Bartësi i listës i Malit të Zi Pozitiv në zgjedhjet e djeshme në Ulqin Dritan Abazoviq ka shprehur kënaqësinë me rezultatet që i ka arritur kjo parti. “Çdo votë e jona është e pastër si loti dhe i arritur në betejën e pabarabartë me katër makineri partiake”, tha ai duke shtuar që MZ Pozitiv ka fituar 11 për qind më shumë vota se në zgjedhje parlamentare.
Abazoviq në konferencën e sotme për shtyp ashpër ka kritikuar liderin e Forcës së re demokratike Nazif Cungun i cili në tubimin e fundit parazgjedhor ka ftuar prindërit e të rinjve në MZ Pozitiv që “të këshillojnë fëmijëve të vet që të tërhiqen nga partia e cila përmend heronjtë e Taraboshit të cilëve nuk ju mjafton Shkodra, por duan të djegin edhe Ulqinin”.
Këto fjalë Abazoviq i vlerësoi si “idiotizëm politik” dhe “shitjen e patriotizmit të lirë”. “dhe të gjitha këto na i thotë njeriu i cili, kur ishte vështirë për këtë popull, morri valixhet dhe iku prej këtu. Ai i cili në këtë fushatë ka përdorur të gjitha mjetet që të mbes në pushtet”, theksoi deputeti i partisë Pozitive.
Sipas fjalëve të tija, të rinjtë në MZ Pozitiv erdhën me vullnetin e tyre të lirë. “Dhe ato janë shumë më të njerëzishëm se ai i cili i foli këto fjalë të papërshtatshme”, shtoi Abazoviq.
Ai ftoi të gjitha partitë nacionale të bashkohen dhe mos të lejojnë PDS të marrë pushtetin lokal. “Ne do ti ndihmojmë në çdo mënyrë nëse vërtet dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë”, theksoi Abazoviq.
Sipas fjalëve të nënkryetarit të Këshillit komunal të MZ Pozitiv për çështje juridike në Ulqin Ilir Harasani, është paradoksale që vetëm kjo parti ka çuar 14 ankesa të Komisionit komunal zgjedhor. “Vërejtjet kryesisht janë dorëzuar për shkak të votimit përmes letrës (në shtëpi) dhe të gjitha janë refuzuar”, theksoi Abazoviq.