A.Fuga për librin e dr Dritan Abazoviqit: ÇFARË POLITIKASH SHQIPTARE NË BALLKAN?

Është një fakt intelektual dhe shkencor shumë i lumtur që ne kemi tashmë në Mal të Zi dhe në Shqipëri, në të dyja gjuhët respektive librin e dr. Dritan Abazoviç me një titull aq domethënës, “Kritika e etikës globale”.

Ai është përkthyer në shqip, në mënyrë të rrjedhshme dhe me një kulturë të lartë profesionale nga z. Danilo Brajoviq, dhe botuar me kujdes sqimatar dhe në të gjitha detajet nga shtëpia botuese “Nazarko” në Tiranë.

E kam lexuar me kujdes dy herë këtë libër që vjen përpara lexuesit, duke pasur bindjen e plotë që ai e nderon një autor nga vendet e Ballkanit. Një mendje e hapur që me formimin e tij gjuhësor, kulturor dhe shkencor paraqet një prurje transversale që tejshkon disa kultura kombëtare njëherësh, duke na dhuruar një libër tepër dinjitoz. Jam i bindur se libri “Kritika e etikës globale” u vlen elitave intelektuale dhe shkencore ballkanike të të gjitha vendeve, u shërben të gjithë atyre që studiojnë dhe doktorohen në fushat e politologjisë, filozofisë, ekonomisë, sociologjisë, etj., por nuk kam pikë dyshimi se si i tillë ky libër, nëse do të përkthehej në gjuhë të tjera evropiane do të kishte qenë me po aq interes edhe në Berlin, Paris, Bruksel, etj., kudo pra në metropolet e mëdha evropiane. Ai përbën një vlerë universitare shumë të spikatur.

Sigurisht nuk është vendi të flas këtu për përmbajtjen e librit, sepse ia lë këtë kënaqësi kureshtjes të lexuesit për ta zbuluar. Por, do të ndalem te disa momente që më bëjnë të reflektoj dhe që më kanë lënë mbresë të veçantë. Nuk ka asnjë libër të rëndësishëm që të mos lidhet me qenien ekzistenciale të autorit të tij. Kjo është pyetja e parë në ndërgjegjen time: Si ka ardhur, sigurisht, jo rastësisht, kjo dëshirë intelektuale, dhe pastaj ky pasion i arrirë shkencor te autori? Nuk mund të jap përgjigje të hollësishme, por nisur nga teksti, një ide e kam krijuar. Dr. Dritan Abazoviç i takon një gjenerate të re shkencëtarësh në shkencat sociale dhe intelektualësh; ata janë edukuar dhe pjekur intelektualisht në kushte të reja historike të botës, Evropës dhe Ballkanit, në një kontekst socio-historik që i detyron ta mendojnë ndryshe botën, sidomos përtej dogmatizmit, nacionalizmave të ngushta, koncepteve të tejkaluara historike dhe metodologjike të një brezi më të hershëm.

Ata janë rritur në një epokë pas rënies së komunizmit dhe të iluzionit socialist. Nga ana tjetër, kanë ndjerë në qenien e tyre që bota është shumë më e gjerë sesa fakti historik nacional, dhe së treti se kjo botë globale aq e shpresuar si zgjidhja e të gjitha problemeve të njerëzimit tridhjete vjet më parë, tregoi se sikurse e gjithë historia edhe ajo është njëherësh një arritje në marshimin e njeriut, por edhe hap shumë probleme dhe përmban, sikurse thotë autori, shumë rreziqe, lloje të ndryshme rreziqesh. Dr. Dritan Abazoviç i takon asaj gjenerate që jeta i ka bërë të kuptojnë diçka të madhe që vjen nga etërit e filozofisë dhe sociologjisë:

Bota është më e madhe, më e gjerë, më e ndërlikuar sesa ajo duket nëse mbyllesh brenda një autoromorfizmi që ka si qendër të ngurtë “kështjellën” e një këndvështrimit etnocentrik, në rastin më të mirë që paraqitet si shprehje e interesave dhe privilegjeve të një etnokracie apo media-etno-kracie. Tjetër është respekti për identitetin kombëtar dhe tjetër është ajo që autori thekson me të drejtë si karakteristika e postmodernizmit, pra, perspektiva pluraliste mbi botën. Në këtë libër, duke mbartur seriozisht dhe në mënyrë dinjitoze meraqet e grupeve etnike dhe kombeve, autori bën përpjekjen e arrirë për ta parë shoqërinë lokale nga brenda saj, por njëkohësisht edhe nga jashtë, duke u çliruar nga paragjykimet. Lokalja për të është shprehje e globales, por edhe impakti i globales në një shoqëri përcaktohet nga bashkëveprimi dhe struktura e marrëdhënieve lokale.

Duket qartë në libër që autori i njeh në hollësi, në thelb dhe me saktësi krejtësisht të admirueshme mendjet më të ndritura intelektuale evropiane dhe amerikane, shkencëtarë, mendimtarë, studiues që e kanë menduar qytetërimin e sotëm botëror. Ai bazohet te një analizë e ideve të tyre duke dalë në këtë botë të ndritshme nga “shpella” e Platonit, por ndryshe nga “i burgosuri” i Platonit që, i mësuar në errësirën e shpellës, verbohet kur sheh dritën e diellit, autori nuk verbohet aspak.

Përkundrazi ndriçon të tjerët. Ka brenda librit një lloj distancimi miqësor, sikurse edhe një rimarrje të menduar bukur mirë të të gjitha arritjeve më të mira intelektuale të shkencave sociale, sidomos të këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit. Duket sikur autori shëtit lirshëm nga njeri autor te tjetri për të ndërtuar problematikën e librit të tij. Dikush do të kishte pritur që ai të kishte humbur në një labirint idesh duke mos mundur të shprehë aksin e tij personal, autonom, qendror të reflektimit. Por, jo, libri ka një aks madhor, ka një tezë të vërtetë që i organizon të gjitha analizat e autorit. Ka një etikë të botës globale! Çfarë do të thotë kjo? Dritan Abazoviq na e shpjegon se fakti që zhvillon një përqasje etike mbi botën globale do të thotë që sipas tij nuk ka vend për një determinizëm të ngurtë. Atje ku njeri është i përcaktuar nga jashtë tij nuk ka vend për etikë dhe përgjegjësi individuale.

Sado globalizimi të duket një fakt i imponuar kryesisht ekonomik, edhe në periudhën e tij është qëndrimi voluntarist politik, moral, kulturor i njerëzve ai që vendos për rrjedhën e historisë. Etikë, sepse në alternativat e zgjidhjeve që autori propozon, është kudo në radhë të parë qëndrimi i përgjegjshëm individual, kolektiv, politik, kulturor që mund ta bëjë globalizmin një rrjedhë emancipuese për njerëzimin. Globalizimi ka potencialin e vet pozitiv, sikurse paraqet edhe rreziqet e veta që lindin së bashku me të.

Prandaj termat, etika e globalizmit si edhe koncepti “kritikë” që përshkon të gjithë librin vjen prej faktit se ideja thelbësore e dr. Dritan Abazoviç është se politika në epokën globale duhet të mbështetet te konsensusi. Por konsensusi nuk është i barabartë, thotë ai me të drejtë, me shprehjen e vullnetit të shumicës në një proces elektoral demokratik klasik. Demokracia duhet menduar më gjerë sesa sot, ai që quhet vullnet i përgjithshëm nuk bazohet veçse në heshtjen disi të detyruar të pakicave apo edhe të shtresave të gjëra të popullsisë. Drejtësia juridike dhe shteti ligjor, vazhdon, ai në vazhdim të ideve të Xhon Rolls, duhet të mbështetet në një drejtësi sociale.

Kurse ekonomia ka nevojë të ekuilibrojë kërkimin e rendimentit financiar me vlerat e reja të standardeve morale si ekologjia, ruajtja e planetit, e mira e përgjithshme, etj. Sigurisht, një mendim i ri intelektual nuk vjen dot pa pasur gjuhën e tij konceptualisht të re. Dr. Dritan Abazoviç e mendon globalizimin duke përdorur koncepte të marra në kuptimin e tyre të saktë dhe duke mos pranuar që konceptet e reja të kuptohen sipas paragjykimeve të vjetra. Globalizimi për të nuk është, sikurse ndruhet ai një lloj buldozeri që sheshon të gjitha specifikat e shoqërive lokale.

Nuk është homogjenizim i njerëzimit. Por, në thelb është një marrëdhënie dialektike midis lokales dhe globales. Etika e globalizimit nuk është një etikë universale, shkruan ai me të drejtë. Janë dy koncepte të ndryshme sepse etika universale rëndon me totalitarizmin e saj, kurse etika globale respekton njëherazi edhe vlerat thelbësore, si emërues i përbashkët i moralit njerëzor, ashtu edhe këndvështrimet kulturore të grupeve të ndryshme shoqërore. Kur flet për marrëdhëniet midis grupeve nacionale, Dritan Abazoviç, dallon qartazi multikulturalizmin nga ndërkulturalizmi, madje argumenton bukur që shkalla e ndërkulturalizmit, pra e hapjes ndaj identiteteve të tjera kombëtare, shpreh shkallën e zhvillimit kulturor të secilit grup.

Autori ka qysh në titull termin “kritika e etikës globale”, por kujdes, Dritan Abazoviç në librin e tij me inteligjencë na bën të kuptojmë se ai nuk është globalist naiv i prirjes jokritike neoliberale, por as antiglobalist. Kush i ngatërron këto, nuk ka kuptuar asgjë nga libri i dr. Dritan Abazoviç. Mund të jesh kritik ndaj globalizimit, pa qenë antiglobalist. Ai, përtej ekstremeve shpesh herë të ashpër, shpesh dogmatikë, shpesh të mbushur me paragjykime për njëri-tjetrin, shpeshherë katastrofikë në rezultatet që sjellin, zhvillon një lloj alterglobalizimi etik dhe teorik që kërkon kujdes për ta dalluar nga polet e rënda opozitare konceptuale. Globalizimi, duke qenë një etapë e fundit në radhë në stadet e njerëzimit, nuk është e fundmja e tyre.

Aq më tepër që një globalizim i konceptuar keq, risjell luftëra, mbyllje në vetvete, nxit të gjitha nacionalizmat, nxit pabarazinë, risjell ksenofobi dhe shkelje të të drejtave njerëzore. I them këto sepse nëse nuk kuptohen këto hollësi analitike, libri i dr. Dritan Abazoviçit rrezikon të keqkuptohet, të mos kuptohet nga një sërë fanatikësh të logjikës duale, ku mendimi përmblidhet brenda guaskave përjashtuese, ose po, ose jo, ose me mua, ose kundër meje, ose A ose -A.

Ka në librin e Dritan Abazoviçit një dialektikë post-aristoteliane, pra, që i tejkalon kundërshtitë konceptuale tradicionale. Politika, ekonomia, marrëdhëniet e njeriut me natyrën, debati shoqëror, etika, etj., pra të gjitha fushat e rëndësishme të shoqërisë janë marrë në analizë, me një përfundim të qartë. Asgjë nuk mund të shkojë në rrugën e duhur nëse nëpërmjet konsensusit midis njerëzve, rakordimit të vlerave etike, një kontrate të re sociale, vendin e vendimeve spontane të tregut, përtej partitokracisë, mbylljes në vetvete, nuk e zë një vendimmarrje e përbashkët e orientuar drejt vlerave etike. Kjo kërkon sigurisht, sikurse e le të hapur çështjen autori, një përpunim mekanizmash të reja juridike, politike, institucionale, edukuese, etj. Dhe për ta mbyllur, sigurisht është problemi i rëndësishëm midis njeriut, qytetarit, politikanit, shkencëtarit. Por, kjo është një temë shumë e vështirë për t’u trajtuar sepse veç të tjerash ka të bëjë me tekstin, por del edhe jashtë tekstit sepse lidhet me autorin, por del edhe përtej autorit, sepse ka të bëjë me njeriun.

Si do të përkthehen trajtimet e këtij libri në atë që thotë autori qëndrime të përgjegjshme individuale dhe kolektive? Kjo është një temë të tjetër që është barra në shpinën e autorit përtej tekstit. Por, një gjë është e sigurt. Një shoqëri që ka një autori të këtij niveli në shkencat shoqërore si dr. Dritan Abazoviç është privilegjuar, si edhe vetë autori është produkt cilësor i kësaj shoqërie. Nuk besoj se ka universitet në Evropë që të ishte indiferent ndaj këtij libri dhe ndaj kompetencave shkencore të dr. Dritan Abazoviç. Por, lokalisht kjo sjell edhe vështirësi për botën universitare. Shpesh universitarët kanë fatkeqësinë sepse politikanët, jashtë çdo lidhjeje të vërtetë me shkencën dhe dijen, as nuk arrijnë t’i kuptojnë problemet dhe zgjidhjet që u propozojnë shkencëtarët dhe universitarët.

Por, është po aq e vështirë për një universitar të dialogojë edhe kur kemi rastin e kundërt, rastin tonë, pra kur politikani është edhe universitar i një niveli shumë të lartë. Nuk është më intelektuali që ka nevojë të flasë gjuhën e politikanit, sepse përndryshe nuk kuptohet prej tij. Është politikani që zotëron gjuhën e politikës, por që artikulon shkëlqyeshëm dhe si novator në gjuhën e shkencave sociale dhe humane. Debati besoj rritet në nivel, por rritet edhe në shkallë vështirësie për universitarin klasik. Përfiton qytetari. Ky tension sa i vështirë për t’u përjetuar përbrenda është edhe tek autori, në ndërgjegjen e tij, midis politikanit dhe dijetarit. Por, e sigurt që prodhon sa një politikan të aftë të reflektojë thellë për shoqërinë e tij, por edhe një universitar që nuk qëndron mbyllur në kullën e tij prej fildishi! Faleminderit!

Rreth autorit: Artan Fuga – kërkues shkencor i asociuar në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor (Francë) Anëtar i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë Profesor në Universitetin e Tiranës Doktor në filozofi (Universiteti i Tiranës) Doktor në shkencat e komunikimit (Universiteti Paris 2, Panthéon – Sorbonne), Francë Doktor i habilituar në shkenca sociale (Universiteti Paris X, Nanterre), Francë

© Panorama.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

“Riviera e Ulqinit”: QAMIL HOXHA DREJTOR I RI EKZEKUTIV
“Riviera e Ulqinit”: QAMIL HOXHA DREJTOR I RI EKZEKUTIV

Menaxheri i diplomuar i hotelerisë Qamil-Qamo Hoxha është drejtor i ri ekzekutiv i Kompanisë „Riviera e Ulqinit“. Këtë vendim Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie e ka marrë të hënën, në një seancë të

Presidentja e Kosovës viziton Malin e Zi: FILLIMISHT NË PODGORICË, PASTAJ NË ULQIN
Presidentja e Kosovës viziton Malin e Zi: FILLIMISHT NË PODGORICË, PASTAJ NË ULQIN

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të muajit të ardhshëm do të qëndrojë për një vizitë zyrtare dyditore në Mal të Zi, mëson Portali Ul-info. Në ditën e parë të vizitës së saj

Ulqin: NË FUND TË JANARIT SHIJOHET NOTI NË PLAZHIN E VOGËL (Video)
Ulqin: NË FUND TË JANARIT SHIJOHET NOTI NË PLAZHIN E VOGËL (Video)

Sot ishte një ditë e bukur në Ulqin, të cilën qytetarë të shumtë e shfrytëzuan për shëtitje apo punë në Ullishtë. Në të njëjtën kohë, disa vendosën të marrin pjesë në hapjen ceremoniale të një tjetër Festivali

Komuna e Ulqinit: Kryeministri me ministra në vizitë të martën
Komuna e Ulqinit: Kryeministri me ministra në vizitë të martën

Të martën, më 31 janar 2023, komunën e Ulqinit do ta vizitojë delegacion i Qeverisë së Malit të Zi në krye me kryeministrin dr. Dritan Abazoviq. Në delegacion me kryeministrin Abazoviq do të jenë ministri

Përvjetori: GJYSMË SHEKULLI NGA THEMELIMI I QENDRËS NATURISTE NË ADË TË BUNËS
Përvjetori: GJYSMË SHEKULLI NGA THEMELIMI I QENDRËS NATURISTE NË ADË TË BUNËS

Këtë vit bëhet gjysmë shekulli nga fillimi i funksionimit të Qendrës naturiste në Adë të Bunës. Në korrik të vitit 1973 u pritën mysafirët e parë dhe ishin kryesisht gjermanë të sjellë nga agjencia “Miramare”.