Ndërkohë që mburremi me historinë tonë të lashtë,kulturën e traditën,shpesh herë mund të mos jemi të vetëdijshëm se mbase nuk jemi duke thënë të vërtetën e po transmetojmë vetëm disa përalla të cilat na i kanë mësuar të parët tanë.
Do të ndalem tek një pikë e veçantë e traditës së këtij qyteti që është peshkimi.
Po filloj nga fakti që Ulqini i detit, anijeve e llojë-llojëshmërisë së peshkut të freskët të cilit po ia harrojmë emrin (sidomos ne,gjeneratat e reja) sepse po kemi mundësi t’i shijojmë vetëm në restorantet e Shkodrës fqinje.
E them këtë duke u nisur nga fakti që në Ulqin nuk ekziston as edhe një Port peshkimi ku edhe këto pak peshkatarë që kanë ngelur do të kishin mundësi të tentojnë ta mbajnë të gjallë këtê pikë të rëndësishme të traditës sonë me të cilën mburremi. Aktualisht pa meritë sepse nuk po ndërmarrim asnjë hap për ta shpëtuar.
Ivo Knezheviq, kryetar i Shoqatës së peshkatarëve në Ulqin i cili përbëhet nga 60 anëtarë, thotë që nuk kanë asnjë llojë përkrahjeje nga Institucionet.
Përveç se nga Komuna e Qeveria, nuk përkrahen as nga disa qytetarët e Ulqinit.
Këto dhjetëra peshkatarë që po tentojnë ta mbajnë të gjallë peshkimin në Ulqin, pasionin e tyre e ushtrojnë në kushte të vështira në mungesë të vendit ku mund të shesin “gjahun” e tyre.
Për këtë arsye shpesh i shohim të jenë të detyruar të bejnë tregti nga bagazhet e automjeteve të tyre,sepse nuk kanë “levërdi”që peshkun ta shesin nga i ashtuquajturi “Pazari i peshkut” i cili herë funksionon, herë jo.
Është për të ardhur keq që po lejojmë që përpara syve të na shuhet kjo pasuri e përbashkët.
Përveç faktit që dikur shumë familje ulqinake kanë jetuar e mbijetuar nga peshkimi,vlen të thekësohet që kjo dukuri dikur ka mbledhur familjet nepër sofrat e tyre,ka ndikuar direkt në ruajtjen e traditës sepse përmes degustimit kemi mësuar të dallojmë llojet e peshqeve,kohën e llojeve të caktuara por edhe benefitet e tijë për shëndetin tonë.
Sot fatkeqësisht dimë shumë pak nga këto, e ata të cilët kanë tentuar të na e ngulisin në zemrat tona dashurinë për peshkun e Ulqinit, po largohen nga kjo botë.
Në anën tjetër këto që kanë ngelur e që po tentojnë të bëjnë diçka në këtë drejtim,nuk po i vlerësojmë.
Me qëllim që peshkimi në Ulqin të mos mbetet një mit, e mos të përcjellim të pavërteta, le të ndërmarrim ndonjë hap të përbashkët me qëllim që nesër të kemi me të vërtetë se me çfarë të mburremi.