A.Salaj: TË RUHET “KOHA JAVORE”

Koha javoreGrupi i Punës së Kuvendit të Malit të Zi, i kryesuar nga deputeti dhe koordinatori Genci Nimanbegu, deputeti i opozitës Dritan Abazoviq (MZP) dhe Sllavica Mirkoviq, sekretare e Këshillit për sistemin politik në Kuvendin e Malit të Zi, vizitoi dje redaksinë e gazetës “Koha javore”.

Redaktori përgjegjës i gazetës, Ali Salaj, i ka njoftuar përfaqësuesit e Kuvendit me gjendjen aktuale dhe krizën e kësaj gazete si pasojë e falimentimit të NPG “Pobjeda”.

Salaj kërkoi që gazeta “Koha javore” të mos përfshihet në procesin e falimentimit, as në kuadrin e privatizimit të mundshëm të saj, por si media e pakicave të mbështetet nga institucionet përkatëse shtetërore.

Ai paraqiti shembujt e botimit të shtypit të pakicave në rajon, me theks të veçantë në Kroaci dhe Serbi, ku shteti mundëson botimin e dhjetëra gazetave në gjuhën e pakicave.

Grupi i punës u pajtua që gazeta në gjuhën shqipe “Koha javore” duhet të mbetet në skenën mediatike në Mal të Zi, duke gjetur zgjidhje për një të ardhme të qëndrueshme.

Anëtarët e Grupit të punës paralajmëruan zhvillimin e takimeve me ministritë përkatëse në Mal të Zi dhe me menaxhmentin e “Pobjedës” me qëllim të përgatitjes së një platforme të re për veprimtarinë e kësaj gazete.

Grupi i punës pritet që t’i propozojë Kuvendit të Malit të Zi zgjidhjen për statusin e ardhshëm të gazetës së vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

“Koha Javore” është themeluar nga Kuvendi i Malit të Zi në dhjetor të vitit 1999, kurse numri i parë ka dalë në shkurt 2002. Gjatë këtyre 13 vjetëve janë botuar gjithsej 634 numra duke luajtur një rol të rëndësishëm për lexuesit shqiptarë jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë. (Kohapress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…