A.Hoxha: TRAJNIMI PËR GAZETARI “SAPERE AUDE”

Poster (1)Projekti për të rinj, të cilët kanë interes të bëhen gazetarët e ardhshëm, apo qoftë edhe të informohen më shumë rreth fushës së gazetarisë, tashmë ka hapur dyert për pjesëmarrësit. Ky trajnim ka për qëllim bashkimin e të rinjve, të cilët kanë premisa të dinë më shumë rreth: teknikës së të shprehurit bukur, mësimit të elementeve bazë të teksteve gazetareske, të folurit para kamerave dhe artikulimit të mendimit gjatë bashkëbisedimit në studio televizive, zhvillimit të oratorisë së tyre duke pasur theks të veçantë në rafinimin e të shprehurit duke përdorur formën e drejtë të gjuhës shqipe.

Trajnimi do të mbështetet në punëtori (workshop) të ndryshme duke përdorur metodat e mësimit joformal, përmes të cilave duke u zbavitur, të rinjtë do të zhvillojnë aftësitë e veta dhe do të zgjerojnë spektrin e njohurive të tyre. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin ligjerata nga ligjërues me përvojë, gazetarë, oratorë,… Në mënyrë që mësimi i njohurive të reja të mos ngelet në suazat teorike, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të provojnë veten para kamerës, ku do të kenë mundësi të bëhen pjesë e një studioje televizive, të flasin lirshëm para publikut, të intervistojnë persona të ndryshëm, të dalin me ndonjë opinion, reagim, reportazh etj.

Pjesë e projektit do të jenë edhe vizitat e ndryshme në RTV të ndryshme, qoftë në Mal të Zi apo edhe në vendet fqinje, të cilat do t’u ndihmojnë pjesëmarrësve të mësojnë më mirë punën pas kuintave dhe procesin e xhirimit.

Disa nga temat që do të trajtohen gjatë trajnimit janë: gazetaria dhe gjinitë e saj, llojet e medias, oratoria – përse duhet të flasësh bukur, teknikat e xhirimit, gazetaria hulumtuese, lajmi i rremë, debati, si dhe vënia e teorisë në praktikë.

Qëllim tjetër i projektit është që pjesëmarrësit të njihen me nocionet si: diskriminimi, paragjykimet, bulizmi, gjuha e urrejtjes, ndikimi i medias në shoqëri, ndërtimi i paqes dhe kështu të krijojnë një botëkuptim të vetin në lidhje me këto koncepte dhe të fitojnë fuqi për të ngritur zërin e tyre, për të kundërshtuar kur në rrethin shoqëror ka gjëra që duhen ndryshuar. Duke i përmbledhur të gjitha bashkë, vetë motoja e projektit është thënia e Horacit “Sapere aude” – “Guxo të jesh i mençur”, e pjesëmarrësit e këtij projekti duhet të synojnë dijen dhe ta përdorin atë në të mirë të të gjithë shoqërisë.

Trajnimi do të mbahet 1-2 herë në javë dhe do të zhvillohet nga marsi deri në qershor. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të rinjtë shqipfolës të moshave 11-14 vjeçare dhe 15-19 vjeçare. Numri maksimal i pjesëmarrësve është 15 pjesëmarrës për secilin grup. Aplikimi mund të bëhet duke plotësuarformularin, nga data 03 shkurt deri më 03 mars 2020.

Për çdo informacion më të hollësishëm mund të na kontaktoni përmes e-mailit sapere.aude.ul@gmail.com dhe përmes numrit të telefonit +382 67 741 255.

Ky projekt mbështetet nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.

Koordinatore e projektit,

Adriana Hoxha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi