Poeti Bejko njihet si ndër pishtarët e poezisë bashkëkohorë të Shqipërisë, i cili përmes figuracioneve moderne dhe një hermetike të sofistikuar i ka sjellë gjuhës sonë një model të ri poetik. Veprimtaria e tij shtrihet nëpër dy sisteme politike çka e bën më të veçantë vetë rolin dhe mesazhin e tij artistik.
Që në hyrje, u cek se, “Kalimera” është një peshkim nëpër tema, më shumë se thellim nëpër të njëjtat, sepse qëllimi është motivimi,
senzibilizimi dhe perspektivat e artistikes sonë kombëtare e cila falë natyrës së saj ka mbetur pjesa më e papërbaltur e shoqërisë.
Për këtë arsye, “Kalimera” është një “Nadja e mirë” ose “Mbramja e mirë” ulqinake e shkodrane, e cila për qëllim ka hapjen e rrjetave shpirtërore dhe intelektuale dhe mbi të gjitha: t’ua bëjë me dije poleve dhe metropoleve tona kombëtare se edhe ne egzistojmë, ani që jemi të ndarë, ani që jemi më pak, ani që hamë më pak, ani që zhurmojmë më pak.
Poeti Bejko, në hyrje, veçoi njohjen e tij me Ulqinin si një vend legjendash që dukej sikur “nuk i takonte kësaj toke”. Veçoi baladën e Aga Ymerit dhe këngën shkodrane “Ulqinakun s’ma don nana” që ishin, si të thuash, motivet kryesore njohëse të Ulqinit për Shqipërinë jugore, nga ku poeti edhe e ka prejardhjen. Ulqinin e këtyre dekadave, gjithsesi, Bejko e ndërlidhi me emrin e lakuar poetik dhe akademik të këtyre anëve, me Basri Çapriqin, emrin të cilin ai e sinkronizoi me detin, duke e shënuar madhështisht si “poeti i detit”.
Akademiku Ali Aliu e vlerësoi Bejkon si “ndër poetët më të mirë shqiptar”. Veçoi sidomos botimet e kujdesshme të tij, thuajse një në çdo decenie dhe figuracionet e rralla që poeti i lidhë më ambientin, kohën dhe legjendat.
Poeti zgjodhi të ndajë sekuenca nga fëmijëria e tij si dhe pjesë nga fazat e tjera të jetës, për të kulmuar me fjalinë se nuk e dinte nëse ende e ka shkruar kryelibrin e jetës por që dinte me siguri se ndjehej plotësisht i realizuar me jetën, veprimtarinë dhe familjen e tij natyrale e poetike.
Në fund, nikoqiri, nën mbështjetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Malin e Zi, shtroi një koktej miqësimi dhe diskutimi për të gjithë të pranishmit.