Zgjedhjet e nëntorit do të nënkuptojnë ndoshta garën më të rëndësishme zgjedhore në Kosovën e pasluftës. Kjo për arsye se do të jetë një test i rëndësishëm për të treguar se ku qëndrojnë shumë subjekte politike pas zhvillimeve dinamike brenda tyre dhe në Kosovë përgjithësisht, si dhe për shkak të zgjedhjeve të para në gjithë republikën me legjislacion të njëjtë, përfshirë veriun. Pra, pas 3 nëntorit do të dihet se ku qëndrojmë si Kosovë, me nivel demokracie dhe respektim të të drejtave të njeriut, që do të determinohet shumë nga (mbarë)vajtja e procesit zgjedhor. Çfarë rezultatesh do të prodhojë procesi i dialogut të kryeministrave Thaçi e Daçiq në Bruksel sa i përket daljes së serbëve në votime dhe pranimit të rezultateve, si hap për të ecur tutje. Distancimi nga partia e dy prej tri figurave kryesore dhe me më së shumti vota të partisë, Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt, pritet të shihet se sa do ta lëkundë subjektin. Gjithashtu, kandidimi i sërishëm i disa prej kryetarëve aktualë të komunave, të cilët janë të dyshuar për vepra të ndryshme, që ndodhen ne procese gjyqësore, ose që ndodhen edhe prapa grilave, do të mund të jetë bukur problematik për mobilizim të votuesve. Në qoftë se PDK-ja nuk ia del të ruajë numrin e komunave që ka dhe nëse nuk ia del që së paku ta rrisë përqindjen e votës në Prishtinë, do të mund të perceptohet si fillim i rënies së partisë.
LDK-ja, në anën tjetër, eka përpara testin e parë real me Isa Mustafën si kryetar i partisë. Duke qenë se zgjedhjet e kaluara parlamentare u mbajtën vetëm disa javë pasi që Mustafa mori udhëheqjen e partisë, dhe si të tilla s’kanë mundur të vlejnë si një matës i saktë, 3 nëntori vjen si peshorja e vërtetë. AAK-ja ka përpara një situatë krejt ndryshe. Do të jetë hera e parë pas tetë vjetësh dhe disa procesesh zgjedhore që kjo parti do të mund të garojë si e kompletuar në zgjedhje, duke e pasur kryetarin Ramush Haradinaj përfundimisht të liruar me vendim fuqiplotë si i pafajshëm nga akuzat e Tribunalit të Hagës. Ky fakt në mënyrë të arsyeshme ka bërë që Haradinaj dhe kandidatët e tij për kryetarë komunash të kenë më së shumti takime dhe kontakte me qytetarët gjithandej Kosovës me synim mobilizimin e votuesve. Ngjashëm me AAK-në e ka situatën edhe LËVIZJA “VETËVENDOSJE!”. E vetëquajtur si opozita e vetme reale në Kosovë, subjekti politik i Albin Kurtit do t’i ketë vendimtare këto zgjedhje për t’u etabluar në Katërshen e Madhe (ose Pesëshen, nëse edhe AKR-ja fiton ndonjë komunë) dhe për të bërë të paqartë pastaj luftën për dy-tri partitë kryesore në vend pas zgjedhjeve nacionale. Kurse AKR-ja në këto zgjedhje ka situatën – të jesh, ose të mos jesh. (Marrë me shkurtime nga “Koha Ditore”)