të garantuara. Unë jam besimplotë se kjo  do të ndodhë në të ardhmen. Shqipëria si Shteti Amë, do të ngrihet e do të jetë më mirë se deri sot, në nivelin e përgjegjësive të saj, si dhe do ta udhëheqë këtë proçes. Gjithashtu edhe vetë shqiptarët me  banim në Malin e Zi, të përfaqësuar nga faktori politik i unifikuar shqiptar, si edhe ata të emigruar nga Mali Zi  e që sot jetojnë në Amerikë e kudo në shtete të tjera,  madje edhe në Shqipëri, të organizuar në shoqatat e tyre, do të dijnë të bashkohen në një kauzë të përbashkët, në mbrojtje të vëllezërve e motrave të tyre bashkvendas, që jetojnë në Malin e Zi. Jam i bindur se në këtë proces, vetë faktori politik shqiptar në Malin e Zi  do të ndërgjegjësohet e do të jetë i unifikuar, jo vetëm në kërkesa, por mbi të gjitha  në veprimin politik të përbashkët, duke u sjellë si gjithmonë si europianë të vërtetë. Të përfaqësuar në këtë luftë për realizimin e të drejtave dhe lirive të të tyre munguara vetëm nga një Institucion,  cilido qoftë ky, pra edhe K.K.SH., do të mund të garantohet plotësimi i tyre. Është koha për të reflektuar dhe mbajtur qëndrimet e duhura. Shqiptarët me banim në Malin e Zi, edhe pse deri sot disi të harruar pse jo edhe nga Shteti Amë, e meritojnë të jetojnë si europinë me të drejta të plota, të gëzojnë liritë e tyre, pavarësisht shtetësisë malazeze që mbajnë sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…