A.Kelmendi: Shqiptarët e kanë përsëri në duar ta shpëtojnë Malin e Zi

Vuçiqi po synon që ta fusë nën kthetrat e tij Malin e Zi dhe edhe kësaj radhe deputetët shqiptarë atje e kanë çelësin – ta përkrahin, ose ta ndalojnë!
Nëse Andrija Mandiq – person i cili kishte hyrë në grevë urie kur Mali i Zi e kishte njohur pavarësinë e Kosovës – zgjedhet kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe hyn në qeverinë e re, ky skenar bëhet realitet.
Mandiq shprehet hapur kundër pavarësisë së Kosovës, kundër Malit të Zi në NATO, për aleancë me Rusinë dhe deri vonë edhe bashkim me Serbinë. Ai me kolegë ka mbajtur edhe ditë zie për terroristët serbë të vrarë në Banjska.
Ta kujtojmë, kryetari i Kuvendit i Malit të Zi është njëri nga katër personat të cilit i dorëzohen të gjitha materialet e sigurisë, përfshirë informacionet konfidenciale të NATO-s. A përfundojnë në Beograd dhe në Moskë këto?!
Deri më tash Mandiq dhe kolegët e tij proserbë kanë mbetur jashtë qeverive të Malit të Zi se janë kundërshtuar ashpër nga amerikanët, BE-ja dhe shqiptarët, si dhe boshnjakët dhe kroatët.
Tash, të gjithë këta janë sërish kundër Mandiqit, por disa deputetë shqiptarë ende nuk janë shprehur haptas kundër.
Kategorikisht kundër një qeverie malazeze me Mandiqin brenda është shprehur URA e Dritan Abazoviqit. Nesër pritet të deklarohen edhe deputetët e tjerë shqiptarë.
Vuçiqi është duke fërkuar duart, me besimin se po e rikthen Malin e Zi nën ndikim direkt, kur vëmendja e botës perëndimore është në Izrael dhe Ukrainë.
Shqiptarët duhet t’ia mbyllin derën edhe një herë. Ashtu siç shqiptarët kanë pasur rolin kryesor në votimin për pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin e këtij shteti në NATO, ashtu edhe kësaj radhe duhet ta shpëtojnë Malin e Zi nga gllabërimi serbo-rus.
Është vendim historik!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…