Deputeti i Malit të Zi Pozitiv Dritan Abazoviq ka thënë që pranimi i propozimit i nënkryetarit Svetozar Maroviq për zgjidhjen e statusit të komunës së Tuzit do të ishte “vazhdim i politikës cinike të nënvlerësimit të qytetarëve dhe mendjes së shëndoshtë”. ”Më e keqe se kjo është që Maroviq gjen bashkëbisedues në disa parti shqiptare, të cilët tani është e qartë, udhëheqin të njëjtën politikë si PDS, vetëm që quhen ndryshe”, vlerësoi ai.
Abazoviq ftoi liderët e partive shqiptare të ndalin tregtinë me “njerëzit e aferës së Zavales” dhe që fuqishëm të rrinë mbas qëndrimit që komuna e Tuzit të jetë e plotë në procedurën e cila vlejti për të gjitha komunat e reja të formuara në këtë vend. “Mos e nënvlerësoni më veten dhe mos pranoni grimcat nga tavolina e pistë e PDS, i cili është fajtori kryesor që qytetarët e Malësisë tash 20 vite nuk mund të realizojnë të drejtat e veta dhe për arsye të tyre janë gjithnjë e më pak në Mal të Zi, ndërsa gjithnjë e më shumë në botë”, shtoi ai.
Sipas fjalëve të tija, akoma ka nga ato që për arsye të privilegjeve të imta, sakrifikojnë fytyrën dhe interesin e qytetarëve që përfaqësojnë.