Kumtesë për opinion të Këshillit komunal të LQ URA Ulqin.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal, si përfaqësues te opozitës, shprehem shqetësim me disa prej zhvillimeve të papranueshme që kanë karakterizuar funksionimin e Kuvendit komunal.
E para, dëshirojmë të rikujtojmë opinionin se seanca, e planifikuar për të enjten, nuk u mbajt për arsyet më banale që mund të imagjinohen – mungesa e rehatimit të militantëve partiakë në pozita të dëshiruara dhe kërkesa absurde për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve të një subjekti afarist në hapësirat publike. Kuvendi Komunal është kthyer në skenë të pazarëve politike, ndërkohë që qytetarët presin zgjidhje reale për problemet e tyre të përditshme.
Për më tepër, edhe seanca u shoqërua me mungesë totale të transparencës: këshilltarët e opozitës nuk u njoftuan fare për mbajtjen e saj, me përjashtim të njoftimit përmes një mesazhi në orën 20:00 një natë më heret, drejtuar vetëm kryetareve te klubeve në një grup Viberi – një praktikë skandaloze që nuk përputhet me asnjë standard të përgjegjësisë institucionale.
Në fillim të seancës, kerkuam që në rendin e ditës të përfshiheshin dy pika tejet të rëndësishme për interesin publik:
- Informacion mbi rrjedhojat e sezonit turistik, bazuar në statistika të sakta dhe mbi përgatitjet e ndërmarra për këtë sezon.
- Raport nga Ndërmarrja e Ujësjellësit, lidhur me praninë e nitriteve në ujin e pijshëm, pasi sipas njoftimeve nga Instituti i Shëndetit Publik, uji i Ulqinit është i kontaminuar me substanca të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.
Megjithatë, shumica parlamentare, me një refuzim arrogant dhe votim të orkestruar (17 vota kundër), vendosi që këto çështje të mos trajtohen fare. Duket se për pushtetin lokal është më me rëndësi rehatimi i militantëve sesa shëndeti i qytetarëve dhe transparenca për ekonominë turistike të qytetit.
Në pikën e rendit të ditës për raportin vjetor të Kryetarit të Komunës, ngritëm shqetësimet për funksionimin e Klubit Futbollistik “Otrant”, i cili sipas zërave në qytet ka shndërruar administratën lokale në “skuadër rezervë” – me 20-30 punonjës të paguar rregullisht, edhe pse nuk luajnë në asnjë pozicion futbollistik.
Me mbi 1 milion euro të shpenzuara nga buxheti komunal, klubi ka rënë në kategorinë e dytë, por për çudi, askush nuk mban përgjegjësi. Mbase për pushtetin lokal, është më e rëndësishme që rezultati “politik” të jetë i favorshëm, sesa ai sportiv.
Në vend që të kemi një klub futbolli që i sjell krenari qytetit, kemi një “bankinë” për militantë me kontrata dhe rezultate të përkohshme. Ironikisht, “Otranti” ka rënë në ligë, por militantët po ngjiten në strukturat e financimit komunal.
Si opozitë, do të vazhdojmë të denoncojmë publikisht çdo formë të keqmenaxhimit, çdo shkelje të ligjit dhe çdo përpjekje për të shndërruar institucionet publike në vegla të interesave partiake.
Ulqini meriton më shumë!









